E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunat e Tiranës nën hetim për trojet

12/08/2011  Task-Forca verifikon pozicionin e kryekomunarëve dhe zyrtarëve të administratës, dyshime për abuzime

Rastet kur janë dënuar dhe marrë të pandehur zyrtarët e komunave. Lakmi e ndërtuesve në periferi

TIRANE- Kallëzimet e shumta të fshatarëve, pakënaqësitë e tyre ndaj drejtuesve vendorë si dhe shkeljet e konstatuara nga inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë bërë që njësia hetimore Task-Forcë të verë nën hetim 15 komuna të Tiranës. Periudha hetimore duket se zë fill që nga viti 2008 e deri më sot, kur disa kryetarë dhe ish-kryetarë janë marrë të pandehur dhe janë dërguar në gjykatën e Tiranës. Dispozitave penale nuk i kanë shpëtuar dhe kryekomunarët e tjerë apo punonjësit e administratës së 15 komunave të qarkut Tiranë, shumë prej të cilëve gjatë kësaj periudhe janë vënë nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës si dhe falsifikimit të dokumenteve. Nëpërmjet këtyre formave dyshohet se zyrtarët e komunave të kryeqytetit kanë tjetërsuar sipërfaqe të konsiderueshme toke për qëllime përfitimi. Pavarësisht se momentalisht për disa kryekomunarë janë pezulluar hetimet, burime pranë njësisë Task-Forcë sqarojnë se vazhdojnë të hetojnë topografë, punonjës hipoteke, biznesmenë, drejtues të zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, sekserë e persona të ndryshëm, që duke bashkëpunuar me individët që kanë drejtuar dhe drejtojnë komunat në Tiranë kanë mundur të tjetërsojnë dhe të zhvendosin sipërfaqe të mëdha toke në dëm të shtetit dhe të banorëve.

Kallëzimet

Hetimet për pjesën më të madhe të këtyre çështjeve kanë ardhur nga kallëzimet e qytetarëve si dhe nga raportet për shkelje që ka nxjerrë KLSH-ja. Mësohet se disa çështje që qëndronin të pluhurosura në prokurori, siç është ajo e komunës Ndroq, Kashar, Vaqar, janë rihapur dhe çështjet janë duke u hetuar paralelisht me denoncimet e qytetarëve dhe KLSH-ja. Nga veprimet hetimore ka dalë në dritë se komunat më problematike të Tiranësë janë Kashari, Dajti, Farka, Vaqari, Paskuqani, Peza, Bërzhita e të tjera.

Lakmia për ndërtim

Këto komuna janë shumë afër kryeqytetit dhe sipas organit të akuzës lakmia e biznesmenëve apo personave të ndryshëm është më e madhe për të ndërtuar pallate, qendra tregtare apo vila luksoze. Duke qenë në këtë pozicion të favorshëm, kryetarët e komunave, nëpunësit e tyre si dhe persona të tjerë kanë abuzuar për të aneksuar sipërfaqet e tokave, të cilat në këto komuna kapin vlerën financiare prej 100 mijë lekë të vjetra për metër katror. Nga veprimet hetimore që janë kryer lidhur me faktimin e abuzimeve në këto çështje, janë marrë nën hetim gjithsej 7 kryekomunarë dhe ish- kryekomunarë. Ndërkohë pritet që nën akuzë të vihen edhe nëpunës të tjerë të këtyre komunave, të cilët, duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumentet e pronësisë arrijnë të përlajnë sipërfaqet tokësore që janë të regjistruara në emër të shtetit dhe të fshatarëve të zonës.

Ish-komunari i Prezës abuzoi me 1 ha tokë

Veç komunave të përmendura nën hetim ndodhet edhe komuna e Prezës, ku ish-kryetari i saj Ramazan Garipi me anë të falsifikimit të dokumenteve ka tjetërsuar 1 ha tokë, që me dokumente i përket një shtetasi të fshatit Prezë. Momentalisht Garipi është marrë i pandehur dhe çështja në ngarkim të tij i ka kaluar gjykatës. Mirëpo sërish prokuroria ka veçuar aktet hetimore, duke vijuar hetimet për disa raste të tjera, ku dyshohet se është kryer abuzimi me trojet.

Ndërkaq shkeljet më të mëdha të hasura nga prokuroria e Tiranës, por dhe nga KLSH-ja, janë kryer në komunat Dajt, Kashar dhe Farkë, ku mendohet se dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit është me miliona euro. Mësohet se dy nga zyrtarët e komunës së Dajtit kanë regjistruar vendime të ish-Komisionit të Kthimit të Pronave Tiranë, në të cilat vërtetësia e pronës së pretenduar nga subjekti i shpronësuar nuk është mbështetur në dokumentin kadastral, që vërteton pronësinë para reformës agrare të vitit 1946. Ndërkohë për sa i përket komunës së Farkës, dy punonjës kanë përdorur një pikë karburanti pa leje ndërtimi, duke krijuar mbivendosje pronash. Po kështu ka rezultuar se pikërisht në fshatin Frakë janë regjistruar kalime të pronës nga njëri person në një tjetër.

Tabela

1. Ramazan Garipi i pandehur

2. Alfred Sulaj i dënuar

3. Faik Feiza i dënuar

4. Naim Karaj i dënuar

5. Fatime Goga nën hetim

6. Fatbardh Plaku nën hetim

Kujtim Qefalia nën hetim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›