ENEDA TARIFA, pasioni për xhazin dhe baladat romantike
Petrika GROSI
Personazhi i kësaj jave në suplementin “Albania Weekend” është këngëtarja e mirënjohur Eneda Tarifa. Ajo flet mbi përjetimet dhe ndjesitë e të kënduarit live, vështirësitë gjatë një rruge që deri tani ka rezultuar me sukses për këngëtaren, zgjedhjen për të qenë serioze në skenë, improvizimet, emocionet e para dhe pas skenës, planet për të ardhmen dhe momentet më të vështira të së shkuarës. Gjithashtu, Eneda tregon mbi pasionin e dytë të saj, filozofinë. Ajo pohon se i pëlqen muzika rrok, metal, soul, xhaz, megjithatë, Eneda nuk guxon të rrezikojë me eksperimentime, prishjen e imazhit të mirë që ka krijuar për gjithë këto vite. Ajo pohon se në mbrëmjet kur këndon live mund t’i interpretojë të gjitha këto rryma, por kur vjen fjala për një album ose një këngë festivali, atëherë mendohet dy herë para se të veprojë. Për këto dhe shumë të tjera, na ndiqni në intervistën që vijon, dhënë dje, ekskluzivisht për gazetën “Albania”.
Me çfarë po merret për momentin Eneda Tarifa?
Nuk kam bërë më shumë se dy ditë pushime, ndaj tani po qetësohem një çikë. Gjatë verës kam pasur vërtet shumë punë me koncerte të ndryshme në bregdet. Aktualisht po vazhdoj të punoj me grupin për një sezon dimëror me muzikë live që do të fillojë së shpejti, ndërkohë që jam duke kryer masterin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci tek EUT. Më vonë kam plane për një recital dhe disa projekte të tjera.
Do të shikojmë sivjet në ndonjë festival?
Këtë vit nuk do të marr pjesë në asnjë festival, por do të merrem më shumë me krijimtarinë time dhe me klipet.
Si ndihesh kur këndon? E kam fjalën kur përplaset ndjesia e të bërit një punë me pasionin për muzikën?
Në fillim e kisha problem këtë përplasje, por tani jam në ekuilibër dhe ndihem e rehatuar.
Sa e lehtë është mbajtja e këtyre ekuilibrave?
Mua më duket e lehtë tani që e di kush jam dhe çfarë bëj. Kur fiton sigurinë dhe përvojën e duhur, e kornizon drejtimin tënd më mirë. Përbrenda profesionit, që është muzika dhe të kënduarit, ndonjëherë ndihesh më mirë, e herë të tjera më dobët, megjithatë, jam e kënaqur me atë që kam arritur.
Po mes këngës dhe njerëzve të dashur, sa e lehtë është të ruash ekuilibrat?
Kjo përbën një vështirësi reale. Por, ndonjëherë, është mirë që njeriu të tregojë se për tjetrin mund ta sakrifikojë dhe punën, ashtu si mund të sakrifikosh edhe tjetrin për punën. Bëj gjithmonë atë që e gjykoj si më oportune. Po ta marrësh nga një këndvështrim, muzikën dhe njerëzit e dashur, i kam të dyja pranë. Problemi është se duhet të vendosësh kohën kur do të përqendrohesh te njëra ose te tjetra.
Të gjithë e kemi vënë re se Eneda ka zgjedhur që në skenë të mos jetë shumë provokuese dhe sensuale. Pse?
Edhe në jetën e përditshme jam një njeri serioz. Pastaj, shpesh, meshkujt pas fasadës lakuriqe kërkojnë tipin serioz dhe e kundërta, në një person që është serioz kërkojnë një tip lakuriq. Ndoshta kështu jam më intriguese. Sigurisht, kjo nuk është një zgjedhje që e kam bërë unë; e kam si natyrë të mos e teproj.
Artistët shpesh eksperimentojë. Po Eneda ç’mund të thotë në këtë drejtim?
Me Erionin kam eksperimentuar shumë në të kaluarën. Pasi u konsolidua lloji i muzikës që pëlqeja të bëja, atëherë nisa të kem një farë frike ndaj eksperimentimeve që mund të rezultojnë edhe të dëmshme. Guxoj deri aty sa nuk cenohet imazhi që krijova me mund për kaq shumë vite. Mendohem dy herë kur bëj diçka.
A ekziston ndonjë formulë në muzikë, e kam fjalën që ta kuptosh më parë nëse kënga do të bëhet e suksesshme apo jo?
