E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e papritur, Si tii parandalojmë sëmundjet koronare të zemrës pa shkuar në infarkt

Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet e zemrës. Shifra e frikshme mësohet nga studimi i fundit që Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka kryer për përhapjen e sëmundjeve kardiovaskulare në vend. Sipas ISHP-së, vendi ynë vazhdon të regjistrojë shifra të larta vdekjesh nga sëmundjet kardiovaskulare, duke e renditur atë në vendin e parë të listës së vdekshmërisë në vend. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet kardiovaskulare, në një kohë që këto vdekje mund të parandalohen. Sipas një studimi të kryer nga ISHP-ja, gati gjysma e numrit të vdekjeve janë nga problemet e koronareve. Të gjithë ekspertët e Shëndetësisë, sot besojnë se sëmundjet koronare mund të parandalohen krejtësisht apo mund të shtohen në kohë, duke shmangur një numër të madh vdekjesh të parakohshme. Sipas tyre, një kontribut të rëndësishëm në uljen ose mbajtjen nën kontroll të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka edhe trajtimi i hershëm i faktorëve të rrezikut, të cilët janë: diabeti, pirja e duhanit, hipertensioni, hiperkolesterolemia, obeziteti, familjarët me sëmundje të zemrës. Në studim thuhet se sëmundjet koronare janë shumë më të larta në disa vende në krahasim me disa vende të tjera. Kështu në vendet në veri dhe në lindje të Europës si: Britania e Madhe, vendet skandinave, Polonia, Rusia kanë një prevalencë shumë më të lartë (deri në dy e më shumë herë më të lartë) sesa vende të tilla si: Franca, Italia, Spanja apo Greqia.
Sëmundjet koronare
Sëmundjet koronare, që përfshijnë problemet e arterieve që furnizojnë zemrën me gjak mund të shkaktojnë vdekje të papritur. Mundësia e vdekjes nga një sëmundje e tillë, pa shenja paralajmëruese, në fakt është e frikshme. Kardiologët thonë se kjo sëmundje godet papritur dhe prek rreth 50 për qind të burrave dhe 65 për qind të grave. Ajo shfaqet me një goditje të vogël në zemër, pa dhimbje, dhe kjo shpesh mund të jetë shenja e parë dhe e fundit. Sipas mjekëve kardiolog, goditjet pa dhimbje janë më të rrezikshme për zemrën. Studimet kanë treguar se ndonjëherë këto goditje pa dhimbje në zemër janë shpesh më të rrezikshme sesa ato me dhimbje të cilat mund të dallohen dhe trajtohen. Gjithashtu studimet evidentojnë për një shtim të rasteve të kësaj sëmundjeje edhe në vendet në zhvillim. Mjekët përllogarisin se pothuajse gjysma e atyre që provojnë një goditje të tillë në zemër nuk e dinë se e kanë pësuar atë. Kjo për arsye se zemra nuk ndjen dhimbje. Dhimbja që njerëzit ndjejnë gjatë një goditje të zakonshme në zemër ndodh kur fijet nervore të zemrës përplasen ose ndërthuren me fijet nervore të krahut, gjoksit ose shtyllës kurrizore. Pacientët në këto raste mund t’iu nënshtrohen analizave të stresit dhe skanimeve dhe mjekët madje mund të fusin kamera shumë të vogla nëpër arteriet e gjakut për të parë nëse në to është depozituar kolesterinë ose në se arteriet janë ngushtuar. Doktor Daniel Rader, i specializuar për sëmundjet kardiovaskulare thotë se këto analiza janë shumë të dobishme për parandalimin e bllokimit të arterieve, por megjithatë shumica e goditjeve në zemër, sidomos ato pa dhimbje, nuk ndodhim kështu. Në fakt ato ndodhin kur një pjesës e vogël gjaku i mpiksur a kolesterinë pëlcet ose fryhet menjëherë, njësoj si misrat kokoshkë. Ky shpërthim i menjëhershëm mund të shkaktojë brenda pak sekondash bllokimin e rrjedhës së gjakut në zemër. Rezultati është vdekja e papritur. Kjo është arsyeja që masat parandaluese janë të domosdoshme dhe Shoqata amerikane kundër sëmundjeve të zemrës rekomandon disa hapa të thjeshtë që janë: mospirje duhani, dietë të shëndetshme, mbajtja e peshës trupore, kolesterinës nën kontroll dhe të paktën 30 minuta ushtrime fizike në ditë edhe në qoftë se ato kryhen me ndërprerje brenda një intervali 10 minutash. Shumë amerikanë i kanë ndjekur këto udhëzime dhe gjatë 20 vjetëve të fundit numri i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës në Shtetet e Bashkuara është pakësuar 25 për qind.
Simptomat
Mbi 25 për qind të njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër, nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, “Nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi”. Për këtë arsye, parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët), të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja. Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit. Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbërë nga frutat dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjam dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë dhe shqemet, por në kokrra të plota. Kontrollimi i porcionit do të ndihmojë që të keni në dorë peshën tuaj. Kur të gatuani mos hidhni gjysmën e orizit në tenxhere, por duhet ta matni atë. Shmangni lëngjet e ftohta dhe ushqimet e kripura. Nëse mund të braktisni disa kafshime, keni krijuar barrierë ndërmjet jush edhe ushqimit.

