E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy fituese të Miss Shqipëria në haremin e Berluskonit

Autori i Lajmit: red.
Mes të pranishmëve ishte këngëtari Mariano Apiçela, producenti i filmave, De Anxhelis, aktorja Kamilla Ferranti, binjaket Ferrera, një ish-konkurrente e Grande Fratellos dhe dy fituese të Miss Shqipërisë në Itali.

Kanë kaluar festën e Vitit të Ri në vilën “Certosa” kavalieri dhe 50 vajza të reja

Avionë privatë, bizhu dhurata... kështu e kanë kaluar festën e Vitit të Ri në vilën “Certosa” Kavalieri dhe 50 vajza të reja. Ata janë argëtuar mes politikës, këngëve dhe kërcimeve,- raporton e përjavshmja italiane L Expresso
Në fillim vizita në amfiteatrin e katuseve për të përfunduar me një darkë në piceri, kjo brenda parkut të vilës në Sardenjë, shoqëruar nga tingujt e kitarës akustike.
Për ta mbyllur me hedhjen e fishekzjarreve ashtu siç e do tradita. Kur mëngjesin e 31 dhjetorit 2007, Berluskoni u kishte prezantuar vetë të ftuarve që kishin fluturuar me avionë privatë nga Roma në Milano programin e ditës, mes 50 vajzave të pranishme nisën duartrokitjet. Si në një ëndërr në “Pretty Woman”, njeriu më i fuqishëm dhe i pasur i Italisë kishte ftuar 50 bukuroshe, aktore, velina etj., të hanin në tavolinën e tij. Dukej tamam si një harem. Ja përse në deklaratën që lajmëronte divorcin e gruas së tij, Veronika Lario, përmendej fraza “argëtimi i Perandorit” dhe “virgjëresha që i jepen dragoit” në një vend që i lejon gjithçka shefit të tij. Vajza mes moshës 20-30 vjeçare, të pranishme të gjitha në festën e Vitit të Ri 2009. Mes tyre janë dhe minorene, si Noemi Leticia apo mikja e saj, Roberta. Dhe është mes tyre Berluskoni që di të japë gjithmonë më të mirën. Bën batuta, u bën dhurata bizhu të shtrenjta (unaza argjendi) etj., ndërsa vajzat qeshin dhe zbaviten. Për shumë nga ato, kjo është puna e tyre. Janë nga ato vajza që e kanë dietën ditore 1.500 euro. Më herët atë mëngjes ato kishin shkuar për shopping ku Kavalieri u siguronte shpenzime deri në 2.000 euro. Pasdite për dy orë me radhë Berluskoni u tregoi të ftuarave sekretet e politikës. Ishte koha kur qeveria Prodi ishte në ditët e fundit të saj. Megjithatë, Kavalieri, tregon një dëshmitar, u kap dhe me liderin e atëhershëm të AN-së, Xhanfranko Fini. Por cilët ishin të ftuarit që formonin të gjithë “eskortën” e Berluskonit? Mes të pranishmeve ishte këngëtari Mariano Apiçela, producenti i filmave, De Anxhelis, aktorja Kamilla Ferranti, binjaket Ferrera, një ish- konkurrente e Grande Fratellos dhe dy fituese të Miss Shqipërisë në Itali. Këto shfaqje nuk është se ndodhin për herë të parë me manjatin e medias, por për sa kohë ai ishte thjesht një sipërmarrës, atij i lejoheshin. Tashmë ai nuk është thjesht një sipërmarrës, është shefi i qeverisë italiane dhe ky është një problem politik. Dhe prandaj trupa e sigurisë së Kryeministrit ka përgatitur gjithçka që ajo që do të ndodhë në datën 31 të qëndrojë brenda mureve të vilës së Kavalierit. Më 4 nëntor 2007, lideri i Partisë Demokratike Italiane ia beson producentit De Anxhelis detyrën për të gjetur 5 aktore.
Dy ditë më pas Berluskoni shoqëron mikun e tij producent për tek djali i tij, Piersilvio për t i lejuar që të punojnë në Mediaset. Piersilvio nuk duket se e merr mirë.
