E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy dashuri

Ai veshi këmishën e saj të preferuar
dhe u pa në pasqyrë. Pak
më tej Lotte po kujdesej për
shtratin ku ndihej ende aroma e
një mbrëmjeje pasioni. Ai e dinte
se ajo donte vetëm një përqafim. Ashtu si
atëherë, kur e gjeti duke prekur fshehurazi
një këmishë të tij… Sytë e mëdhenj të Lotte
tashmë ishin romani më i trishtuar, që ai
kurrë nuk do të mund ta shkruante. Ai u
shtri i pari në shtrat, duke hapur krahët,
ku ajo vendosi kokën përgjithmonë… Këto
janë orët e fundit të dashurisë së Stefan
Cvajg dhe Lotte Charlotte. Shumë biografë
janë munduar të gjejnë arsyet pse Lotte
zgjodhi këtë fund. Por ashtu si Cvajg
shkruan "ca gjëra thjesht ndodhin,
ndaj thjesht pranoi ato". Dhe
për Lotte ky ishte një fund i
bukur… Në mëngjesin e 23
shkurtit në "Rua Goncalver
Dias 34" në Petropolis
dera e dhomës së gjumit
qëndroi e mbyllur deri
pak para pasdites. Më
në fund personeli i
shtëpisë u shqetësua
dhe alarmoi
policinë dhe e hapi
derën menjëherë.
"Zyrtarët gjetën një
burrë të shtrirë në
kurriz, të veshur
plotësisht me një
kostum sportiv. Me
këmishën ngjyrë
kafe gështenjë, kravatë
të zezë dhe me
kilota ngjyrë të zezë
në kafe". Zonja, shënuan
ata, kishte veshur
një bluzë me lule, krahu i saj
i majtë rrokte gjoksin e tij". Ky
i vdekur ishte shkrimtari Stefan
Cvajg me prejardhje austriake.
Para pak muajsh ishte bërë nënshtetas
anglez e po atë ditë kishte mbushur
60 vjeç. E vdekura ishte bashkëshortja e
tij 30-vjeçare, Elisabetë Charlotte. Mbi
skrivaninë jashtëzakonisht të rregullt
ishin vendosur letrat e lamtumirës
me pullat e ngjitura, lapsat ishin
mprehur, librave të marra hua u
kishte vënë nga një shënim. Mbi
skrivani u gjet dhe një letër drejtuar
kryetarit të Bashkisë së qytetit të
Petropolisit. "Pas gjashtëdhjetë vitesh
nevojiten forca të veçanta për
të filluar edhe njëherë nga e para.
Kurse forcat e mia janë dërrmuar
nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër
botë. Kështu që më duket e drejtë
ta mbyll në kohën e duhur dhe me
një qëndrim të drejtë në jetë, për të
cilin puna shpirtërore ka qenë gjithnjë
gëzimi më i kulluar dhe liria
personale, mirësia më e madhe e
kësaj toke", i shkruante ai, ndër të
tjera. Vetëvrasja e Cvajgut bëri bujë
të madhe. Opinioni ndërkombëtar
ishte tronditur nga hapi i papritur i shkrimtarit
të famshëm botëror. Po pse ishte
ndarë nga jeta burri i siguruar materialisht
dhe i suksesshëm në fushën e letrave?
Mos vallë ngase nuk mund ta përballonte
shkatërrimin e Evropës, katastrofën e atdheut
të vet, Austrisë, humbjen e lexuesve
të gjuhës së tij gjermane? Mos i frikësohej
plakjes që po i afrohej? Vetë Cvajg shprehej
shpesh se "gjendjet e tij depresive nuk janë
aspak reale".
Por si erdhi Lotte në jetën e Cvajgut?
Vajza me flokët nën qafën e hollë hyri në
familjen Cvajg si një kandidate e mirë për
sekretare. Friderike (ish-gruaja e Cvajgut)
i pëlqeu sjellja e saj, ndaj vendosi se ajo do
të ishte një sekretare e mirë për të shoqin.
