E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për pronën, shtyp me makinë italianin

 

FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

Përplas me makinë pronarin italian pas konfliktit për tokën. Ngjarja ndodhi në oborrin e një fabrike të prodhimit të veshjeve, në pronësi të 70-vjeçarit Tiberio Puntiniani mëngjesin e djeshëm. Policia bëri të ditur emrin e autorit, Bardhyl Peta, duke e arrestuar atë në orët e mbrëmjes, ndërsa italiani ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Konflikti mes Petës dhe sipërmarrësit të huaj ishte evidentuar që prej 2 vitesh, kohë kur italiani kishte fituar të drejtën për të shfrytëzuar godinën në pronësi të ish-ndërmarrjes së grumbullimit në Fushë-Krujës. Gjatë shitjes në një ankand, sipas policisë, Puntiniani kishte blerë pronën nga shteti e për rrjedhojë dhe tokën mbi të cilën ndodhej godina. Menjëherë pas kësaj ai kishte ngritur fabrikën për të qepur veshmbathje, duke punësuar rreth 40 punëtorë. Prej momentit të marrjes në shfrytëzim të godinës mësohet se Peta kishte nisur mosmarrëveshjet me pronarin. Ai e kërcënonte herë pas here, me qëllim të braktiste pronën e të largohej prej andej, duke argumentuar se ishte ngritur në tokën e tij. Refuzimi i herëpashershëm i Puntinianit, dje i ka rrezikuar jetën atij. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fushë–Krujës ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30 të mëngjesit, ndërsa dëshmitar ishte jo vetëm djali i pronarit, por dhe punëtorët e fabrikës. Si zakonisht, edhe dje Bardhyl Peta i është afruar me makinën e tij godinës. Aty ka takuar sipërmarrësin e huaj, duke i kujtuar dhe një herë pretendimet e tij se objekti i ish-ndërmarrjes së grumbullimit ishte ndërtuar në tokën e tij. Nga dëshmitarët është pohuar se bashkë me Bardhyl Petën, në makinë ndodhej dhe i ati i tij. Pas kundërshtimit të italianit, 30-vjeçari Peta është ngjitur në makinën e tij, e ka ndezur dhe me shpejtësi e ka drejtuar timonin për nga i moshuari. Italiani është gjetur i papërgatitur nga veprimi i Petës. Goditja e fortë e ka rrëzuar përtokë 70-vjeçarin. Duke menduar se ai kishte ndërruar jetë, Peta është larguar me shpejtësi. Pas aksidentit policia e Fushë–Krujës ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por pa mundur dot që të bëjë të mundur ndalimin e Bardhyl Petës. Në gjendje të rëndë është gjetur Puntiniani, të cilin e kanë transportuar me shpejtësi drejt Spitalit Ushtarak.
Mësohet se familja Peta kishte prej fillimit të viteve ’90, që pretendonte pronësinë për tokën ku ndodhej ish-ndërmarrja e grumbullimit. Shteti e ka nxjerrë në ankand vite më parë, duke ia lënë atë në shfrytëzim sipërmarrësit të huaj, i cili e kishte shndërruar në një aktivitet privat. Duke mos pasur asnjë mbështetje zyrtare për pronën dhe pasi kërcënimet nuk e kanë zgjidhur çështjen, Bardhyl Peta ndërmori dhe veprimin ekstrem. Mbrëmjen e djeshme, policia e Mamurrasit arrestoi Petën për aksidentin që rrezikoi jetën. Policia mori në pyetje dëshmitarët e ngjarjes së rëndë, të cilët kanë konfirmuar rrethanat në të cilat u zhvillua ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›