E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisin, pranga kushërinjve

 TIRANE - Dy të rinj, djem xhaxhallarësh, janë arrestuar mëngjesin e djeshëm, pasi kanë sulmuar një 50-vjeçar në rrugë për ta grabitur. Sipas një njoftimi për shtyp nga Policia e Tiranës, mësohet se janë arrestuar Altin dhe Fatmir Rexha, 28 dhe 29-vjeçare, me akuzën e “vjedhjes me dhunë”. Kushërinjtë akuzohen se gjatë orëve të vona të së enjtes, i kanë zënë pritë një 50-vjeçari në Babrru, i cili kthehej nga puna për në shtëpi, me qëllim për t’i vjedhur paratë. Pasi e kanë pritur deri sa është futur në një rrugicë pa ndriçim, dy të rinjtë e kanë sulmuar, duke e goditur me grushte dhe sende të forta e më pas i kanë vjedhur me dhunë të gjitha paratë që kishte me vete dhe dy telefona celularë. Ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe 50-vjeçari menjëherë i është drejtuar patrullës më të afërt të policisë, duke denoncuar ngjarjen. Burime nga policia thanë se pas sinjalizimit, efektivat e Komisariatit nr.5 janë vënë në ndjekje të kushërinjve, Altin dhe Fatmir Rexha, të cilët brenda pak minutash janë ndaluar dhe janë arrestuar me akuzën e “vjedhjes me dhunë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›