E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthejnë kapsollat detonatore, dëmtohen tre persona

23/04/2010 Në poligonin ushtarak të Malit të Zgarës. Rëndë në spital Bledar Xhaxhaj, nisin hetimet

LIBRAZHD-Një shpërthim i një kapsolle detonatore ka shkaktuar dëmtimin e tre specialistëve në poligonin ushtarak të Malit të Zgarës në rrethin e Librazhdit. Rreth orës 17.00 kanë mbërritur në spitalin e Librazhdit me dëmtime Bledar Xhaxhaj dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk kanë pasur probleme të rënda dhe pas mjekimit janë kthyer në shtëpi.

Shpërthimi

Mësohet se specialisti Xhaxhaj ishte duke bërë demontimin e kapsollës të një municioni 88 milimetër. Në punë e sipër kapsolla ka shpërthyer duke shkaktuar dëmtimin e tij. Nga shpërthimi pësuan dëmtime të lehta edhe shtetasit Liman Boriçi, 50 vjeç; Hysni Hoxhaj, 52 vjeç, të cilët ishin të specializuar për demontim. Transporti i të dëmtuarit Bledar Xhaxhaj është bërë drejt Tiranës për një mjekim të specializuar afër vendbanimit. Vetë komandanti i qendrës së demontimit, Shkëlzen Mëhilli, bën të ditur se shpërthimi në uzinë ka ardhur nga një kapsollë, dhe për pasojë ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë efektivi Bledar Hysni Xhaxhaj. Ai thekson se efektivi është dërguar menjëherë në spitalin e Librazhdit dhe pas marrjes së ndihmës së parë është larguar drejt Tiranës. Komandanti i qendrës së demontimit konfirmon se poligoni i demontimit është i miratuar nga Parlamenti shqiptar dhe efektivët që punojnë atje janë të specializuar në proceset e demontimit të municioneve. Sipas tij, poligoni asgjëson municione të rrezikshme. Asgjësimet bëhen me demontim dhe me plasje. Municionet janë predha luftarake, mina, granata etj. Poligoni ka vite që funksionon dhe ne nuk kemi pasur asnjë problem. Ekipi është mjaft i kualifikuar”.

Të njëjtin version konfirmon edhe policia e Elbasanit, e cila shton se nuk ka të dëmtuar rëndë nga poligoni ushtarak i Zgarës. Një grup hetimor do të bashkëpunojë me prokurorët ushtarakë për hetimin e kësaj ngjarjeje. Ajo aktualisht klasifikohet si aksidentale. Mësohet se në janar ka nisur demontimi i municioneve në këtë poligon. Nga zhurma e shpërthimeve dhe tronditjet e krijuara banorët kanë protestuar duke kërkuar largimin e demontimit të municioneve nga kjo zonë, pasi veç të tjerave po dëmton edhe florën e faunën. Gjithsesi, nga specialistët deklarohet se kjo zonë është larg shtëpive të banimit dhe ka një nivel të lartë sigurie. Demontimi në këtë poligon bëhet në shumicën e rasteve në natyre ndryshe nga Uzina e Mjeksit, ku përdoret teknologjia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›