E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy 13-vjeçarë akuzohen për ngacmime seksuale ndaj 11-vjeçarit

12/08/2011  E ftuan për një xhiro me motor, më pas preferuan të abuzonin

DEVOLL- Dy 13-vjeçarë nga fshati Poloskë i rrethit Devoll (emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye të moshës) akuzohen për ngacmime seksuale ndaj një 11-vjeçari nga i njëjti fshat me ta. Duket se e kanë nisur si një lojë kur dy fëmijët kishin ftuar shokun, dy vjet më i vogël, për një xhiro. Por duket se në mendjen e fëmijëve ka lindur një tjetër ide. Ka qenë vetë 11-vjeçari i rënduar nga gjendja psikologjike që u ka treguar prindërve për ngjarjen, të cilët i janë drejtuar policisë.

Denoncimi u bë në komisariatin e policisë së Devollit nga prindërit e 11-vjeçarit. Sipas prindërve të viktimës, dy 13-vjeçarët e kishin mashtruar fëmijën e tyre duke i premtuar një shëtitje me motoçikletë. Pas kësaj ata e kishin çuar në periferi të fshatit, ku kishin filluar ta ngacmonin seksualisht. Mësohet gjithashtu se fëmija 11-vjeçar ishte kthyer i tronditur në shtëpi, gjë që kishte tërhequr vëmendjen e prindërve. Të interesuar për të njohur shqetësimin e birit të tyre, ata kishin mësuar gjithçka kishte ndodhur mes tij dhe dy 13-vjeçarve. Të tronditur nga ajo që kishin dëgjuar, prindërit e fëmijës u ndalën në komisariatin e policisë për të bërë denoncimin. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit grupi hetimor, i cili, pasi mori në pyetje dy 13-vjeçarët, i la të lirë për shkak të moshës së tyre të vogël. Pritet që 11-vjeçari t’u nënshtrohet analizave mjekoligjore, të cilat do të ndihmojnë në hedhjen dritë mbi pretendimet e ngritura nga prindërit e 11-vjeçarit. Deri më tani në lidhje me ngjarjen në fjalë nga ana e drejtorisë së policisë në qarkun e Korçës nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar. Pritet që informacioni të jepet vetëm me zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe pas ekspertizës së mjekësisë ligjore. Rreth një muaj më parë një ngjarje e tillë la të shokuar banorët e fshatit Bitinckë në rrethit Devoll, ku një 16-vjeçar së bashku me një 19-vjeçar përdhunuan një fëmijë 12-vjeçar, të cilët u arrestuan menjëherë pas ngjarjes.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›