Dy fëmijë jordanezë, "atentat" ambasadorit italian
Ambasadori italian në Shqipëri, ndoshta asnjëherë nuk i kishte shkuar në mendje se dy fëmijë do ta tmerronin aq shumë, dy net më parë duke i bërë pa dashje një "atentat" që alarmoi policinë dhe forcat e sigurisë së ambasadës. Protagonistë të incidentit që për fat përfundoi pa pasoja janë fëmijët e një jordanezi, i cili jeton në Shqipëri. Por, "atentati" i tyre, që sigurisht ka ardhur nga një pakujdesi, ka alarmuar jo vetëm njerëzit e sigurisë së ambasadës, por edhe policinë, që menjëherë ka bërë izolimin e vendngjarjes për ta dokumentuar plotësisht. Bëhet fjalë për një incident të ndodhur dy net më parë pranë rezidencës së Ambasadës Italiane në Tiranë, që ndodhet te Rruga e Elbasanit. Sipas policisë kryeqytetase, ambasadori Saba D‘Elia, sapo kishte dalë nga lokali "Big Bajd", që ndodhet pranë ndërtesës së rezidencës. Në atë kohë, ai ka qenë i shoqëruar edhe me persona të tjerë, kur një mjet i rëndë ka ardhur nga lartësia dhe ka plasur ngjitur me të. Fatmirësisht, objekti nuk e ka prekur, por ama e ka tmerruar. Menjëherë, shoqëruesit e tij janë alarmuar, duke mbrojtur ambasadorin, kur kanë vënë re se nga lartësia kishte ardhur një vazo lulesh. Ata momentalisht nuk kanë mundur të vërejnë asgjë të dyshimtë. Kështu kanë njoftuar policinë për këtë incident, duke dyshuar sado pak se objekti mund të jetë hedhur me qëllim. Menjëherë, shërbimet e uniformave blu kanë bërë krehjen e zonës, ku më në fund është gjetur banesa nga ku ishte hedhur vazoja me lule. Sipas policisë, saksia kishte rënë nga ballkoni i apartamentit të jordanezit Mamon Abidet. Ai nuk ka qenë në dijeni të këtij incidenti, por menjëherë ka pyetur fëmijët se çfarë kishte ndodhur. E kështu janë gjetur fajtorët. Fëmijët e tij, të moshës 7 dhe 5 vjeç, ishin "atentatorët" e ambasadorit. Ata treguan se kanë qenë duke luajtur në ballkon, kur nga pakujdesia kishte rënë vazoja me lule. Kjo e ka qetësuar ambasadorin dhe policinë, që më pas kanë nisur të bëjnë shaka me këtë fakt.