Përforcimet e fundit e bëjnë optimist trajnerin e Gramshit
Nga Artan Paja
Trajneri i Gramshit, Etmond Mustafaraj, u shfaq mjaft optimist sa i takon ndërhyrjeve të ditëve të fundit në merkaton verore. Pozitive për trajnerin kanë rezultuar edhe dy ndeshjet e para miqësore, siç ishin ajo me Apoloninë dhe me Shkumbinin, ku respektivisht Gramshi i ka barazuar të dyja takimet. Ndërkohë, që tekniku ka zbardhur edhe emrat, që i janë bashkuar Gramshit për sezonin e ri, siç janë ajo e portierit Festim Miraka, Elton Basriu dhe mbrojtësi elbasans, Aldo Bella. Duket se lojtarët që do ti bashkohen ambicies gramshiote kanë firmosur paraprakisht përballë trajnerit Mustafaraj, për të vazhduar më pas edhe me dy emra të tjerë, të cilët për momentin nuk publikohen. ”Mendoj se nuk është më një tabu që Gramshi të mos synojë një vend ideal në katërshen e parë të renditjes. Por gjithçka varet nga korrektësia kolektive, e cila mbart shumë faktorë njëherësh, siç janë vet grupi i futbollistëve, ashtu edhe vet gjykimi që për fat të keq e ka dëmtuar skuadrën gramshiote. Gjithsesi, skuadra është drejt konturimit final, duke sjellë emra cilësorë, siç janë konkretisht portieri Miraka, mesfushori Basriu, si dhe mbrojtësi Bella. Të tre futbollistët mund të konsiderohen lojtarë profesionist, që mund të japin shumë për Gramshin. Kemi zhvilluar dy ndeshjet e para miqësore dhe kam pakënaqësitë e mija me lojën, pavarësisht se përballë kishim dy skuadra të superiores. Gjatë javës së ardhshme Gramshi do të vazhdojë testimet me qëllim që stafi drejtues të jetë më i qartë në vendimet që kanë lidhje me futbollistët që do të afrojmë për sezonin e ri,” – u shpreh për Sportin shqiptar, trajneri i Gramshit, Etmond Mustafaraj.
Naftëtari pret përforcime, mbrojtja dhe sulmi primare
Nga Arben Çepani
Stërvitja te Naftëtari vazhdon me intensitet të lartë. Të gjithë janë te përqendruar te faza përgatitore, ku serioziteti dhe përkushtimi është i dukshëm. Faza përgatitore ka filluar disi me vonesë, por gjithsesi në kampin kuçovar janë të bindur se skuadra do të bëjë një figurë të mirë në Kategorinë e Parë. Pjesëmarrja në javën e parë ka qenë e madhe, ku do të ketë dhe seleksionime. Etapa e parë e përgatitjeve, konsiderohet nga ana e stafit teknik, si faza seleksionuese, e cila do të përfundojë shumë shpejt. Në përgjithësi stafi teknik ka krijuar një ide për boshtin e ekipit, por gjithsesi duhen dhe disa përforcime, veçanërisht në repartin e mbrojtjes dhe të sulmit. Pas fazës seleksionuese do të fillojnë edhe ndeshjet miqësore, ku janë fiksuar dy të tilla, me fqinjët e Tomorit. Dy trajnerët e skuadrave, Sofokli Vasili i Naftëtarit dhe Kristaq Mile i Tomorit në një bisedë telefonike kanë rënë parimisht dakord për zhvillimin e dy ndeshjeve të tilla vajtje-ardhje pas javës së parë të muajit gusht. Por, sipas stafit teknik, do të ketë dhe ndeshje të tjera miqësore.
