Dy botët muzikore takohen në Gjirokastër
Për të tretin vit, botët takohen në Gjirokastër. U zhvillua dje konferenca prezantuese e edicionit të tretë të Festivalit “Takimet Muzikore të dy Botëve”, i cili do të zhvillohet sërish në Gjirokastër, për të promovuar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Festivali do të mbahet në datat 5-6 në Gjirokastër, për të ardhur në datën 7 qershor në Tiranë. “Festivali u nis si një dëshirë për të promovuar artin dhe si mjet në këtë rast shërben muzika, që lidh vendet”, - tha organizatorja e festivalit, Ilda Mara. Sipas saj, në këtë edicion vjen kuarteti rus “Atrium”, e më tej koncerti i korit polifonik të konservatorit të Janinës, koncerti i kuartetit të Evropës Juglindore Celissimo (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Vojvodinë), koncerti i grupit polifonik Ergjeria (Shqipëri), pianistët Julia Amada Kruger nga SHBA dhe Viktor Buni nga Rusia, si dhe këngëtarja kosovare Alma Bektashi, e cila do të këndojë muzikë jazz si dhe disa këngë qytetare të së madhes Nexhmije Pagarusha. “Është pikërisht ky grupim artistësh që vjen duke sjellë përveç muzikës edhe atë frymë bashkëveprimi mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë”,- theksoi Mara. Ndërsa në datën 6 qershor do të zhvillohet tryeza e rrumbullakët me të rinj nga rajoni: “Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Evropën Juglindore”. Pjetër Guralumi i kuartetit të Evropës Juglindore “Celissimo” (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Vojvodinë), i pranishëm në konferencë pasi bëri një prezantim të grupit, vuri në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes në një eveniment të tillë muzikor, e aq më tepër në Gjirokastër, duke i dhënë jetë një qyteti të rëndësishëm historik, por fatkeqësisht si gjithë qytetet larg metropolit kanë një jetë të vakët artistike.