"Ajo erdhi në jetën time në një kohë kur
nuk besoja më në dashuri. Hapat e saj të
lehtë, gishtërinjtë e hollë që shkruanin në
makinën e shkrimit, filluan të zgjonin tek
unë një pasion të fjetur", do të shkruante ai
më vonë. Ndryshe nga Friderike, ajo ishte e
dhënë krejtësisht pas Cvajgut. Për të Lotte
ishte një tip rinor, jashtëzakonisht e matur,
melankolike dhe serioze, pa iniciativë dhe
e druajtur. Lotte mendohet të jetë femra që
e ka frymëzuar Cvajgun për personazhin
e romanit "Padurimi i zemrës", ku një
dashnor i pavullnetshëm lëkundet mes
keqardhjes e prapësimit dhe nëpërmjet
pavendosmërisë së tij bëhet bashkëfajtor
për vetëvrasjen e të sëmurës së re. Ndoshta
ishin ndjenja krejtësisht të tjera nga ato të
keqardhjes dhe aq më pak të prapësimit
që e frymëzuan Cvajgun t‘i shkruante
sekretares së tij një letër, ku e kërkonte për
grua, letër që e shkroi në bordin e tragetit
Folkestone-Bologne: "Nuk është aq e lehtë
sa ç‘e mendoni ju vajzë e re, të gjeni dikë,
që me kaq përkushtim i kupton, madje
i zbulon dëshirat; gjithnjë kam ndjesinë
e frikës sikur jam shumë i madh, shumë
jashtë kohës, për të shpresuar nga një e re
për pranim të mirëfilltë, ose ca më tepër
për të kërkuar diçka…". Për një kohë ata
jetuan së bashku, Cvajgu, Lotte dhe
Friderike. Kjo e fundit shkruan në
kujtimet e saj kohë më vonë,
se kur ishte kthyer njëherë
papritur në shtëpi, kishte
gjetur të shoqin dhe sekretaren
e tij 26-vjeçare
duke u përqafuar fort.
"Kurrë nuk kam parë
një qenie njerëzore
kaq të hutuar",
shkruan në kujtime
Friderike. Dhe
pse Cvajgu i kishte
premtuar se do ta
ndërpriste lidhjen
me Lotte, ai nuk e
bëri këtë gjë kurrë.
Ja si i shkruan ai më
vonë asaj: "Më mirë
të mos e hapim llogarinë,
se sa javë e muaj
kemi ndenjur bashkë
në këtë apo atë vit. Më
mirë të mos ndërmarrësh
asgjë kundër vendosmërisë
sime për të mbrojtur punën e
lirinë time dhe zgjidhjen të ma
lësh mua në mënyrë paqësore".
Friderike e la të lirë, pasi e dinte se
ndryshe ai nuk mund të jetonte. "Liria
është jeta e këtij burri", shkruan ajo në
kujtime. Por ndërsa Lotte zgjodhi ta
ndiqte pas shkrimtarin deri në vdekje,
Friderike është një tjetër grua që
e deshi aq shumë atë. Friderike
Maria von Vinternitz ishte prej
disa vitesh e martuar me një burrë
qejfli dhe të shthurur, i cili kishte
pak interes për pasionin e saj për
letërsinë. Ajo kishte dy vajza të
vogla, Alix dhe Sussane. Vinte nga
një familje çifute që ishte kthyer
në fenë katolike. Gruaja e zgjuar
dhe energjike, që ishte përpjekur
dhe kishte arritur një farë suksesi
si shkrimtare, humbi në martesën
e saj ngacmimet shpirtërore dhe
përpiqej për pavarësinë e saj të
brendshme e të jashtme. Në një
mbrëmje lamtumire për aktorin
Alexandër Girardi në Rodaun,
kishte parë Stefan Cvajgun, natyrisht
vetëm nga larg. Në verën e
vitit 1912 ajo e takoi atë sërish në kopshtin
e restorantit "Riedhof". Në librin e kujtimeve
të saj ajo e përshkruan kështu këtë
takim: "Nuk ishte më një bohem njomëzak,
por një burrë i mbajtur mirë dhe i
pashëm, i mësuar siç dukej që t‘i thoshte
një femre me një vështrim atë çka fjalët e
bënin të kotë. S‘kishte asnjë gjurmë nga
melankolia". Në shtator Cvajgu i bëri një
vizitë Friderikes dhe i çoi një kopje të librit
"Përjetimi i parë", ku në faqen e parë i lë
një dedikim "Pasditeve te zonja Friderike…
një bisedë e mirë me një grua vërtet
të ndjeshme, e cila është më e brishta që
mund të përfytyrosh, por ka një energji të
çlirët, që e bën të madhe". Por, për të rënë
në krahët e Cvajgut, Friderike nuk do ta
kishte të lehtë. Ky burrë kaq i ndjeshëm, që
nuk e kishte problem të zgjohej në mëngjes
në shtrat me një femër që nuk e kishte parë
asnjëherë, nuk guxonte t‘ia thoshte gruas
me sytë e kaftë se e dashuronte. Megjithatë
zemra e gjen rrugën për në zemrën tjetër.
Dhe një ditë ishte Friderike ajo që u zgjua
në shtratin e tij… Por ky zgjim do të zgjaste
vetëm disa vjet, deri sa Cvajg të ndjente
hapat e një tjetër dashurie…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›