Durrësi antik e mesjetar
Durrësi dhe zbulimet e tij arkeologjike ndër dekada janë përmbledhur në një botim shumëfaqësh të studiuesit të njohur durrsak, Fatos Tartari. Historia e zhvillimit të arkeologjisë dhe infrastrukturës muzeore të Durrësit shpaloset gjerësisht në librin e botuar këtë vjeshtë, ndërsa mbyllet me klithmën vajtuese të kësaj trashëgimie që prej vitit 1997 e deri më sot: "Politikanë e pushtetarë, më shpëtoni!" Durrësi antik dhe mesjetar vjen me të gjithë gamën e zbulimeve të bëra nga arkeologët dhe trajtimet e thella shkencore për pasurinë e zbuluar, duke u shndërruar në një vepër me vlera të rëndësishme për të gjithë të interesuarit e kësaj fushe, por dhe ata që magjepsen prej lashtësisë së rrethit buzë Adriatikut dhe duan të dinë më shumë për të. Autori i librit, prof. dr. Fatos Tartari, shprehet për gazetën se në libër janë përfshirë artikuj dhe studime të botuara që nga vitet ‘70 e në vazhdim në shtypin shkencor të vendit, si dhe në anuare shqiptare e të huaja. Artikujt e studimet janë të shoqëruara me harta, foto dhe shpjegime të hollësishme. Rezultatet e gërmimeve arkeologjike në verilindje të Durrësit çelin librin, duke u mbyllur me studimin më të fundit të autorit të realizuar në bashkëpunim me profesorin francez Arthur Muller, që konsiston në sintezën e rezultateve të arritura nga bashkëpunimi shqiptaro-francez gjatë viteve 2002-2005 për studimin dhe botimin e plotë të koleksionit të figurinave prej balte të pjekur dhe lëndës tjetër arkeologjike zbuluar në kodrat e Dautes. I ndarë në katër pjesë, libri "Përmbledhje artikujsh e studimesh" ndalet në veprat e mëdha inxhinierike dhe ndërtimore të Durrësit, në lëndën e gjetur arkeologjike, veprat e artit dhe studime të tjera.