Pasi babai i tij dhe De Anxhelis largohen, ai merr në telefon dhe i qahet Valentino Valentinit, deputet, por dhe sekretar personal i Kryeministrit. Dhe është pikërisht Valentini ai që i tregon De Anxhelisit. Operacioni nuk ishte pa dhimbje. Piersilvio kishte kuptuar gjithçka. Ti je pika e një ajsbergu, i një situate shumë delikate. Unë i shpjegova: Guido është një person i drejtë dhe korrekt edhe për të përballuar situata të tilla delikate. Por Piersilvio pranoi me dhembje. Menjëherë pas kësaj, De Anxhelis i flet për Rozana Manin, një nga producentet e spektaklit “"Sorrisi e Canzoni" dhe prej 30 vitesh në krah të Kavalierit. Dhe ajo komenton: “Valentino thotë se Piersilvio është xheloz, sepse e di që ai (babai Silvio) të kërkon ndere. Por është më mirë që t i kërkon ty, kështu që dhe dëmet janë më të vogla. Dhe pas kësaj mësojmë se një sërë modelesh kanë zënë pozicione shumë të mira në profesionet e tyre. Madje, njëra nga këto modele në një nga ftesat e Kavalierit në pallatin “Grazioli” tha me shaka: “Nëse dikush do të më bënte tani një foto, ajo do të vlente 100.000 euro. Një vit më vonë, në gazetën “Il Tempo”, modelja Sabina Began tregon për tatuazhin e saj në kavilje. Një flutur e rrethuar nga fjalët: Takimi që më ndryshoi jetën” dhe dy iniciale S.B”. Sabina është në një farë mënyre pjesë e ekipit të De Anxhelisit. Por shfaqjet e vajzave të bukura në pallatin “Grazioli” dhe vilën “Certosa” nuk janë një risi. Vetëm në vitin 2002 fotot e Berluskonit që bën shëtitje dorë për dore me një nga asistentet e tij, Françeska Impilja, dhe ato të Pashkës në vitin 2008 me mikeshat e tij të reja të kapura dorë për dore dhe që uleshin në gjurin e tij. Por në fakt problemet e vërteta duket se kanë të bëjnë me sigurinë. Kush ka pasur kontakte në punë apo biznes me Kavalierin apo ka pasur çfarëdolloj kontakti tjetër me Kryeministrin, nuk i ka kursyer kërcënimet që kanë pasur një linjë, atë të shpërthimit të një skandali. Dhe këtë nuk e thonë zëra, por dosjet e proceseve gjyqësore. Revista italiane L espresso" ka botuar një telefonatë të përgjuar në Prokurorinë e Napolit në vitin 2007, ku Berluskoni i kërkon i shqetësuar drejtorit të Raifilm, Agostino Saka, që të marrë në punë aktoren Antonela Troise, sepse po bëhet e rrezikshme . Dhe këto lloj ndërhyrjesh të Berluskonit nuk kanë fund. Dhe historitë e përgjimeve dhe presioneve direkte apo indirekte të Kavalierit nuk kanë të sosur. Shikoni se ç thotë aktorja Evelina Mana, në një deklaratë evazive, bërë më 19 shkurt 2008: “E njoh Berluskonin prej disa vitesh dhe kam një raport miqësie. Për arsye personale preferoj të mos i tregoj rrethanat e takimit tim me atë”. Që prej atëhere, në llogarinë e Evelina Manës kanë ardhur shifra marramendëse, çeqesh, kontratash dhe propozimesh. Por ndërsa e pyesim se si i ka bërë 950.000 eurot e pasurisë së saj përrallore, ajo ta pret shkurt: “Tani boll. Berluskoni nuk ka të bëjë fare. Edhe unë kam jetën time private”.

