Oketa në Vlorë dhe Berat për komandot
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, nis inspektimin në repartet ushtarake në rrethe. Pak javë para se Shqipëria të marrë ftesën për në NATO, ministri Oketa ka nisur një tur vizitash në Brigadën e Stërvitjes Bazë në Bunavi të Vlorës dhe në Batalionin e 3-të të Këmbësorisë në Poshnje në Berat. Sipas Oketës, Forcat e Armatosura kanë dhënë kontributin e tyre në procesin e anëtarësimit në NATO. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi nga Brigada e Stërvitjes Bazë në Bunavi të Vlorës, se "Forcat e Armatosura Shqiptare kanë dhënë kontributin e tyre në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO". Duke folur për kujdesin e treguar për pritjen dhe trajtimin e rekrutëve të rinj, ministri Oketa veksoi se "ajo që vlen të theksohet është që këtë vit ka pasur organizim tepër të mirë për sa i takon trajtimit shëndetësor të ushtarëve të rinj". Sipas tij, "shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka lëshuar një urdhër dhe ka nisur këtu një ekip mjekësor të Spitalit Ushtarak, ku të gjithë rekrutët i janë nënshtruar një kontrolli të plotë mjekësor". Ministri Oketa dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, ndoqën nga afër një orë stërvitje, që një kompani ushtarësh të rinjsh zhvillonin në poligonin e qitjes dhe u interesuan për përgatitjen dhe arritjet e shënuara deri tani nga trupa e rekrutëve. Pas përfundimit të inspektimit në Bunavi, ministri Oketa dhe gjeneral Malaj vijuan inspektimin në Batalionin e 3-të të Këmbësorisë në Poshnjë në Berat, strukturë në vartësi të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Pasi u takuan me ushtarët, nënoficerët dhe oficerët, ata ndoqën nga afër aktivitetet e tyre ushtarake, si dhe u interesuan për zgjidhjen e problemeve që hasin në procesin e zbatimit të detyrave.