E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy “finale” ndezin Superligën



Java e katërt e “Bundesligës” shqiptare ofron dy finale të parakohshme, midis dy kryesueseve të këtij edicioni, Besa e Dinamo, respektivisht kundër kampiones e nënkampiones së sezonit të kaluar, Tirana e Vllaznia. Dy supersfida, që ndryshe nga katër ndeshjet e tjera të Superligës (16:30), do të luhen nën ndriçimin e projektorëve e në të njëjtën orë: 19:00, si Tirana-Besa në “Qemal Stafa” ashtu dhe Vllaznia-Dinamo në “Loro Boriçi”.
Kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha (32 vjeç, 3 ndeshje në këtë sezon, asnjë gol) është i bindur për rezultat pozitiv me Vllazninë në Shkodër, në finalen e parakohshme të Kategorisë Superiore. Elbasanasi, i cili është shpallur më parë kampion me Dinamon e Tiranën, u kërkua gjatë merkatos së verës me ngulm nga Vllaznia, por tratativa e kënaqshme financiare me 9-herë kampionët e Shqipërisë nuk u përfundua. Kjo për shkak të “besnkikërisë” së Pishës. Dinamo kryeson pa humbje në tri javët e para, dhe kapiteni blu as e mendon se kjo do të ndodhë edhe në “Loro Boriçi”. “Kemi arritur të fitojmë tri ndeshjet e para. Deri tani jemi brenda çdo objektivi. Vllaznia është një rival direkt, por ne shkojmë sigurisht për tri pikët”, - tha Pisha për mediat sportive. Dinamo në dy transfertat e para të këtij sezoni ka fituar me rezultat bindës: 1-3 me Kastriotin (java 1) në Krujë dhe 0-3 me Flamurtarin (0-3) në Vlorë. Në katër ndeshjet e fundit të luajtur në Shkodër, e që u përkasin dy sezoneve të fundit, Dinamo ka mundur të fitojë tre prej tyre, dhe vetëm një herë ka fituar Vllaznia. Erjon Hoti (32 vjeç, 3 ndeshje në këtë sezon, 2 gola) beson se Apolonia (6 pikë) e tij nuk do të rikthehet me pikë në Fier nga transferta e vështirë me Laçin (1). Laçianët, pas barazimit 1-1 me Gramozin synojnë fitoren e parë në këtë kampionat dhe para publikut të tyre, dhe e shohin Apoloninë si një mundësi të mirë. Shkodrani 24-vjeçar i Apolonisë thotë për mediat: “Skuadra jonë funksionon, sepse loja është ndërtuar mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë të reparteve. Laçi është një ekip që luan mirë në fushën e tij, por skuadra jonë nuk shkon për të humbur”. Ne te vetmen ndeshje në transfertë të këtij fillimsezoni, Apolonia humbi 1-0 me Vllazninë në Shkodër, me një gol të pësuar në minutën e 93-të të realizuar nga kosovari Ilir Nallbani. Shkumbini dhe trajneri i dytë sezonal, Kristaq Mile është përballë një prove “nderi”, kur të përballet të shtunën me Kastriotin në shtëpi. Tri ndeshjet e para të këtij sezoni thuajse kanë qenë një dështim total i peqinasve: asnjë fitore, vetëm një pikë dhe vendi i fundit. Në ndeshjen e fundit në shtëpi, Shkumbini humbi me Besën (1-2), që provokoi edhe dorëheqjen e parevokueshme të ish-trajnerit Gugash Magani. Edhe pasuesi i tij, beratasi Kristaq Mile e nisi me humbje debutimin. Shkumbini humbi në Fier 1-0 me Apoloninë. Alarmi është edhe më i madh, kur shikon se vetëm Shkumbini, Laçi e Gramozi (këto të dy të fundit të ardhura nga Kategoria e Parë) nuk kanë shijuar asnjë fitore në këto javë. Përballë Kastriotit, skuadra peqinase, vendi i pestë në sezonin e kaluar, synon vetëm fitoren. Krutanët mbërrijnë në Peqin pas fitores së bujshme me Vllazninë (1-0).

