Policia rrugore zbuloi patentat falëse të “Trekëndëshit”
TIRANE – Ka qenë policia rrugore ajo që zbuloi patentat false që përgatiteshin nga pjesëtarët e një grupi falsifikator. Tetë personat e arrestuar gjatë operacionit “Trekëndëshi” për një sërë falsifikimesh, ishin prej afro dy muajsh nën hetimin e policisë dhe Prokurorisë së Tiranës.
Provat
Burime pranë grupit hetimor te ngritur në Prokurorinë e Tiranës bënë të ditur dje se hetimet ndaj të pandehurve të këtij operacioni morën shkas nga bllokimi nga shërbimet e policisë të disa lejeve për drejtim mjeti, që rezultuan të falsifikuara. Nisur nga kjo, strukturat e policisë, në bashkëpunim me prokurorinë, filluan procedurat përkatëse hetimore duke mbledhur informacione për zbulimin e autorëve përgjegjës. Hetimet mbi këtë çështje u finalizuan para katër ditësh me arrestimin 8 personave si dhe sekuestrimin e një sërë dokumentesh të falsifikuara.
Grupi
Në prangat e operacionit “Trekëndëshi” përfunduan shtetasit Edmond Apostoli, 48 - vjeç, Ilir Fusha, 53 - vjeç, punonjës pranë një shtypshkronje në Tiranë, Mariglen Nikaj, 58 - vjeç, Pirro Kosta, 48 - vjeç, Avni Sinameta, 27 - vjeç, Menduh Koci, 45 - vjeç, Artur Tahiri, 37 - vjeç, Julian Gina, 38 - vjeç, pronar i një lokali në Golem, të cilët akuzohen për “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “prodhim të mjeteve për falsifikim”, të kryera në bashkëpunim. Sipas të dhënave hetimore, mendohet se këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin, kryenin aktivitetin kriminal i shtrirë në qytetet Tiranë, Durrës, Shijak dhe Kavajë, duke arritur marrjen e shumë porosive nga shtetas të ndryshëm për pajisjen e tyre me dëshmi aftësie të tipeve të reja për drejtimin e automjetit, për pajisjen me leje qëndrimi italian të falsifikuar, si dhe pajisje me dokumente të falsifikuara të makinave të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. Përmes metodave speciale të hetimit, grupi hetimor ka konkluduar se falsifikimi i dokumenteve realizohej kundrejt shumës prej 500 euro për pajisjen e një leje qëndrimi italian dhe 150 euro për pajisjen me një dëshmi aftësie të drejtimit të mjetit. Me cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan pajisje të sofistikuara, të cilat shërbenin për falsifikimin e dokumenteve si, skaner, kompjutera dhe shumë dokumente të falsifikuara si, dëshmi për drejtim automjeti, vërtetime hyrje për automjetet në doganë etj. Nga të njëjtat burime mësohet se hetuesit janë duke punuar për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
11 Korrik 2008