BB mirëpret Kosovën, guvernatorët votojnë pro
Kosova pas rreth tetë ditësh pret ftesën zyrtare të anëtarësimit në Bankën Botërore, pas suksesit të votimit të vendeve përfaqësuese gjatë mbrëmjes së djeshme. Kjo finalizon procesin e nisur rreth një vit më parë me aplikimit që zyrtarizohet me nga një votë nga ana e guvernatorëve të Bankës. Sipas mediave në Kosovë, kusht për anëtarësim në Bankën Botërore ishte edhe anëtarësimi paraprak në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Anëtarësimi në Bankën Botërore do të përfshijë edhe organizmat e tjerë që janë në Bankën Botërore, si Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar e të tjera. Ky hap e ndihmon shumë hapjen e mëtejme të rrugës së Kosovës për anëtarësim në të gjithë mekanizmat e rëndësishëm ndërkombëtarë. Një zyrtar i Bankës Botërore në Uashington ka deklaruar për RTK-në, se anëtarësimi i Kosovës ishte i parashikueshëm. Ai shtoi se një anëtar i ri në Bankën Botërore pranohet me shumicë votash nga ana e Guvernatorëve, ndërkaq fuqinë votuese me shumicë në Bankën Botërore, ashtu si edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, e kishin vendet perëndimore, shumica e të cilave edhe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. BB ofron ndihmë financiare dhe teknike vendeve në zhvillim dhe si mision të saj të deklaruar ka zvogëlimin e varfërisë dhe pritet të ketë një rol më të madh në mbështetjen e projekteve të ndryshme zhvillimore të Kosovës. Pak më parë Kosova pati sukses edhe në anëtarësimin në FMN.
“El Salvadori do të njohë Kosovën”
Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, tha se El Salvadori ka marrë vendim për njohjen e Republikës së Kosovës gjatë mbrëmjes së të martës. Sipas tij, formalitetet e njohjes do të kryhen gjatë javës, ku njohja do të kalojë përmes parlamentit të këtij vendi. Pacolli thotë se nota verbale e njohjes do të arrijë në Kosovë brenda javës. Pacolli ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Salvadorit, ku është takuar me zyrtarët e lartë të shtetit.
Kosova në grupin e tretë të korrupsionit
Organizata “Transparency International”, e cila mat nivelin e korrupsionit në vendet e ndryshme të botës, ka publikuar raportin “Barometri i Korrupsionit Global 2009”, ku partitë politike, shërbimi civil, parlamenti dhe drejtësia mbeten sektorët më të korruptuar në 69 vende. Kosova është radhitur në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni (kryesisht në drejtësi dhe politikë), duke marrë notën 3,4.