Tkurret PAD pas bashkimit Ceka-Berisha
Përçahet PAD pas bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 qershorit mes Neritan Cekës dhe Sali Berishës. Rikthimi i kreut të PAD-së në koalicion me të djathtën, ka acaruar një pjesë të kryesisë së Aleancës Demokratike, të cilët kanë deklaruar largimin nga strukturat e kësaj partie. Zydi Kroi, Xhevair Ahmetliu, Aziz Babaci, Xhemal Dauti, Lulzim Luli dhe Zoi Kote, nëpërmjet një deklarate për shtyp kanë dënuar dje veprimin e kreut të PAD-së, duke bërë publik largimin e tyre nga PAD-ja dhe kalimin në partitë e tjera të spektrit të majtë. Dy ditë më parë, kreu i PAD-së, Neritan Ceka, dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, kanë firmosur paktin e bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme. Ceka u shpreh se për koalicionin me PD-në ka marrë edhe miratimin e Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Aleanca Demokratike. Rikthimi i Cekës pas 17 vjetësh në krah të Partisë Demokratike erdhi pas divorcit me kampin e majtë, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të shkurtit 2007-të. Neritan Ceka bën pjesë në grupin e të parëve që guxuan të thonë mendimin ndryshe në Partinë Demokratike. Aktualisht, kryetar i PAD-së, Neritan Ceka është një ndër të parët që është përballur me largimin nga Partia Demokratike, për shkak të përplasjeve me kryetarin e kësaj partie. Në vjeshtë të 1992-shit, fillon edhe historia e largimeve nga kampi blu. Në listën e grupit të mocionistëve u renditën emra të spikatur të asaj kohe si: Neritan Ceka, Arben Imami, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Teodor Keko, Arben Demeti dhe Perikli Teta. Një pjesë e këtij grupi ka krijuar partinë që edhe sot mban të njëjtin emër, Aleanca Demokratike. Qëllimi i largimit të Neritan Cekës dhe grupit ishte mungesa e lirive brenda partisë, mospranimi i mendimit ndryshe dhe mungesa e konkurrencës së lirë.