E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy elektriçiste digjen pas një shpërthimi në Elbasan

Dy elektriçiste të nënstacionit elektrik 110 kilovolt në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, mbetën të djegura si pasojë e shpërthimit të zbarave, gjatë një qarku të shkurtër elektrik. Roza Bezhani 44 vjeçe dhe Alma Josifi 42 vjeçe kanë marrë djegie të rënda dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.30 të ditës së sotme, kur elektriçistet e turnit ishin duke kryer një inspektim të linjës. Sipas burimeve në vendngjarje, pikërisht në atë moment ka ndodhur dhe shpërthimi, i cili ka qenë mjaft i fortë. Dy punonjëset që ndodheshin në afërsi të zbarave, kanë pësuar djegie të rënda në të gjithë trupin, sidomos në pjesët e fytyrës. Nga shpërthimi i kabinës elektrike, edhe një punonjës i tretë, i quajtur Veli Sulovari ka pësuar demtime. Por, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasi kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin e Elbasanit të dëmtuarat janë nisur për një shërbim më të specializuar drejt Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›