E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy Partizanët me ture në Kamzë, evitohet përplasja

Shpresohet që FSHF të hyjë shpejt në veprim, që ti japë fund tragjikomedisë që po ndodh me Partizanin. Është sezoni i tretë me radhë që Partizani e nis me ekipe paralele

Nga ILIR CARA

Duke filluar nga fundjava e shkuar është konfirmuar ekzistenca e dy skuadrave, që kërkojnë të përfaqësojnë Partizanin në Kategorinë e Parë. Skuadra e ndërtuar nga aksionari Paro Laçi dhe që vijon stërvitjen prej një muaji ndodhet në kulimin e përgatitjeve, ndërsa ekipi i aksionarit tjetër Albert Xhani ka nisur në fundjavë dhe në prezantim ishin tetë lojtarë, që vijnë nga jashtë. E bukura ka qenë se të shtunën pasdite të dy grupet janë përgatitur nga Kodrat e Liqenit, ku nuk kanë munguar edhe batutat e ndërsjellta. Sot pritet ta marrë seriozisht edhe ekipi i Xhanit, i cili ka programuar që të përgatitet në kompleksin e Kamzës. Në këtë kompleks së fundi po përgatiten edhe të kuqtë e trajnerit Nikolin Çoçlli. Ndryshe nga e shtuna, ku dy skuadrat partizane përgatiteshin njëkohësisht, në Kamzë grupet do të përgatiten të ndara, ku paradite është planifikuar të stërvitet grupi i ndërtuar nga Xhani, ndërsa pasdite do të stërvitet ekipi i aksionarit Laçi. Shpresohet që FSHF të hyjë shpejt në veprim, që ti japë fund tragjikomedisë që po ndodh me Partizanin. Është sezoni i tretë me radhë që Partizani e nis me ekipe paralele. Mbase kjo javë që vjen do të japë ndonjë verdikt për Partizanin, ku edhe futbollistët ta kenë të qartë se çfarë duhet të bëjnë, pasi kanë mbetur në udhëkryq, kjo për faktin se njëri, ose të dyja skuadrat ( në rast se ministria krijon ekip të tijin), u bie që të shkrihen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›