E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy aksidente në Burrel e Librazhd, një i vdekur, gjashtë të plagosur

BURREL/ LIBRAZHD- Dy aksidente të rënda kanë ndodhur pasditen e sotme në Burrel e Librazhd, me një bilanc prej 6 të plagosurish dhe një të vdekur. Tre persona u plagosën rreth orës 15:00, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve në aksin rrugor Burrel-Klos.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se të plagosur në këtë aksident kanë mbetur Devis Kola, 19 vjeç, i cili është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Astrit Aliaj 40-vjeç si dhe Astrit Dedja, të cilët ndodhen në spitalin e Burrelit, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Burrelit ndërkohë ka nisur hetimet në vendngjarje, ndërsa paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara me të cilën udhëtonin automjetet e përfshira në aksident.

Ndërkohë, rreth orës 19:00 një tjetër aksident ka ndodhur në Librazhd, ku një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë, si pasojë e përplasjes së dy makinave, me targa TR1143J dhe AA729XD. 

Mësohet së të plagosur kanë mbetur Kostanca Kapurani, e cila drejtonte mjetin me targa AA729CX, dhe Dorian Faqolli, i cili është dërguar në spitalin ushtarak në Tiranë. Ndërkohë ende nuk dihet identiteti i viktimës dhe njërit prej të plagosurve që udhëtonin në mjetin me targa TR1143J. 

Ndërkohë policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›