Durrësi dhe Bylisi në UNESCO pas Beratit?!
Petrika GROSI
Pas futjes së Beratit në një dosje, në seri me Gjirokastrën, në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ka ardhur dhe deklarata më e fundit e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, sipas të cilit tashmë radhën e ka amfiteatri i Durrësit dhe qyteti antik i Bylisit. Në fakt, nuk dihet nëse është një lojë dhe fryrje publicitare e oportuniste e ministrit të Kulturës, apo thjesht një naivitet në entuziazmin e sipërm të çastit. Nëse gjithçka shikohet me ftohtësi, një hap i tillë duket tepër i vështirë duke pasur parasysh edhe peripecitë shumëvjeçare të dosjeve të mëparshme të “qytetit të gurtë” dhe të “qytetit të 1001 dritareve”, të cilët nuk u pranuan as si dy raste të veçanta, por u futën në seri brenda një dosjeje, pra sikur të dyja qytetet të ishin pak a shumë e njëjta gjë, të njëjtat vlera, e njëjta kulturë e trashëgimi, ndërkohë që Berati dhe Gjirokastra janë dy qytete me veçori, tradita e kulturë krejt të ndryshme dhe meritonin të ishin veçmas në këtë listë. Gjithsesi, nëse në këtë rast u luajt me atë thënien, “Kur nuk kemi pulën, do të hamë sorrën...”, nuk e dijmë ende se me çfarë ka ndërmend të luajë ministri Pango për rastet e Durrësit dhe Bylisit. Durrësi dhe Bylisi ende nuk kanë dosje dhe nuk dihet sesi mendohet që të dyja të futen në UNESCO. Ndoshta kjo deklaratë mbetet në kuadrin e dëshirës së mirë të ministrit, a ndoshta një ëndërr e tij për të ardhmen, por që një gjë e tillë të ndodhë do të dojë shumë kohë, punë serioze, e përfshirjen e një rrjeti të gjerë mekanizmash, specialistësh e institucionesh për të hartuar, reklamuar dhe mbështetur dosjet e reja për në UNESCO, pa harruar këtu, krijimin e domosdoshëm të lobingjeve pro-shqiptare për Durrësin dhe Bylisin. Hapi i parë i deklaruar nga ministri Pango, dhënia e 5 milionë eurove për restaurimin e amfiteatrit të Durrësit dhe shndërrimin e tij në një qendër të madhe për turizmin kulturor është një hap i mirë, që na bën optimistë, por ministri duhet të mbahet larg deklaratave bombastike, për më tepër, kur ende asnjë gjë nuk është vënë siç thotë populli “në vijë”. Të gjithë besoj, jemi të lodhur me premtime e deklarata pafund të tipit: “Do ta fusim Shqipërinë në Europë”, e tashmë “Do ta fusim Shqipërinë në UNESCO”. Mbetet vetëm të shtojmë këtu, se falë mbështetjes të madhe të qeverisë, skuadra jonë kombëtare e futbollit do të fitojë Botërorin e ardhshëm. Para se të flitet për hapa të tilla, siç është më konkretisht rasti i Durrësit dhe Bylisit, (natyrisht, që të gjithë dëshirojmë të kemi sa më shumë qytete shqiptare në UNESCO) duhet më parë të përgatitet strategjia në përputhje me kushtet specifike dhe natyrën e trashëgimisë kulturore dhe të hartohen dosjet përkatëse, duke mbrojtur në anën tjetër zonat muzeale dhe parqet nga ndërtimet pa leje dhe nga shkatërrimi me ose (pa) qëllim i monumenteve të kulturës. Të paktën kur të jenë bërë të gjitha këto, edhe nëse deklarohet nga ministri dhe për një çast të gjithë guxojmë të ëndërrojmë për futjen e qyteteve tona të dashura e me vlera të padiskutueshme në UNESCO, dhe, fatkeqësisht nuk arrihet një gjë e tillë, atëherë askush nuk do të ndihet i zhgënjyer, apo më keq, i gënjyer, pasi kemi bërë me seriozitet dhe përpjekje maksimale gjithë sa kemi pasur mundësi.
11 Korrik 2008