Haga liron Boshkovskin, qeveria maqedonase përshëndet vendimin
Tribunali i Hagës ka liruar dje ish-ministrin e Brendshëm të Maqedonisë, Lube Boshkovski. Vendimi i Tribunalit u përshëndet nga qeveria e Maqedonisë nëpërmjet një komunikate për shtyp duke shprehur njëkohësisht keqardhje për dënimin e Johan Tarçullovskit. “Qeveria e përshëndet vendimin e gjykatës, por njëkohësisht shpreh keqardhje për dënimin e Tarçullovskit, i cili u dënua me 12 vjet burg. Shpresojmë që procedurën e mëtejshme të ankesës, Tarçullovskit do t`i mundësohet që të shpalosë faktet dhe të publikojë rastin e tij”,-thuhet në komunikatën e Qeverisë në të cilën nënvizohet se mbetet në mbështetjen e mëtejshme për mbrojtjen e Johan Tarçullovskit duke ndihmuar në nxjerrjen e fakteve deri në mbylljen e procesit gjyqësor. Sipas aktakuzës, më 12 gusht 2001 anëtarët e një njësie policore të komanduar prej Johan Tarçulovskit kryen një sulm të paligjshëm në Luboten gjatë të cilit vdiqën shtatë shqiptarë etnikë, së paku 14 shtëpive iu vu zjarri qëllimisht dhe më shumë se njëqind banorë të fshatit që ishin meshkuj shqiptarë, u arrestuan dhe u rrahën, poshtëruan dhe u keqtrajtuan psikologjikisht.
Sulmi në Stamboll, arrestohen 4 të dyshuar
Pas sulmit të ndodhur në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Stamboll, gjatë të cilit mbetën të vdekur 6 persona, policia turke ka arrestuar katër persona që konsiderohen si të dyshuar. Arrestimet ishin rezultat i përpjekjeve për të zbuluar lidhjet e tre personave të vrarë në vendin e ngjarjes. Të tre qëlluan së pari për vdekje rojat e Konsullatës së SHBA-ve dhe më pas u qëlluan në vendin e ngjarjes ku mbetën të vrarë. Njëri nga agresorët arriti të largohej, po nuk është e qartë nëse ai është në mesin e të arrestuarve.
Haga: “Nuk kemi kompetenca mbi OKB-në”
Drejtësia holandeze ka arritur në përfundimin se nuk ka kompetenca ligjore të gjykojë akuzat ndaj Kombeve të Bashkuara lidhur me Srebrenicën. Familjarë dhe të mbijetuar të masakrës së Srebrenicës kanë paditur para gjykatës në Hagë shtetin holandez dhe Kombet e Bashkuara për dështimin në mbrojtjen e civilëve në Srebrenicë. 8000 djem e burra boshnjakë u masakruan nga forcat serbe, në kohën që Srebrenica ishte deklaruar zonë e sigurt, e mbrojtur nga trupat e Kombeve të Bashkuara.
Në atë kohë në Srebrenicë vepronin paqeruajtësit holandezë.
Një qeveri holandeze dha dorëheqjen për shkak të përgjegjësisë së trupave të saj në masakrën e Srebrenicës, më e madhja në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
11 Korrik 2008