Dy formulat që të bëjnë deputet në 2009-ën
Garë e fortë mes siglash partie dhe më pas shpërndarje të votave brenda llojit. Këto dy aspekte do të përcaktojnë dhe parcelat e reja politike të 2009-ës, ndërsa përpjesëtimi do të jetë ai që do të vendosë për mandatet e ardhshme në Parlamentin shqiptar. Siç bëjnë të ditur për “standard” burime brenda mazhorancës, bëhet fjalë për dy formula të reja, të diktuara tashmë nga Kodi i ri Elektoral, që janë udhëzuesi më i mirë për t’u bërë deputet në 2009-ën. Mbi bazën e këtyre formulave do të bazohet dhe aleanca e së djathtës. Formula e parë ka të bëjë me krijimin e aleancës së djathtë. Ajo pritet të hyjë në zgjedhje si koalicion i përbërë. Ndoshta 7 parti aleate brenda një spektri. Secili subjekt politik do të votohet nën siglën e tij. Këtu zë vend formula e dytë, ajo e llogaritjes së votave brenda së djathtës. Votat do të ndahen në bazë të përqindjes së marrë nga secila parti. Mandatet e fituara nga e djathta përpjesëtohen pikërisht në bazë të votave të marra nga anëtarët e koalicionit të përbërë. Ndërkohë, 45 ditë para datës së zgjedhjeve, çdo parti duhet të ketë dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë, të cilat do të qëndrojnë të mbyllura deri në momentin që do të bëhet ndarja e votave mes vetë së djathtës. Në momentin që partitë njohin zyrtarisht përqindjet e veta, atëherë hapen listat e kandidatëve të gjithsecilës për të nisur ndarjen e mandateve sipas renditjes së listave. Në këtë mënyrë janë përcaktuar qartë modalitetet e ardhshme të zgjedhjeve. Pas përfundimit të punës, Kodi i ri Zgjedhor pritet t’i shkojë për votim Kuvendit në fillim të javës së ardhshme. Kodi përfshin ndryshime të mëdha në proceset zgjedhore në Shqipëri, ku më kryesori është reduktimi i numrit të anëtarëve në KQZ. Njëqind faqet e draftit integral për Kodin e ri Zgjedhor do t’i nënshtrohen javën e ardhshme votimit në sallën e Kuvendit, ku tashmë kundërshtitë e forta janë shoqëruar edhe me grevë urie. Një prej risive që sjell Kodi i ri është sistemi proporcional, i cili rrjedhimisht çon në ndarjen e vendit në rajone, e më tej edhe në zona administrative. Ky lloj sistemi u kundërshtua shumë nga partitë e vogla, të cilat para paktit të tyre nga dy partitë kryesore, PS-ja dhe PD-ja të cilat kryesonin procesin për hartimin e Kodit, u tërhoqën. Komisioni e ligjëroi në draft dhe një nga ndryshimet më të kontestuara nga të vegjlit, që është ai për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionet e niveleve të tjera. Sipas Kodit të ri, KQZ-ja përbëhet jo më nga 9, por nga 7 anëtarë ku dy partitë e mëdha propozojnë nga dy anëtarë, ndërkohë anëtari i pestë propozohet nga shumica e partive parlamentare të mazhorancës. Anëtari i gjashtë nga shumica e partive të opozitës, ndërsa i shtati propozohet nga Kuvendi. Tashmë me Kodin e ri nuk do të flitet më për KZZ, por për KZAZ, pra për Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Këto komisione sikurse dhe Komisionet për Qendrat e Votimit përbëhen jo më me 13, por me nga 7 anëtarë, si dhe sekretari i cili emërohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas formulës së zgjedhjeve të anëtarëve të këtij komisioni. Ndërsa grupi i numërimit të votave përbëhet nga 4 anëtarë, ku nga një anëtar u talon partive të mëdha dhe anëtarët e tjerë zgjidhen në shorte. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë do të instalohen mbi tavolinën e numërimit, në mënyrë që të bëjë të mundur regjistrimin e vlerësimit në çdo fletë votimi. Sipas Kodit të ri, ndryshe nga të gjitha proceset e tjera zgjedhore, në vitin 2009 do të përdoren për votim vetëm pasaporta dhe kartat e reja të identitetit. Ndërkohë, ankimimi, ashtu si edhe në Kodin aktual parashikohet të zhvillohet në dy nivele, pra në atë administrativ, ku si institucion që merr në shqyrtim pakënaqësitë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe hapi i dytë është ai në gjyqësor, ku institucioni më i lartë apelues do të jetë sërish Kolegji Zgjedhor.
Dule: Do të votojmë kundër Kodit të ri
PBDNJ-ja kundërshtoi dje Kodin e ri Zgjedhor, duke e cilësuar si një kod i cili nuk do të arrijë të prodhojë zgjedhje të pranueshme. Sipas kryetarit të saj, Vangjel Dule, për këtë arsye forca që ai drejton do të votojë kundër në Parlament. Dule pohoi se "është një formulë e pranueshme ajo e zgjidhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por kurrsesi nuk mund të jetë e pranueshme për ne. Në asnjë fushë, në asnjë aspekt, në asnjë kohë barazie dhe demokracie nuk mund që llogarinë e tjetrit ta bëjë dikush tjetër", - tha Dule. Ai kritikoi faktin se Kodi Zgjedhor është hartuar edhe pa asistencën ndërkombëtare dhe kjo i shton më shumë shanset që produkti final i tyre të jetë i kontestueshëm”. Me këtë deklaratë, PBDNJ-ja rreshtohet përkrah partive të vogla, deputetët e tre prej të cilave janë futur në grevë urie. “Megjithëse projekti për Kodin Zgjedhor erdhi për herë të parë në kohën e duhur dhe i formuluar kryekëput nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, pa asistencën e ndërkombëtarëve, është ende larg praktikave evropiane, pasi nuk jep garanci se kur do të përfundojë procesi i pajisjes së qytetarëve me dokumente përkatëse për të votuar dhe listave adekuate të zgjedhësve”, - theksoi z. Dule. Kryetari i PBDNJ-së shtoi se “edhe 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet më të rëndësishme parlamentare dhe monopolizimi i dy partive më të mëdha PD-PS për administrimin e zgjedhjeve është një minë me sahat që këto dy parti po i vënë këtij procesi’’. Ai përshëndeti grevën e urisë të zhvilluar nga deputetë të LSI-së, PDK-së e PS’91. “Në një shtet demokratik, kryesor është dialogu, por përderisa ky nuk është arritur, kuptohet qartë se sistemi ynë demokratik ka deficite akoma shumë të mëdha”, - tha z. Vangjel Dule.