Drejtori i UNESCO-s, “Qytetar Nderi” në Berat
Berat- Për kontributin e tij në pranimin e Qendrës Historike të Beratit, në listën e Trashëgimisë Botërore, bashkia e këtij qyteti i ka dorëzuar titullin “Qytetar Nderi”, drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s, Koicio Matsuura. Kreu i UNESCO-s, zhvilloi dje një vizitë në qytetin e Beratit, për të parë nga afër vlerat e qytetit, i cili tashmë nuk është vetëm pasuri e shqiptarëve, por e gjithë botës, me këtë rast, bashkia e Beratit, organizoi një ceremoni të thjeshtë, gjatë të cilës, i dorëzuan edhe titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në njohjen, promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë Kulturore e Historike të qytetit Beratit dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë për regjistrimin e Beratit si Pasuri Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s”. Në këtë ceremoni, veç kryetarit të Bashkisë, Fadil Nasufi, merrte pjesë edhe zv/kryeministri Genc Pollo, të cilët ofruan një ekspoze të së gjithë ndërhyrjeve dhe projekteve që janë realizuar në Berat dhe që mendohen të zhvillohen në të ardhmen. Nga ana e tij, z. Matsuura, shprehu falënderimin e tij për nderin që po i bëhej. “Jam shumë i lumtur që ndodhem sot në qytetin, që natyra e ka krijuar me të gjitha bukuritë e saj. Berati është një nga perlat e kulturës botërore dhe si e tillë ai duhet të ruhet”, - tha drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, duke shtuar se pushteti qendror dhe ai lokal, duhet të bëjë më tepër për ruajtjen e këtyre vlerave të mbarë njerëzimit. D. Xh.