E Diel, 1 Nëntor 2026

“Urgjent zgjidhja e problemit të trafikut, Rama po eksperimenton për kapital politik”

Kryeministri ofron bashkëpunim me bashkinë e Tiranës për sheshin “Skënderbej”

“Rindërtimi i sheshit Skënderbe kërkon bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë qendrore dhe autoriteteve vendore”.
Kështu është shprehur dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës të qeverisë, ndërsa i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të vendosë një takim me kryetarin e bashkisë së Tiranës për të diskutuar problemin e sheshit “Skënderbej”.
Duke kërkuar që sheshi të mos përdoret për kapital politik, Kryeministri u shpreh se shpresonte që bashkia t’i përgjigjej kërkesës për bashkëpunim të qeverisë.
Nga ana tjetër, ndërsa ka sjellë këtë çështje të rëndësishme në vëmendje të qeverisë dhe mediave, Kryeministri Berisha tha se shqyrtimi i kësaj çështjeje me autoritetet vendore është i domosdoshëm dhe kërkon një trajtim tepër serioz, për shkak të disa problemeve që dalin nga zbatimi i projektit për rindërtimin e sheshit Skënderbe.
Kryeministri identifikoi tre probleme kryesore, të cilat duhet të shtrohen për diskutim me autoritetet vendore të bashkisë së Tiranës.
Së pari, Kryeministri identifikoi si problem, trafikun, pasi projekti i ri, që përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht, trafiku, do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë;
“Zoti Rama bëri sot eksperimentin e parë, ndonëse e bëri në kundërshtim me këshillën e specialistëve më të mirë të qarkullimit rrugor dhe u krijua një bllokim i përgjithshëm. Sot, njerëzit mbetën kohë të tëra në trafik. Mijëra vogëlushëve iu shtuan rrahjet e zemrës, pasi nuk po arrinin dot në shkollë për mësimin, punonjësit nuk po arrin në punë. U krijua një katrahurë e vërtetë e paparashikueshme për çdo njeri, që kërkon të ndalet dhe të arsyetojë, qoftë edhe në minimum. Ideja se trafiku do të zgjidhet me unazën, sipas asaj që thotë zoti Rama, është absurde. Me një by pass, me dy korsi, nuk bën gjë tjetër, veçse krijon grykën e shishes në trafik, nga e cila nuk dilet dot. Ndërkohë që studimi ka qenë me 5 korsi. Pa diskutim, që trafiku zgjidhet me një sistem unazash, por jo me unaza fiktive, përkundrazi me unaza që ekzistojnë, që duhet t’i ndërtosh”, shpjegoi Berisha problemin e parë sipas tij.
Për Kryeministrin, problemi i dytë mbetet problemi i ligjshmërisë, pasi sheshi “Skënderbej” trajtohet si ansambël i trashëgimisë kulturore dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore ka paraqitur disa vërejtje serioze në lidhje me projektin e rindërtimit.
“Së dyti, problemi tjetër shumë i rëndësishëm që duhet të diskutoni me kryetarin e bashkisë është ai i ligjshmërisë. As Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe as Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës (KRRTRSH) nuk ka asnjë tendencë për të bllokuar rindërtimin e sheshit. Por përcaktimet e Institutit të Trashëgimisë Kulturore janë të detyrueshme për bashkinë, për qeverinë, për KRRTRSH-në. Për derisa vetë zoti Rama ka hartuar vendimin dhe ka bërë mirë, të trajtimit të sheshit si një ansambël të trashëgimisë kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në çdo vend të botës, zëri më kryesor është ai i Institutit të Trashëgimisë Kulturore apo entit të trashëgimisë kulturore”, vijoi më tej Kryeministri.
Problemi i tretë për Kryeministrin është ndërmarrja e një diskutimi të gjerë me qarqet e specializuara, katedrat e universiteteve, me qytetarë, analistë, në interesin më të mirë të planit dhe projektit.
“çështja e tretë që do të diskutohet së bashku me autoritetet vendore është ndërmarrja e një diskutimi të gjerë. Bërja e një diskutimi të gjerë me qarqet e specializuara, katedrat e universiteteve, me qytetarët, me analistët është në interesin më të mirë të planit dhe projektit. Askush nuk duhet të ketë frikë nga diskutimi”, vijoi Kryeministri.
Në këtë pikë, Kryeministri ngriti shqetësimin e paqartësisë së vendndodhjes së monumentit të heroit kombëtar, Skënderbeut.
“Së fundi, dua të ndalem edhe tek çështja e monumentit të Skënderbeut. Nuk më duket e drejtë që ne të heqim nga sheshi qendror monumentin e heroit kombëtar. Skënderbeu është realiteti më i madh historik dhe shpirtëror i shqiptarëve, është personaliteti më i shquar i tyre. Shqiptarët nuk përjetojnë asgjë më shumë nga historia e tyre, sesa me nderimin e tij, aq sa shpesh flasin me një pasion të tillë, sikur ai të ketë qenë prijësi i tyre 30 apo 50 vjet më parë. Sheshi sigurisht do të mbajë emrin e tij, pasi është e domosdoshme që emri i Skënderbeut të shqiptohet mijëra apo edhe miliona herë në ditë, sa herë qytetarët t’i referohen sheshit. Nuk mund të them se ku, në konstruksionin e ri, duhet të përcaktohet vendi për monumentin e tij. Ne lobojmë në kryeqytetet apo qytetet e botës për të vendosur monumentin e tij. Shqiptarët kudo e kanë atë çështje të parë me autoritetet, por tani nuk mund ta vendosim nën hije e ta nxjerrim sikur nuk ishte i yni. Skënderbeu është figura qendrore e historisë sonë kombëtare, që më shumë se kushdo tjetër, më shumë së çdo gjë tjetër, përveç gjuhës, ka ruajtur dhe mbrujtur identitetin kombëtar të shqiptarëve”, shtoi më tej Berisha.
“Sheshin duhet ta shndërrojmë në një gjë shumë të veçantë për qytetarët e Tiranës dhe t’u dëshmojmë atyre se për sheshin nuk kursejmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën”, u shpreh më tej Kryeministri, duke bërë të ditur gjithashtu, se pas kërkesës së tij, gjatë vizitës në Kuvajt, Emiri i Kuvajtit ka vendosur që në formë dhurate të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbe”, nga 5 në 10 milion euro.
“Gjatë vizitës sime në Kuvajt, unë kërkova shtimin e ndihmës për sheshin dhe sot në mëngjes kam pritur të dërguarin e Emirit të Kuvajtit, i cili më informoi se Emiri i Kuvajtit ka vendosur që në formë dhurate të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbe”, për të cilin do jenë disponibël jo 5 milion, por 10 milion euro. Ky është një gjest bujar, për të cilin qytetarët e Tiranës dhe qeveria do t’i jenë shumë mirënjohës Lartësisë së tij, Emirit të Kuvajtit dhe qeverisë së tij”, u shpreh për këtë argument Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›