Veronica Lario e ka ndërmend të ndahet nga burri i saj, nga Silvio Berluskoni, Kryeministër i Italisë. Historia e këtij plaku 72-vjeçar me femra është shpesh qesharake dhe e turpshme, rrallëherë argëtuese. Para disa vitesh ai i kishte thënë Sali Berishës se do ta vizitonte Shqipërinë vetëm me një kusht: “Nëse Berisha ma prezanton një vajzë të bukur shqiptare!” Duket ashiqare se Silvio Berluskonit goja i punon mirë. Flet me lehtësi. Si çakall mulliri. Vitin e kaluar ai kishte thënë: “Pas tri orësh gjumë kam mjaft energji për tri orë seks”. Kur në Itali filloi një debat kundër dhunimit të femrave, Berluskoni shprehu mendimin se kjo dukuri e përbuzshme nuk mund të luftohet nga policia, sepse në “Itali ka shumë femra të bukura”. Sipas kësaj logjike, i bie se problemi nuk qëndron te meshkujt e dhunshëm, por te bukuria e femrës. Pra, secila femër që është e bukur duhet ta ketë parasysh se mund të dhunohet. Fiqiron Berluskoni, një plakush 72-vjeçar, gjoja epshndjellës, i cili një herë publikisht i ka vetëlavdëruar aftësitë e tij prej playboy-i, pra një djalosh që argëtohet me femra, kalon netët nëpër klube dhe plazhe. E paharruar është edhe paraqitja e Silvio Berluskonit bashkë me Sali Berishën në një konferencë për media në Romë para përafërsisht katër vitesh. Së pari, Kavalieri italian para dhjetëra gazetarëve kishte thënë se ia kishte dhuruar Kryeministrit shqiptar gjashtë (6!) kravata me ngjyrë të kaltër. Pse? Sepse Berisha kishte shkuar në Romë me një kravatë të kuqe të lidhur për qafe. E kuqja i ngjall tmerrin Berluskonit, e kuqja është ngjyra e komunizmit, e majtizmit, e socializmit. Fytyra e Sali Berishës ishte zbehur kur Berluskoni e kishte thelluar muhabetin, duke thënë: “Saliu më ftoi të vizitoj Shqipërinë. Kam vetëm një kusht që unë të vij në Shqipëri. (...) Nëse Berisha ma prezanton një vajzë të bukur, atëherë unë vij që nesër në Shqipëri”.
Vakti i beqarisë
Duket që Berluskonin së shpejti e pret vakti i beqarisë. Sjelljet e tij shpeshherë qesharake, deklaratat pa kripë, seksiste, fyese ndaj femrave, prej vitesh ia acarojnë nervat edhe gruas së Berluskonit, 52-vjeçares Veronika Lario. Konflikti mes bashkëshortëve eskaloi këtë javë pasi Lario kritikoi idenë e burrit të saj që për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evr¬opian të kandidojë femra të reja e të bukura, por pa asnjë përvojë politike, mes tyre këngëtare e aktore. Berluskoni më shumë preferon formën sesa formatin. E nevrikosur Veronika Lario kritikoi “kudrat në shërbim të pushtetit”, të cilat kandidojnë “për qejfin e perandorit” dhe janë “virgjëresha për kuçedrën”. Nuk kaloi shumë kohë dhe “perandori” (Berluskoni) u kundërpërgjigj, duke thënë se “signora”, pra gruaja e tij, ishte nxitur nga shtypi i majtë. Kulmi i polemikës mes çiftit arriti kur Berluskoni u shfaq në një festë për nder të ditëlindjes së 18-të të një vajze nga Napoli. Ajo e quajti Kryeministrin “babi” dhe tregoi para gazetarëve se ajo e takonte Berluskonin shpesh në Milano dhe në Romë – “sepse ky gjynahqar punon shumë dhe nuk mund të vijë përherë në Napoli”. Opinioni në Itali, i njohur për llafazanëri, pyet me kureshtje se çfarë marrëdhëniesh mund të ketë plakushi në postin e Kryeministrit me çupën nga Napoli. Është njoftuar se Berluskoni i dhuroi asaj një zinxhir qafe me brilante. Me këtë Berluskoni e derdhi kupën. Dhe Veronika Lario tha: “Kjo çështje më ka befasuar shumë, sepse ai kurrë nuk ka ardhur në ditëlindjet e 18-ta të fëmijëve të tij”. Pastaj ajo publikisht paralajmëroi shkurorëzimin. “Martesa ime ka marrë fund. Nuk mund të rri me asnjë burrë, i cili ka marrëdhënie me vajza të mitura”! “Dua ta mbyll perden!” Lario e kishte humbur durimin edhe para një viti, kur burri i saj i kishte bërë një ofertë për martesë ish-modelistes Mara Karfanja. Në një letër publike të botuar në faqen e parë të gazetës “La Repubblica” Lario i kishte bërë thirrje Berluskonit që të kërkonte falje. Dhe ai e kishte bërë këtë me poza teatrale.