Them se suksesi qëndron në të qenit vetvetja dhe në të bërit diçka jo për të tjerët, por vetëm për veten tënde. Mbi të gjitha, kënga duhet të të ngjallë ty një emocion. Ky është thelbi. Nuk e di kë quani sukses, pasi mund të jetë të fitosh çmime, të fitosh para apo të fitosh këngë që të jenë art dhe të jetojnë gjatë.
Pse jo të tria bashkë?
Është shumë e vështirë, por kameleonët si Madona dhe shumë artistë të tjerë, që unë i kam një pikë referimi, ia kanë arritur kësaj. Nuk e di çfarë do të sjellë e ardhmja, për momentin jam mirë këtu. Ndoshta më vonë do të dua të bëj diçka të re për të qenë më tërheqëse, për momentin nuk dua të rrezikoj.
Të ka ndodhur ndonjëherë të dridhesh në skenë?
Më ka ndodhur shumë herë të dridhem në skenë dhe nuk ma merr mendja të ketë artist që të mos ketë emocione përpara se të dalë në skenë. Emocione kam pasur disa herë, kur nuk kam qenë e sigurt me këngën dhe me veten time. Kam dalë dhe me temperaturë në skenë.
Momenti më i vështirë...
Ishte në një festival të vitit 2003, kur këndoja dhe nuk dëgjoja veten. Ndoshta më mirë do të qe ta kisha hequr fare dhe ta flakja kufjen, sesa të emocionohesha aq shumë nga këto probleme. Edhe me këngën nuk isha përgatitur shumë, pasi gjithçka u bë në momentin e fundit. Nuk dua ta kujtoj atë festival.
Bashkëpunimi me Erionin...
Nuk kemi harruar të bashkëpunojmë. Thjesht ka qenë një periudhë e ngarkuar për të, duke bërë një biznes tjetër që prapë ka lidhje me artin, por jo drejtpërdrejt me të kompozuarit. Ndërkaq, edhe unë kam pasur bashkëpunime me kompozitorë të tjerë, gjë që e kisha të nevojshme dhe që më shërbeu për të rifreskuar stilin muzikor. Gjithsesi, këtë vit besoj se do të kem bashkëpunim me Erionin në këngë të tjera. Në fakt, mezi po e pres këtë bashkëpunim, pasi gjithmonë kemi marrë çmime me këngët tona. Çmimi nuk do të thotë sukses, por sidoqoftë, përcakton një lloj niveli dhe standardi.
Teksa flasim për këngët të duket më shumë problem gjetja e një teksti të mirë, apo e një kompozimi?
Tekstin e përgatis vetë. Jam një vëzhguese e vëmendshme e muzikës. Në një këngë teksti duhet të jetë i përshtatur jo me fjalë të përgjithshme që janë dëgjuar e stërdëgjuar. Duhet të ketë edhe ndonjë shprehje të veçantë, të gjetur, e cila t’i qëndrojë melodisë dhe t’i japë drejtimin këngës. Nuk po them ndonjë gjë të re këtu, thjesht nuk më rrihet pa i futur nga pak duart në tekstet e këngëve të mia, edhe kur ato janë bërë nga poetë të njohur. Kjo varet shumë edhe nga fjala që të vjen me këngën; janë disa probleme teknike të të kënduarit që jo të gjithë poetët i dinë. P.sh., në refren duhet të ketë zanoret “a”, “e” dhe “o”, pasi në këtë mënyrë kënga tingëllon më bukur.
A të ka ndodhur të këndosh një këngë që nuk të ka pëlqyer edhe aq?
Në përgjithësi kështu më ndodh. Madje edhe këngët më të bukura të miat nuk më kanë pëlqyer edhe aq në fillim. Veç me këngën “Ika larg” më ka ndodhur dashuri me shikim të parë. Me të tjerat më është dashur t’i përthith njëherë dhe të kenë dalë në treg, pastaj të mësohem me to. Megjithatë, nuk e mohoj që ka këngë, të cilat nuk më kanë shijuar deri në fund, por i kam bërë për hir të një të përgjithshmeje të mirë të këngës dhe marrëdhënies me kompozitorët, kam pranuar dhe kompromise. Sigurisht, ka pasur edhe këngë të cilave u kam thënë “jo”.
Kur dhe pse e ke refuzuar një këngë?
E kam bërë shpesh në ato raste kur muzika ka qenë skematike dhe kënga nuk sillte asgjë të re. Jam e mendimit se një këngë e mirë nuk blihet kurrë dhe një kompozitor një këngë të mirë nuk e shet dot kurrë. Të kuptohemi, e kam fjalën për çmimet në tregun tonë, pasi jashtë funksionon ndryshe.
