E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi, nis konkursi ndërkombëtar për sheshin “Iliria”

Ka filluar faza e parë e konkursit ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekteve në lidhje me rivitalizimin e sheshit “Iliria” në qendër të qytetit. Në këtë konkurs kanë paraqitur projektet e tyre 36 studio projektimi tepër të njohura nga shumë vende të botës. Në fazën e parë përzgjidhen 5 projekte nga juria ndërkombëtare.

Më pas, nga këto 5 projekte do të zgjidhet edhe projekti fitues. Faza përmbyllëse ku do të bëhet zgjedhja e projektit fitues do të zhvillohet në janar të vitit 2009. Në fazën e parë nga ku do të dalin 5 projektet më të mira morën pjesë studio projektimi nga Italia, Portugalia, Meksika, Gjermania, Britania e Madhe, Japonia, SHBA, Spanja, Austria etj.

Projektet

Këto projekte janë shqyrtuar nga juria e cila përbëhet nga 7 anëtarë dhe presidenti i nderit që është kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Anëtarët e kësaj jurie janë arkitekti Alain Coussaran nga Franca, arkitekt Luca Zevi i Institutit Kombëtar Italian të Arkitekturës, Alberto Monti, i cili është arkeolog në Universitetin e Parmës, arkitekti Roco Maragna nga Kanadaja, kritiku i artit Edi Muka, arkitekti Viktor Dhimgjini dhe arkitekti Marin Biçoku nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Në lidhje me rivitalizimin e këtij sheshi administrata e bashkisë ka parashikuar një vlerë të përafërt prej 5 milionë eurosh, e cila do të investohet në sistemimin arkitektonik dhe hapësirave të blerta. Ruajtja e trashëgimisë kulturore të lashtë duke i dhënë gjallëri qendrës së ardhshme të qytetit antik përbën një nga synimet kryesore të organizatorëve të këtij konkursi ndërkombëtar.

Dako: Projekti, i rëndësishëm

“Ideja për të mbledhur dhe për të zgjedhur projekt-propozimet më të mira për të nisur ringjallërimin e sheshit kryesor të qytetit konfirmon dhe i jep jetë vëmendjes nga ana e Bashkisë së Durrësit kushtuar qytetit historik dhe zonës qendrore të tij, aktivitet i nisur me hartimin dhe aprovimin e Planit Urbanistik të Integruar të Qytetit të Vjetër të Durrësit. Riprojektimi i sheshit qendror të qytetit, sheshi “Iliria” – zemra e përhershme e qytetit; përfaqësuese dhe simbol, vendi publik kryesor i jetës kolektive, përbën një rast të jashtëzakonshëm për të konsoliduar një proces të nisur dhe i destinuar për t’i dhënë forcë dhe cilësi një organizmi të tërë urban dhe metropolitan”, – u shpreh kreu i bashkisë, Vangjush Dako.

Sipas Bashkisë së Durrësit, nëpërmjet kësaj veprimtarie që qyteti i Durrësit kërkon të komunikojë imazhin e ri të një qyteti në zhvillim, aktiv dhe novator dhe së bashku me këto e vëmendshme ndaj vlerave të së kaluarës, ndaj historisë së tij, i orientuar drejt qëndrueshmërisë dhe cilësisë së zhvillimit të tij. “Është në respekt të gjithë kësaj që qyteti është rivënë në lëvizje dhe synon që të mbesë aktiv dhe vital”, - tha kryetari i kësaj bashkie.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›