Veronika e zhveshur
Berluskoni kështu veproi edhe tani pas kritikave nga gruaja e tij. Shkoi në emisionin “Porta a Porta” në RAI UNO dhe u prezantua si “super-prind”, i cili kujdeset maksimalisht për pesë fëmijët e tij dhe për nipat dhe mbesat. Ai tha se ishte shumë krenar për njërin prej nipave të tij. “Ai që në moshën njëvjeçare di të numërojë deri në 15 dhe i di të gjithë emrat e luleve. Për këtë shkak unë e quaj atë Dalaj Lama im i vogël”. Siç pritej Berluskoni i mohoi të gjitha akuzat e gruas së tij dhe nënvizoi se nuk mban lidhje me vajza të mitura. Nga ana tjetër, në një revistë të afërt me Berluskonin u botuan fotografi, në të cilat Veronika Lario shihej “topless”. Me sa duket ky ishte një sinjal nga tabori i Kryeministrit kundër Larios. Ajo në të ardhmen duhet të ketë kujdes kur akuzon, sepse mund të përballet me kundërgoditje. Duket se Lario është e vetëdijshme për këtë rrezik: “Unë po ndihem si një ushtar i vogël, i cili është i rrethuar prej ushtrive armiqësore”. Berluskoni edhe në të kaluarën e ka poshtëruar publikisht gruan e tij. Para disa vitesh, gjatë vizitës së Kryeministrit të atëhershëm danez, Andres Fogh Rasmussen, në Romë, Berluskoni kishte deklaruar: “Rasmussen është kryeministri më i bukur i Evropës. Mendoj se duhet ta njoh me gruan time, sepse ky është shumë më i bukur se Caçiari, oh grua e mjerë”. Massimo Caçiari është prefekt i Venedikut dhe filozof i njohur. Sipas raporteve të mediave italiane, ai ka pasur një aferë dashurie me Veronika Larion, gruan e Berluskonit. Grindja publike me gruan mund t i kushtojë politikisht Berluskonit. Atij mund t i humbë nami i fitimtarit sidomos pas kritikave nga Kisha Katolike. Gazeta e Konferencës Ipeshkvore të Italisë “Avvenire” e ka quajtur Berluskonin një “Cezar dashamirës, i cili llafazanërinë e shfrytëzon si mjet për krijimin e unitetit”. Komentatori kishtar mendon se është e tmerrshme se si Berluskoni i keqpërdor femrat e reja si “karrem politik” dhe kritikon dukurinë e manifestuar jo vetëm në Itali, ku politika dhe spektakli demonstrojnë një “përqafim vdekjeprurës”. Ose me fjalë të tjera: imitim i qullët i lidhjes mes presidentit francez, Nikolas Sarkozi, dhe Karla Brunin – një lidhje që më shumë shërben për shërimin e egos së presidentit francez dhe tërheqjen e vëmendjes së mediave. Rezultate të mëdha politike Sarkozi nuk ka arritur, sipas anketave të bëra tani në dyvjetorin e zgjedhjes së tij shumica e francezëve janë të zhgënjyer me aktivitetin e tij politik. Kur para pak ditësh Sarkozi qëndroi në Spanjë, mediat franceze shkruan se, në fakt, Madridin e kishte vizituar zonja Karla Bruni, e cila me atë rast ishte shoqëruar nga burri i saj!
“Politika si porno”
Sarkozi dhe Berluskoni kanë diçka të përbashkët: ata femrën e reduktojnë vetëm në pamje. Vetë kryeministri italian e kishte kritikuar kolegun e tij spanjoll, José Luis Rodriguez Zapatero, sepse ky i fundit kishte angazhuar në kabinetin e tij qeveritar nëntë femra për të drejtuar nëntë ministri. “Do të ketë vështirësi të qeverisë”, kishte thënë nga Roma ky donzhuan i vetëshpallur. Në një telefonatë të përgjuar Berluskoni citohet të ketë thënë se femrat ekzistojnë “vetëm për të ngritur moralin e shefit”. Gazetarja e njohur italiane Ida Dominijanni, thotë se strategjia e Berluskonit është perfide: ai përpiqet që lirinë e femrave, të cilën ato e kanë fituar me angazhim të madh gjatë dekadave të fundit, ta reduktojë në një liri sa për t u prezantuar në televizion dhe për t i shërbyer pushtetit vetëm si “bakshish”. Në numrin më të ri gazeta gjermane “Die Zeit” këtë fenomen me të drejtë e quajti “politika si porno”.
robelli@bluewin.ch
Ky lajm është publikuar: 30/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›