Dinamo konfirmon 22 lojtarë, merkatoja mbetet e hapur
Zbardhet lista e futbollistëve që do të ketë në dispozicion trajneri Eduard Zhupa, por kjo nuk është lista përfundimtare, pasi do të ketë afrime të tjera
Nga ANDI TANKU
Dinamo duket se ka filluar të marrë formë dhe trajneri Zhupa ka nisur të organizojë skuadrën, me të cilën do të përfaqësohen blutë e kryeqytetit vitin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Pas punës disa ditore të kryer nga ana e teknikut dinamovit së bashku me stafin e tij për seleksionimin e lojtarëve që do të plotësonin organikën e ekipit, dje është bërë zyrtare edhe lista me emrat e atyre që do të veshin fanellën e Dinamos për sezonin 2012-2013. Megjithatë, mësohet se kjo nuk është lista përfundimtare, pasi siç bëhet me dije nga burime sigurta brenda klubit, ka edhe të tjerë, por që po vazhdojnë të seleksionohen. Kjo është një iniciativë e re e trajnerit Zhupa, i cili po punon me seriozitetin që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij si trajner. Ai së bashku me stafin e tij kërkojnë që ti marrin maksimumin përpjekjeve të tyre gjatë periudhës në të cilën po merren me përzgjedhjen e elementëve me perspektivë, prandaj vëzhgimi dhe trajnimi i lojtarëve që mund të bëhen pjesë e Dinamos në të ardhmen do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera. Tekniku i bluve të kryeqytetit beson te kjo skuadër dhe ky optimizëm mund ti shërbejë grupit të lojtarëve për ta reflektuar një gjë të tillë edhe në takimet e kampionatit të ri që starton më 1 shtator dhe pse jo të arrijnë të plotësojnë objektivin që kanë për tu ngjitur në Superligë. Megjithatë, për të arritur deri atje, drejtuesit dinamovitë kanë menduar të afrojnë edhe emra të tjerë lojtarësh cilësorë gjatë kësaj merkato vere. Kjo gjë mund të ndodhë pas datës 10 gusht, kur Dinamo të udhëtojë drejt qytetit të Strugës për të kryer edhe fazën përgatitore. Ajo çka mësohet nga informacionet e tjera që vijnë nga klubi dinamovit, duket se stafi teknik i skuadrës do të vëzhgojë gjatë periudhës 15 ditore që do të qëndrojnë në shtetin fqinj të Maqedonisë, edhe të tjerë lojtarë, të cilët mund të jenë të domosdoshëm për të përforcuar organikën e bluve të kryeqytetit. Mendohet se lufta sportive këtë vit në Kategorinë e Parë do të jetë e ashpër dhe me mjaft konkurrencë, për vetë emrat e skuadrave që janë pjesëmarrëse dhe duke parë situatën, për të arritur ngjitjen e Dinamos atje ku i takon duhet të krijohet një ekip kompetitiv dhe me lojtarë të aftë për të përballuar presionin e takimeve që ata do të zhvillojnë që pas 1 shtatorit. Pritet që në ditët në vazhdim të ketë të reja të tjera nga kampi blu, të cilët po vazhdojnë stërvitjen në kompleksin stërvitor në Kamëz. Por ajo që ka rëndësi për të gjithë tifozët e Dinamos është se nëndetsja, prej disa ditësh ka ndezur motorët dhe rruga për tu ngjitur në sipërfaqe tashmë ka nisur.
Të konfirmuarit në ekipin e Dinamos
Portier: Mustafa
Mbrojtës: Traga, Likmeta, Njebza, Luzhi, Sulejmani, Halili, Jazexhi, Turtulli, Liçaj, Kule
Mesfushor: Seriani, Bilibashi, Arapi, Canka, Muça, Xhelili, Omeri
Sulmues: Gjoka, Xhani, Rakipi, Ferraj
