Lënë llambushkat e pemës së Viti të Ri ndezur, i merr flakë shtëpia
RRËSHEN - Llambushkat e Vitit të Ri i kanë kushtuar shtrenjtë Petrit Tarazhit, nga qyteti i Rrëshenit, i cili i kishte vendosur në pemën e Vitit të Ri brenda në banesë, pa ditur se ato mund të shkaktonin djegien e banesës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se ndërsa kishte lënë gjatë natës ndezur llambushkat e pemës, rreth orës 01:00 të natës disa nga llapat kanë plasur e më pas, si rezultat i nxehjes, kanë djegur një pjesë të pemës duke i vënë më pas të gjithë banesës edhe zjarrin. Banesa e Tarazhit, sipas policisë, e cila ndodhej në afërsi të qendrës të qytetit të Rrëshenit, pranë kinemasë, është mbuluar nga flakët, duke i zënë Petrit Tarazhin së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët në dhomën e gjumit. Dy bashkëshortët, pasi kanë njderë zjarrin, të alarmuar kanë tentuar të dalin nga banesa bashkë me dy fëmijët e tyre. Por dalja nga dera e shtëpisë ka qenë e pamundur, dhe kjo ka bërë që ata të merrnin një litar nga fqinjët e tyre, të cilët janë alarmuar. Me ndihmën e litarit kanë arritur të zbresin nga ballkoni. Sipas njoftimit të policisë, e vetmja që u është nënshtruar vizitave mjekësore, ka qenë bashkëshortja e Petrit Tarazhit, e cila ka pasur probleme me frymëmarrjen. Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe ato të zjarrfikëseve, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe më pas kanë zbuluar dhe shkaqet e djegies së shtëpisë. Sipas tyre, shkaku i vetëm kanë qenë llambushkat e pemës së Vitit të Ri, të cilat, pas nxehjes kanë shkaktuar dhe zjarrin.
Luhatjet e motit, qytetarët, të shqetësuar
Pas reshjeve të shumta të borës dhe pas bllokimit të disa zonave malore këto ditë është vërejtur një rritje e papritur e temperaturave deri në 17 gradë. Sipas shërbimeve sinoptikane bëhet e ditur se këto dy javë moti do të jetë i tillë, me shi dhe temperatura nga 15-16 gradë celsius. Sipas disa mediave vizive, të cilat kanë intervistuar një numër të madh qytetarësh, këta të fundit janë shprehur të shqetësuar lidhur me këto luhatje të pakuptimta të temperaturave, duke sjellë në vëmendjen e tyre “ngrohjen globale”. Qytetarët shqiptarë e kuptojnë se këto luhatje janë të pazakonta dhe të dyshimta për të ardhmen e globit. Dikush thotë se duhen marrë masa më të forta për reduktimin e qarkullimit të automjeteve, dikush tjetër thotë se në dorë e ka qeveria, por edhe industria me lëshimin e gazrave dhe ndotjes. Këto fenomene nuk janë larg atyre që ndien e gjithë bota. Për këto luhatje temperaturash e kanë fjalën edhe shkencëtarët që argumentojnë se këto fenomene ndodhin për shkak të ngrohjes globale.
26 Dhjetor 2009