E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy aksidente rrugore shkaktojnë dy të vdekur

TEPELENË-LEZHË - Ende pa u shuar jehona e 3 aksidenteve të dy ditëve më parë, që sollën 7 të plagosur, dje janë regjistruar edhe dy aksidente tragjike, ku humbën jetën dy persona. Aksidenti i parë është shënuar në Tepelenë, në vendin e quajtur Gurorja e Vasiarit, ku sipas policisë së këtij qyteti mësohet se rreth orës 11:50 janë telefonuar se kanë parë një makinë të kthyer përmbys. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Tepelenë si dhe grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër. Ata kanë konstatuar se në vendin e quajtur Gurorja e Vasiarit, në Mogila, në aksin rrugor Tepelenë – Ballsh, në një kthesë të padukshme, poshtë një ure, një automjet tip “Honda” me targa YAB 77 56, me drejtues mjeti Paulin Gjergjin, 41 vjeç, lindur dhe banues në Mirditë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura duke u përmbysur poshtë saj. Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga ka gjetur vdekjen drejtuesi i automjetit, i cili udhëtonte i vetëm në këtë automjet nga Athina për në Mirditë. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se shkaku i këtij aksidenti ka qenë pagjumësia dhe lodhja e tepërt, dhe për këtë drejtuesin e automjetit e ka zënë gjumi dhe ka dalë nga rruga. Nga verifikimet që u kryen rezultoi se kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të datës 25.12.2009, por duke qenë se automjeti kishte rënë poshtë urës dhe pamja ishte e kufizuar për t'u identifikuar nga drejtuesit e tjerë të automjeteve apo dhe nga policia, zbulimi i saj u bë vetëm 11 orë më pas nga një qytetar, i cili ishte roje në guroren në afërsi ku ka ndodhur kjo ngjarje.
Vetëm disa orë më vonë, në fshatin Zejman të Lezhës, një tjetër person ka gjetur vdekjen si pasojë e daljes së makinës nga rruga dhe përfundimit të saj në kanal. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë njoftuar policisë lidhur me këtë aksident. Burime nga policia thanë se në automjet është gjetur i vdekur drejtuesi i saj, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Sipas policisë, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën udhëtonte makina. Dy ditë më parë, në të njëjtin aks rrugor, 5 makina u përplasëm me njëra-tjetrën duke shkaktuar 4 të plagosur.

5-vjeçarja e sëmurë nga leucemia, nëna kërkon një vizë

TIRANË - Megi, 5 vjeç, prej katër muajsh gjendet e shtruar në spital pasi vuan nga leucemia. Gjatë ditës së djeshme, organizata të ndryshme kanë vizituar spitalin e fëmijëve duke u dhuruar pak çaste gëzim këtyre të fëmijëve. Por nëna e vajzës 5-vjeçare, përveç dhuratave të përvitshme, kërkon nga ana e shtetit një vizë për të kuruar të bijën jashtë shtetit. Ajo shprehet se e vetmja gjë që kërkon nga këto Krishtlindje është një vizë për në Itali, pasi atje mund të kurojë Megin 5-vjeçare, e cila prej disa muajsh dergjet në shtratin e Spitalit Pediatrik.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›