E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy botime dokumentare, nga Paskal Milo

Ditët e vështira të historisë së Kosovës vijnë pranë lexuesit shqiptar nëpërmjet dy librave më të rinj të historianit dhe politikanit Paskal Milo. Ditari i një ministri të jashtëm dhe Kosova nga Rambuje në Pavarësi, janë librat që u prezantuan dje para politikanëve, miqve dhe figurave të politikës dhe historisë së Kosovës. Presidenti i shtëpisë botuese "Toena", Fatmir Toçi, u shpreh se këto dy libra vijnë në një kohë të rëndësishme, 10 vjet pas luftës për pavarësi të Kosovës dhe 1 vit pas pavarësisë së saj. "Duke lexuar një ditar të shkruar nga një historian, që di  të shkruajë bukur, do të gjeni në të shënimet e kohës, dhe jo vetëm shënime që përcaktojnë rolin e faktorët që ndikuan në zgjidhjen e krizës, por do të gjeni aty dhe analiza të hollësishme të një politikani, historiani dhe diplomati", theksoi Toçi. Autori i këtyre botimeve të reja, historiani dhe politikani Paskal Milo, u shpreh se në libra ishte ajo që ai kishte dëgjuar dhe evidentuar gjatë kohës kur ai merrte pjesë në vendimmarrje. Nëpërmjet këtyre librave nuk pretendoj të bëj historinë e Kosovës për këto vite, as nuk pretendoj që t`i kem thënë të gjitha dhe t`i kem ezauruar, por ajo çka kam sjellë është ajo që kam evidentuar, dëgjuar, apo vendime ku kam qenë i pranishëm dhe pjesë e vendimmarrjes. Ky ditar synon të hedhë dritë për kontributin e madh që ka dhënë Shqipëria dhe institucionet shqiptare për zgjidhjen e krizës në Kosovë, cilësoi ndër të tjera Milo. Për ish- presidentin e Shqipërisë të asaj periudhe, Rexhep Mejdani, këto libra tregojnë sesi diplomacia e një vendi aq të vogël mori vlera aq të mëdha gjatë krizës së Kosovës. "Këto botime i sjellin lexuesit dhe opinionit publik detaje të atyre ngjarjeve, ndjesi personale, ashtu siç kanë qenë të shkruara në ato radhë shënimesh, edhe pse shumë gjëra sot mund të lexohen ndryshe, më qetë dhe pa emocionet e atyre ditëve historike, u shpreh ai. Ditari i një ministri të jashtëm, është një libër memorial-dokumentar i rëndësishëm, që vjen në kohën e duhur, në 10-vjetorin e Konferencës së Rambujesë, që hodhi themelet për zgjidhjen e të ardhmes së Kosovës dhe përvjetorit të parë të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si rrjedhojë e kësaj konference. Autori i librit, historiani, diplomati dhe politikani i njohur Paskal Milo, ka qenë ministër i Jashtëm i Shqipërisë në vitet 1997-2001, në momentet nga më të rëndësishmet dhe më të vështirat të historisë së kohës së sotme për vendin dhe botën shqiptare në Rajon, që njihen tashmë në historigrafi dhe media si vitet e Konfliktit në Kosovë. Konçiz dhe i drejtpërdrejtë, i përpiktë, shkruar këndshëm dhe me ngjyra letrare Ditari i Milos, i hedhur në letër në momentet kur kanë ndodhur ngjarjet dhe i botuar me besnikëri sipas shënimeve të asaj kohe, është një kontribut i vyer për të kuptuar atmosferën kur u zhvilluan ngjarjet dhe ku vepruan aktorët kryesorë të këtyre viteve, personalitetet më të njohur të botës shqiptare dhe ata ndërkombëtarë. Libri Kosova nga Rambuje në Pavarësi është historia e pavarësisë së Kosovës, edhe para Rambujesë, duke pasqyruar dhe analizuar përpjekjet e brezave të shqiptarëve që vuajtën e u martirizuan dhe vunë themelet e 17 shkurtit 2008. Paskal Milo pas vitit 1990 ka një veprimtari aktive shoqërore e politike. Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Asamblesë së Qytetarëve të Helsinkit (1993-1997), anëtar në disa borde e komisione rajonale për paqe e mirëkuptim ballkanik. Është kryetar i Partisë Demokracia Sociale e Shqipërisë. Është dekoruar me urdhra, medalje e çmime të ndryshme brenda e jashtë vendit. Është autor i disa librave politikë dhe historikë, i monografive, i botimeve shkollore dhe universitare, i shumë artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është pjesëmarrës me referate e kumtesa në kongrese, konferenca, simpoziume e seminare kombëtare e ndërkombëtare.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›