E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plas sherri në gjirin e minoritetit grek, minoritarët socialistë kundër minoritarëve të OMONIA

>Socialisti Tavo akuzon Bollanon, Dulen dhe Kserën për nacionalizëm të sëmurë
Minoriteti shqiptar është duke përjetuar një krizë të thellë përçarje. Liderët e këtij minoriteti duke pasur komplekse të protagonizmit të sëmurë janë vënë në garë për të përfituar terren në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Pas skandaleve të fundit të Bollanos, i cili duke kërkuar të ketë rol protagonist në gjirin e imunitetit ka lëshuar deklarata nacionaliste helene, të cilat e kanë acaruar situatën, ka qenë deputeti socialist që ka sulmuar dhe akuzuar Bollanon, Dulen dhe Kserën si vegla të Sali Berishës.
Deputeti socialist Tavo sulmoi OMONIA-n dhe PBDNJ-në dhe veçanërisht krerët e tyre për nacionalizëm të sëmurë. Në një deklaratë për shtyp, deputeti socialist i Gjirokastrës ka gjetur rastin të përshëndesë ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga ana e Parlamentit të Republikës së Greqisë ditët e fundit, veprim ky që sipas Tavos, zhveshi lakuriq të gjithë ata që predikonin se kishin ekskluzivitetin e përfaqësimit në Athinën zyrtare. Kjo e fundit veproi në kundërshtim me atë që kërkohej nga ana e të ashtuquajturve ekspertë të nacionalizmit të sëmurë, është shprehur Tavo duke anatemuar lidershipin e PBDNJ dhe OMONIA-s. Deklaratat e përfaqësuesve të kësaj organizate, Tavo i ka quajtur bomba tymuese për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet e ditës. Ratifikimi i marrëveshjes nga katër parti parlamentare greke, neutralizoi shashkat e Bollanos dhe të atyre që i japin mburojë, siç është udhëheqja politike e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut. Në fakt, Bollano, Dule dhe Ksera me shokë, e kanë një ekskluzivitet, janë vegla në duart e Sali Berishës dhe përdoren si bomba tymuese për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet e ditës dhe për të mbuluar dështimin e qeverisjes së Partisë Demokratike, është shprehur Tavo. Ky i fundit, ka bërë publike edhe qëndrimin e mbajtur nga një deputet grek në Parlamentin e Athinës për kërkesat e OMONIA-s drejtuar legjislativit Helen.  Deputeti Gjeorgjadhis ka lexuar pikë për pikë kërkesën e bërë një muaj më parë nga OMONIA ndërkohë që qëndrimi i mëvonshëm i lidershipit të kësaj organizate, ishte përshëndetja e ratifikimit të MSA. Për zotin Tavo ky veprim është një pafytyrësi e kësaj organizate, e cila e ka parë dhe e shikon dështimin e saj, e cila ngelet në histori si pjesëz e pallogaritshme jo vetëm nga minoriteti grek që prej vitesh e ka nxjerrë në qoshe, por më së fundi edhe pse ata pretendonin se mbështeteshin nga Greqia zyrtare nëpërmjet ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga mbarë politika greke.-shprehet zoti Tavo. Kuptohet, këta lloj tipash, përdoren për interesat e tyre të ndërsjella dhe të ngushta, politike e ekonomike ndryshe nga drejtuesit e kësaj organizate që hidhnin poshtë zërat për një kërkesë zyrtare të OMONIA-s drejtuar parlamentit grek-shprehet Tavo. Deputeti socialist ka gjetur rastin të shprehet se ratifikimi i MSA-së nga të gjitha forcat politike të parlamentit grek, tregon më së miri se OMONIA nuk është përfaqësues ekskluziv i askujt në Shqipëri. Tavo e ka cilësuar ratifikimin e MSA-së, si gur prove për qeverinë shqiptare në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në vend si dhe organizimin me standarde demokratike të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky është një test për integrimin e vendit në familjen evropiane. Zoti Tavo në fund ka garantuar në fitoren e PS në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti.  Ndërkohë që një tjetër protagonist që ka dalë hapur kundër Omonias dhe PBDNJ është edhe kreu i PLLDNJ Ligoraq Karamelo, i cili ka kritikuar ashpër rolin aktual që po luan organizata e minoritetit grek. OMONIA duhet të jetë shoqatë përfaqësuese e interesave të të gjithë minoritarëve grek, pa dallime partiake e krahinore. Njëkohësisht, duhet të jetë kërkuese konstante e respektimit të Kushtetutës së Shqipërisë dhe e Dokumenteve Ndërkombëtare për të Drejtat e Liritë e Njeriut, - tha Karamelo. Sipas tij, OMONIA aktuale flet vetëm prapavijën e një partie politike dhe shërben si fasadë e saj. Konfondimi i OMONIA-s me PBDNJ-në shtron në mënyrë urgjente alternativën për reformimin dhe demokratizimin e kësaj organizate, - apeloi kreu i LLDNJ-së.
  *********************************************************OMONIA fushatë kundër ratifikimit të MSA për Shqipërinë
Pa u mbushur mirë as 24 orë nga bërja publike e lajmit se Parlamenti grek do të merrte në shqyrtim MSA-në me Shqipërinë, organizata e minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA si edhe një sërë shoqatash pan-helenike që mbrojnë kauzën antishqiptare të Vorio-Epirit, paralajmëruan protesta në Athinë. Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, ato ftuan, sikundër citojmë, të gjithë grekët që në datën 14 janar të organizohen në një tubim paqësor para godinës së Parlamentit grek për të informuar deputetët mbi dhunën e shtetit shqiptar mbi grekët e Vorio-Epirit, si edhe për gjendjen e mjeruar në të cilën ata ndodhen. Madje, ka qenë pikërisht shoqata OMONIA e drejtuar nga Bollano, që i kërkoi Athinës zyrtare përmes një letre zyrtare drejtuar më 29 nëntor 08, të mos ratifikonte MSA-në me Shqipërinë deri në njohjen e autonomisë së Vorio-Epirit. Fakt ky, i pohuar edhe nga vetë deputetët e Partisë Ultranacionaliste greke, LAOS në seancën plenare të Parlamentit grek. Greqia ishte vendi i fundit i BE-së që e ratifikoi dy ditë më parë MSA-në me Shqipërinë, duke mbyllur kështu këtë procedurë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›