A e ke menduar të jetosh dhe të punosh jashtë?
Jetën e kam menduar këtu, duke ngrënë nga gjella e këtushme. Jashtë mund të kishte funksionuar ose jo, por do të më duhej të sakrifikoja shumë gjëra, që nga familja, formimi personal e deri te historia ime, të cilën nuk jam gati ta humb. Shpresoj që edhe këtu do të vijë një ditë që do të respektohet ligji për të drejtën e autorit.
Në këtë rast, afirmim i mirë do të ishte një vend kryesor në renditjen e Eurosongut, apo jo?
E kam çuar ndër mend, por nuk e kam me shumë dëshirë. Ndoshta është një lançim i mirë, por mund të jetë edhe një pikë minus. Vetëm nëse fiton Festivalin Europian mund të jetë pozitive, por nëse mund ta çosh në mendje që të fitosh festivalin e RTVSH-së, atë të Europës nuk duhet ta mendosh as për së largu. Kam përvoja nga kompeticione të tilla, ndonëse më të vogla. Para disa vitesh isha në Festivalin Mesdhetar që zhvillohej në Turqi dhe e pashë se si krijoheshin klanet dhe lobingjet gjeopolitike. Shqipëria e ka të pamundur të fitojë, pasi është vetëm çështje vlerësimi dhe nuk shikohet zotësia. Këtë e them me bindje.
Si ndihesh sot me skenën?
Ndihem shumë mirë sepse më ka ndihmuar së tepërmi e kënduara live. E dala edhe ditë për ditë në skena të vogla ku ka intimitet dhe ti duhet të kujdesesh për programin artistik të të gjithë mbrëmjes, e gjitha kjo më ka dhënë siguri dhe jam në një fazë të tillë që në çdo situatë di t’ia dal mbanë.
Si i mban mend vitet ’90, muzikën, grupet që u formuan asokohe?
I mbaj mend me shumë nostalgji, megjithëse nuk ka qenë koha ime, por e motrës dhe e vëllait, që ishin më të mëdhenj dhe dëgjonin muzikën “e ndaluar”. Isha shumë e vogël ato vite për t’i njohur grupet shqiptare. Në një nga këto grupe ka punuar edhe Erioni, i cili fillimisht doli si kitarist. E kujtoj me kënaqësi muzikën e asaj kohe dhe do të doja që të kishte vazhduar pak më tepër periudha e rrokut dhe të mos dilte në treg tallavaja dhe muzika popullore. Sa u takon grupeve, mbaj mend “Djemtë e detit”, “Centaur”, “Radical security” dhe më vonë grupin “Ritfolk”.
A të tundon rroku, metali, rrepi, xhazi, apo mbetesh vetëm te muzika e lehtë?
Gjithmonë tundohem nga gjërat e reja. Kur ka live, sigurisht që do të këndoj edhe këngë të tjera, rrok, xhaz, soul etj. Më pëlqen shumë edhe metali. Këto i tentoj, por një gjë të tillë e bëj vetëm nëpër mbrëmje të mbyllura private. Ndoshta do të provoj diçka prej tyre në të ardhmen, por ju siguroj se populloren nuk do ta provoj kurrë. Më pëlqen muzika popullore qytetare, ajo që bënte dikur Fatmira Breçani apo Eli Fara dhe Merita Halili. Kemi një taban shumë të bukur, por me këngën popullore nuk do të guxoja asnjëherë.
E ke të vështirë të ndahesh nga baladat?
Baladat janë këngët që në përgjithësi pëlqehen dhe zgjasin më shumë. Ato këndohen bukur sepse kanë shtrirje vokale dhe linja të këndshme harmonike. Është vështirë ta përcaktoj, por kam kënduar balada arenbie si këngët “Zëri im” dhe “Thurje”, kam kënduar rrok, këngën “Rreth zjarrit tënd”, kompozim i Shpëtim Saraçit, me të cilën mora çmimin “Çesk Zadeja” te Kënga Magjike etj.
Cilët janë miqtë e tu më të mirë këngëtarë?
