E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi vetëm me një poliklinikë

23/04/2010 Trefishohet numri i popullsisë, po asnjë investim në ngritjen e një qendre tjetër

DURRES- Shtimi i popullatës deri në trefishim të numrit të banorëve nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi në politikat perspektive të shërbimit shëndetësor në Durrës. Sot ky qytet së bashku me rrethinat ka vetëm një poliklinikë, duke mos mundur të përmbushë kërkesat në rritje. Disa vite më parë është folur për ndërtimin e një poliklinike në lagjen numër 14, në Shkozet dhe një tjetër në Kënetë, por gjithçka deri më tani ka mbetur në kuadër të pohimeve pa një veprim konkret. Madje kohët e fundit flitet edhe për transferimin e poliklinikës ekzistuese duke krijuar hutesë ndër specialistë të mjekësisë në këtë qytet. Poliklinika që është e vetme në Durrës pritet të kalojë në mjediset e brendshme të kompleksit spitalor duke rrezikuar zbehjen e funksionit të saj. Nuk është thënë se cilat janë shkaqet, por flitet se ndërmarrja e një hapi të tillë do të ndëshkojë qytetarët. Edhe pse Durrësi është tre-e- katërfishuar në numër banorësh në 10-15 vitet e fundit nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të ndërtuar një poliklinikë të re. Madje në këtë drejtim Durrësi është në të njëjtat kushte si dhe Librazhdi që ka një poliklinikë. Objekti trekatësh është ndërtuar në vitin 1960 dhe që nga ajo kohë ka shërbyer si poliklinikë e qytetit. Në vitin 1996 me fonde të qeverisë norvegjeze është realizuar rikonstruksioni i katit të parë e të dytë, ndërsa kati i tretë është rikonstruktuar me fondet e Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë qendër gjenden të gjitha specialitetet dhe ka katër shërbime si EKG, EGG, EZHE dhe laborator. Poliklinika afron shërbim nga 23 specialistë të mirëfilltë si neurologë, kardiolog, reaumatolog, onkolog, patolog, nefrolog etj., si dhe të gjitha analizat. E gjithë poliklinika së bashku me personelin e mesëm e të lartë si dhe prapavijën ka 73 punonjës. Sipas informacioneve që janë afruar mësohet se gjatë vitit të kaluar kjo qendër futi në arkën e shëndetësisë 22 milionë lekë dhe këtë vit pritet që jo shumë të jetë më e lartë. Me rikonstruksionin e të gjithë godinës, ndërtimin e kaldajës dhe vendosjen e pajisjeve të reja është përmirësuar shërbimi në këtë poliklinikë, e cila gjendet në lagjen numër 4 të qytetit dhe që shërben për të gjithë qytetin e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›