E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Donatorëve, 400 milionë USD për Kosovën



Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i akordojnë Kosovës më shumë se 400 milionë dollarë gjatë Konferencës së Donatorëve, që organizohet sot në Bruksel. Gjysma e 400 milionë dollarëve për 4 vitet e ardhshme apo 100 milionë dollarë në vit do të shkojnë për shlyerjen e borxheve që Kosova ka trashëguar nga koha e ish-Jugosllavisë. Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e Agjencisë Amerikane për Zhvillim (USAID), Henrieta Fore. “150 milionë dollarë nga ndihmat amerikane për Kosovën do të shkojnë për shlyerjen e borxhit të jashtëm të Kosovës, që nga koha e ish Jugosllavisë”,- u shpreh Fore, shefe e USAID-it. Edhe pse nuk ka një shifër të saktë për borxhet e trashëguara të Kosovës, nga ekspertët janë bërë llogaritë se ato mund të jenë rreth 1 miliard dollarë. SHBA-të kanë theksuar më shumë se një herë se janë të kënaqura me përparimet që janë bërë dhe po bëhen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Realiteti premtues në shtetin e ri ka kthyer besimin jo vetëm të qytetarëve kosovarë por edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë të cilët janë shprehur të gatshëm të rrisin ndihmat për shtetin e Kosovës. Ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën që nga viti 1998 e këtej përfshin një shumë prej mbi 1.450.000 dollarësh. Këto ndihma kanë ardhur përmes programit të ndihmës amerikane për vendet e jashtme, më konkretisht për mes te ashtuquajturës “Mbështetje për Demokracitë e Europës Lindore”. Bashkimi Europian organizon sot në Bruksel konferencën për donatore ku SHBA-të do të japin fondin prej 400 milionë dollarësh. Uashingtoni zyrtar pret që në këtë konferencë të mblidhen më shumë se një miliardë dollarë për të nxitur ekonominë e Kosovës, shtetit më të ri, por njëkohësisht edhe më të varfër të Europës, me të ardhura për kokë banori sa një e treta e të ardhurave për person në Shqipëri, që deri para pak kohësh ishte vendi më i varfër europian, dhe me një shkallë papunësie rreth 40 për qind. Qëllimi i ndihmës amerikane për Kosovën është mbështetja e pavarësisë dhe institucioneve të saj.
Konferenca e Donatorëve është konsideruar si tejet e rëndësishme për të ardhmen e vendit nga ministri i ekonomisë dhe i financave të Kosovës Ahmet Shala. “Konferenca ndërkombëtare e donatorëve për Kosovën, është njëri nga rastet më të rëndësishme të Kosovës, që së bashku me aleatët e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, t’i shqyrtojë kërkesat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet”. Sipas Shalës konferenca në Bruksel është një rast i mirë për të ndërtuar një Republikë moderne dhe për të riafirmuar vizionin tonë të qartë për integrime europiane".

Belgjika dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Belgjikës janë takuar dje për të zhvilluar bisedimet e para dypalëshe, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Në takim u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, konferenca e donatorëve që mbahet sot, hapja e ambasadës së Kosovës në Bruksel dhe lëvizja e qytetarëve mes dy vendeve. Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni përsëriti angazhimin për zbatimin e planit Ahtisari dhe ndërtimin e një shteti demokratik e shumë etnik në Kosovë. Ndërsa ministri i Belgjikës, Dë Guht nga ana e tij përsëriti angazhimin e vendit të tij si pjesë e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Dy ministrat nënshkruan dhe disa marrëveshje bashkëpunimi.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›