Nuk i ndaj dot. Të gjithë i kam miq. Më ka puqur në fakt me Marizën, Anjezën, Juli Pashën e Jonida Maliqin. Gjithashtu, kam shumë miqësi edhe me Flor Mumajezin. Nuk dua t’i përmend të gjithë, por unë nuk jam konfliktuale si natyrë dhe fatkeqësisht nuk ndiej as konkurrencë. Nëse kam pesë fansa, më mjaftojnë ata që kam dhe nuk sulmoj asnjëherë për lavdi dhe famë apo të synoj për çmime dhe para. Jam e prirur në radhë të parë të ndihem vetë mirë për atë që bëj.
A ka pasur raste kur koleget janë xhelozuar dhe kanë folur keq për ty?
Sigurisht, por nuk dua të përmend asgjë konkrete. Secili vepron kur ka fushëveprimi. E kuptoj mirë këtë ndjenjë xhelozie, por kam në vetvete një tendencë për t’i shtyrë sa më larg gjërat e këqija.
Nuk të duket si hipokrizi të bësh sikur nuk ka ndodhur gjë kur dikush të përgojon ose të fyen?
Jam e pazonja të bëj armiq. (Qesh.) Këto janë të këqija të vogla. Në jetë është e rëndësishme të mos kesh fatkeqësi familjare dhe vetjake. Të gjitha ndjenjat personale që kanë të bëjnë me egon dhe profesionin vijnë në plan të dytë. Nuk jam natyrë hakmarrëse. Nuk dua të them që jam e pandjeshme, natyrisht, kur dikush më fyen nuk e harroj lehtë.
Çfarë do të doje të kishe bërë ndryshe në gjithë këto vite?
Të them se e kam bërë mirë gjithçka, do të gënjeja shumë. Ka gjëra që do të doja t’i kisha bërë më përpara dhe të kisha kapur disa momente më të mira për të vepruar. Por nuk kam humbur ndonjë gjë të madhe dhe me këtë justifikohem. E mira nuk ka fund. Do të kisha dashur për shembull që albumi im të dilte shumë më herët, dhe jo në këto kohë kur piratohet gjithandej dhe albumet nuk kanë ndonjë vlerë të madhe. Kam dëgjuar shumë këngëtarë shqiptarë që për këtë arsye përpiqen të bëhen të njohur në Kinë dhe nëse aty do të shesësh tre mijë kopje në muaj do të qe një biznes shumë i mirë. Sa i takon situatës këtu, as shtëpitë diskografike nuk janë më të interesuara për të blerë albume, pasi pëlqejnë më shumë përmbledhjet e më shumë artistëve me këngë të zgjedhura. Për mua e rëndësishme është kënga. Nëse ajo është e bukur, mund të dalë nga fonoteka edhe pas 20 vitesh dhe të përpunohet prapë e të jetë në trend.
Po vazhdon masterin për një degë që nuk ka lidhje me muzikën. Pse?
Ne nuk kemi shkollë të muzikës së lehtë, ndaj zgjodha hobin e dytë, Shkencat Sociale, Filozofi-Sociologji. Masteri që po bëj është gjithashtu shumë i përputhur me këto lëndë; Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Më pëlqen ky drejtim dhe do të më shërbejë në atë kohë kur ikën rinia dhe energjitë për të bredhur nëpër koncerte nuk ekzistojnë më. Me shitjen apo me përfitimet e së drejtës të autorit, në Shqipëri një artist nuk jeton dot. I kam bërë paralelisht të dyja dhe nuk më pengojnë fare. Po të duash të gjesh lidhje mes tyre, filozofinë mund ta shohësh te një tekst, në raste të caktuara te meloditë apo te thëniet e dikujt.
Cilës linjë të mendimit filozofik i përkisni?
Ekzistencializmit. Filozofë si Shopenhauer, Sartri, Niçe, janë të gjithë të prirur drejt njeriut dhe aftësive të tij, dhe jo pas cilësive hyjnore. Zbritëm nga besimi i Zotit dhe erdhëm te njeriu, tek të ekzistuarit. Sigurisht që dhe mendje të tjera të ndritura si Dekarti e Hegeli janë për t’u admiruar. Filozofia në fillim të duket pak e vështirë, por shpesh të ndihmon për të bërë fizkulturë të mendjes. E vlerësoj shumë edhe filozofin shqiptar Artan Fuga.
Ndërsa flasim për filozofinë, të kënduarit si do ta shpjegoje nëpërmjet saj?
Të kënduarit për mua është momenti më hyjnor dhe njëkohësisht njerëzor i ndjesive të tua. Është përmbledhja e të gjithë ndjesive, siguria e të ekzistuarit, një gjendje “Nirvana”, që më bën të jetoj, të improvizoj, të ekzistoj në fund të fundit.
19 Shtator 2009