Tre fitore

Në katër ndeshjet e fundit të luajtur në Shkodër, e që u përkasin dy sezoneve të fundit, Dinamo ka mundur të fitojë tre prej tyre, dhe vetëm një herë ka fituar Vllaznia.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 4, 19.09.2009, 16:00
Tirana-Besa* Jareci
Skënderbeu-Gramozi Meta
Laci-Apollonia Janku
Vllaznia-Dinamo* Jemini
Shkumbini-Kastrioti Lulaj
Flamurtari-Teuta Çekaj
* Luhen në 19:00

RENDITJA
1.Dinamo 3 9
2.Besa 3 9
3.Apolonia 3 6
4.Skënderbeu 3 6
5.Tirana 3 6
6.Teuta 3 3
7.Flamurtari 3 3
8.Vllaznia 3 3
9.Kastrioti 3 3
10.Gramozi 3 2
11.Laçi 3 1
12.Shkumbini 3 1

KATEGORIA E PARE
JAVA 4, 19.09.2009, 16:00
Kamza-Lushnja Bogdani
Pogradeci-Elbasani Peza
Sopoti-Skrapari Metohia
Bylis-Gramshi Batalli
Luftëtari-Bilishti Alla
Besëlidhja-Memaliaj Beqiri
Ada-Partizani Ziri
Turbina-Burreli Cjapi

“Ujqërit e dëborës” kërcënojnë kolonjarët

Skënderbeu –Gramozi është një tjetër derbi që zbukuron fundjavën futbollistike shqiptare. Një ndeshje, midis dy skuadrave të ngjitura nga Kategoria e Parë, e që përcjell përveç rivalitetit në fushë të dy qyteteve fqinje, edhe një retorikë të jashtëzakonshme të koreve të dy tifozerive gjatë gjithë 90 minutave në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës. Dy takimet e tyre gjatë sezonit të kaluar u mbyllën në barazime dramatike: 2-2 në Bilisht dhe 1-1 në Ersekë. Skënderbeu ka fituar 2 nga tre ndeshjet (një humbje), Gramozi ka barazuar 2 nga tre takimet (një humbje). E përbashkëta: si Skënderbeu ashtu dhe Gramozi humbën 1-0 në përballjet e tyre me Tiranën, kampionen në fuqi. Skënderbeu humbi me një penallti në minutën e fundit (shënoi Nallbani), Gramozi me një gol të minutës së parë të pjesës së dytë (realizoi Abilaliaj).

Jareci, “regjisori” i Tirana-Besa

Gjyqtari ndërkombëtar shqiptar, Sokol Jareci, do të drejtojë supersfidën Tirana-Besa, takim që do të luhet në “Qemal Stafa” në orën 19:00, e vlefshme për javën e katërt të Superligës. “Finalen” tjetër, Vllaznia-Dinamo, do ta gjykojë Lorenc Jemini. Kridens Meta do të jetë “bilbili” i derbit Skënderbeu-Gramozi. Në Peqin, në takimin Shkumbini-Kastrioti, “xhaketa e zezë” kryesore do të jetë Arianit Lulaj. Laçi-Apolonia i është besuar arbitrit të FIFA-s, Albano Janku. Flamurtari-Teuta do të jetë nën “regjinë” e Sokol Çekajt.

Kombëtarja U-15 kundër Olimpiakosit

Kombëtarja U-15 e drejtuar nga trajneri Sulejman Demollari pas turneut në Maqedoni (23-28 gusht), ku zhvilloi gjashtë ndeshje testuese (5 fitore, 1 barazim ndaj skuadrave të Shkupit, Strugës, Prilepit e Ohrit), si pjesë të përgatitjeve për pjesëmarrjen në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Rinore që do të zhvillohet në tetor, do të zhvillojë një tjetër të tillë, por kësaj radhe në Greqi (19-21 shtator). Në vendin fqinjë skuadra U-15 do të luajë kundër Atromitos Peristeri (19 shtator) si dhe skuadrave të dy prej klubeve më të mëdha greke: Olimpiakos (20 shtator) dhe Panathinaikos (21 shtator).

19 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›