Sëmundjet që sulmojnë më shpesh zemrën
Ataku
Ataku kardiak është sulmi që realizon ndalimin e zemrës, sidomos kur shfaqen simptomat e para dhe pacienti nuk i drejtohet spitalit kur ai ndjen shqetësimet më të para, të cilat vazhdojnë për më tepër se dhjetë minuta. Ataku i zemrës nuk është përherë i paparashikueshëm.
Miokarditis
Miokarditis është ndezje e përgjithshme e muskulit të zemrës, gjë që paraqitet si rezultat i sëmundjeve të tjera, ndonjë infeksion më i madh si gripi, reumatizmi i dhëmbëve, bajameve etj.
Infarkti
Infarkti është vdekje e një pjese të indit muskulor të zemrës. Kjo sëmundje paraqitet nga mbyllja e ndonjë dege të arterieve të cilat ushqejnë zemrën, gjatë kontraksionit (ngushtimit) momental të arterieve, ndonjë plasaritjeje e arterieve e përcjellë me gjakderdhje, gjatë streseve ose si pasojë e shtypjes së lartë.
Aritmia
Aritmia është rrahje e shpejtë dhe e ngadalshme e zemrës ose rrahje e përzier e ngadalësuar dhe e shpejtuar me kërcime dhe ndërprerje të rrahjeve. Kjo dukuri është pasojë e kontrollit të dizharmonizuar të ngacmimeve nervore të punës së zemrës, të cilat e kanë prejardhjen nga qendrat e sistemit nervor.
Arterioskleroza
Arterioskleroza është grumbullimi i lëndëve të yndyrshme dhe kripërat e kalciumit në brendi në muret e arterieve, kjo çon deri tek mbyllja e tyre dhe zvogëlimi i qarkullimit të gjakut me shumë pasoja si dhe zmadhimi i shtypjes së gjakut, e cila mund të shkaktohet edhe nga gjendjet nervore, streset etj.
Embolia
Embolia është mbyllja e ndonjë arterie të trurit, një lloj si infarkti i zemrës. Kjo shkakton dëmtimin e ndonjë qendre dhe me këtë rast paraqitet paraliza ose vdekja.

Faktorët problematikë
Konsumimi i alkoolit
Tensioni i gjakut
Pirja e duhanit
Niveli i sheqerit në gjak
Mbipesha
Mënyra e ushqyerjes
Niveli i stresit

Këshillat
Mos pini duhan
Mbani një dietë të shëndetshme
Mbani në kontroll peshën trupore
Mbani në kontroll nivelin e kolesterinës
Bëni të paktën 30 minuta ushtrime fizike në ditë

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›