E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës/Vlorë, banorët e 2 pallateve: Tragjedia e Gjirokastrës mund të përsëritet

>Dhjetëra familje jetojnë me frikë në banesat e tyre të rrezikshme. Pushteti vendor nuk interesohet për ta
Ngjarja tragjike që ndodhi në nëntor të vitit të kaluar në Gjirokastër, risolli në vëmendjen e institucioneve të qytetit të Vlorës rrezikun thuajse të njëjtë që i kanosej edhe pallatit 1149 në lagjen 29 nëntori, i cili mbijeton prej rreth 5 vitesh me shembje të mëdha dhe gropa midis banesave. Gjatë ditëve të para të tragjedisë, këto institucione u vunë në lëvizje dhe premtuan se do të bënin gjithçka për rregullimin e situatës dhe për të mos lejuar një tragjedi të ngjashme me atë të qytetit të gurtë. Madje, vetëm pak kohë më parë, në mbledhjen e këshillit bashkiak të këtij qyteti, u ra dakord edhe që ky pallat të shembej, por duke siguruar strehimin e banorëve. Mirëpo duket situata tragjike në pallatin e Bulqizës po e risjell përsëri tmerrin tek banorët e pallatit në Vlorë, të cilët   vazhdojnë të jetojnë në banesat e shtrembëruara nga shembja. Asnjë premtim nga ato që bënë institucionet vendore nuk u mbajt, ndërsa banorët vazhdojnë të jetojnë me frikë dhe ankth se mos ndërtesa e rrezikshme u shembet në kokë. Banorët tregojnë se ditët e para pas tragjedisë së Gjirokastrës morën premtime të mëdha nga pushtetarët vendorë, por më pas gjithçka u la në harresë. Askush prej atyre që premtuan mrekullinë për këta banorë, nuk është dukur në pallat dhe jo vetëm kaq, por edhe kur vetë banorët kanë kërkuar takim për të ditur se përse nuk po mbahen premtimet, nuk kanë mundur ti takojnë këta pushtetarë. Vetë banorët shprehin shqetësimin se mbase do të duhet një tragjedi tjetër për ta rikthyer vëmëndjen ndaj tyre dhe për të zgjidhur njëherë e mirë edhe problemin e tyre. Ata tregojnë se ditët me mot të keq që pati Vlora pak ditë më parë, kanë jetuar gjithë frikë sepse nga era e fortë lëkundeshin muret e shkatërruara aq shumë sa mund të komunikoje nga njëra dhomë në tjetrën. Nisur edhe nga frika e pallatit në Bulqizë, këta banorë i ribëjnë thirrje institucioneve të qytetit, që të mos e zvarrisin më problemin e pallatit të tyre, por të mbajnë premtimin e dhënë për ta shembur atë dhe për ta rindërtuar nga e para, e për tu dhënë këtyre banorëve atë që u takon.
Rrezikohet shembja e pallatit në Durrës
Fenomeni i shembjes së një pallati në Gjirokastër për shkak të punimeve në themelet e tij ka rrezik të përsëritet edhe në Durrës, në një formë pak a shumë identike me qytetin jugor gjë që rrezikon së tepërmi banorët e këtij pallati, të cilët kanë rënë në një ankth të vërtetë. Një pallat në qytetin e Durrësit rrezikohet të shembet për shkak të punimeve që janë duke u kryer në themelet e tij, nga një subjekt privat. Bëhet fjalë për pallatin nr 603 në lagjen nr 12 të qytetit të Durrësit, në të cilin në rast se nuk ndërhyhet, mund të pësojë fatin e pallatit që u shemb dy muaj më parë në qytetin e Gjirokastrës. Pallati në fjalë përbëhet nga një fasadë pothuajse e shkatërruar së bashku me ballkonet e tij, por plasaritjet e mureve fillojnë nga kati i parë deri në të pestin. Në këtë pallat banojnë 20 familje dhe ata kanë kërkuar që të ndërpriten punimet sepse rrezikohet jeta e tyre. Pallati është ndërtuar me kontribut vullnetar në vitet '70 nga punonjës të ndërmarrjeve ekonomike që i plotësonin kërkesat e banoreve, duke i organizuar me turne në punimet ndërtuese. Po nga këto lloje banesash ka pasur vazhdimisht probleme të cilësisë së ndërtimeve. Pallati që rrezikohet është ndërtuar me një teknologji të vjetër, ndërkohë që specialistët e ndërtimit kanë bërë të ditur se në këtë ndërtesë duhet shumë kujdes dhe nuk duhet ndërhyrë pranë themeleve të tij. Hapja e një kanali pranë pallatit të vjetër ka shtuar frikën tek banorët e pallatit, por nga ana tjetër deri tani nuk është marrë asnjë masë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›