E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryegjykatësi italian njihet me "problemet" e Shqipërisë

Vizita e kryetarit të Gjykatës së Lartë italiane në Shqipëri është cilësuar historike nga anëtarët e Gjykatës së Lartë në Shqipëri, pasi për herë të parë gjykata vizitohet nga një kryegjykatës i vendit fqinj. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Vincenzo Carbone është takuar me homologen e tij shqiptare, Shpresa Beçaj, me kreun e shtetit, Bamir Topi, me kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe në fund me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Gjatë diskutimeve, anëtarët e Gjykatës së Lartë e kanë njohur Carbonen me funksionimin e sistemit të gjyqësorit në vendin tonë. Sipas Becajt por dhe Carbones, të dyja vendet ndajnë të njëjtat shqetësime në lidhje me rregullat juridike, etike dhe morale, të cilat duhet të vendosen dhe zbatohen më së miri nga të gjithë anëtarët e gjyqësorit në të dyja vendet, pasi edhe nëse në vende të ndryshme këto rregulla mund të jenë të ndryshme. Gjyqtarët italianë sollën pjesë nga eksperiencat e tyre të përditshme, duke parë interesimin e madh të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të vendit tonë. Shpallja e vendimeve, arsyetimi i tyre brenda afateve ligjore, botimet e vendimeve të përdorshme nga të gjithë të interesuarit, marrëdhëniet me median dhe publikun, organizimi dhe struktura e gjykatave respektive, ishin në qendër të diskutimeve të të dyja palëve. Kryetari i Gjykatës së Lartë në Itali, Vinçenzo Carbone, është pritur dje në një vizitë të veçantë nga Presidenti i Republikës. Duke nënvizuar rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor, Presidenti vlerësoi kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare. Por dje, kryegjykatësi italian është pritur nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja shqiptare tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë karakterizuar gjithmonë nga një frymë e fortë miqësie. Carbone u takua edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e njohjes së praktikës dhe jurisprudencës së Gjykatës së Kasacionit të Italisë, veçanërisht për çështje në të cilat janë përfshirë shtetas shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›