E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja kërkon negociata, PS-ja hesht

Lëvizja Socialiste për Integrim tenton për negociata me Partinë Socialiste, por has në murin e heshtjes. Ashtu siç ka ndodhur dhe para se të miratohet Kodi Zgjedhor, PS-ja ka refuzuar kërkesën e ish-aleates së saj politike për bisedime. Ky refuzim ka ndodhur dhe dje në kushte të tjera kur disa deputetë të LSI-së janë prej disa ditësh në grevë urie në shenjë proteste ndaj PS-së dhe marrëveshjes së saj me PD-në për Kodin. Siç bëjnë të ditur burime nga LSI-ja, dje, zyrtarë të lartë të LSI-së kanë kontaktuar me kryetaren e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, së cilës i kanë kërkuar që të nisë dialogu. Lajmi konfirmohet edhe nga nënkryetari i LSI-së dhe zëdhënësi i grevistëve, Dritan Prifti. "Kemi kontaktuar me kryetaren e grupit parlamentar të PS-së. Ajo na tha se do të konsultohet me partinë e saj dhe do të na japë përgjigje, por nuk kemi absolutisht asnjë përgjigje", - tha Prifti. Ndërkohë, nuk ka ndonjë vendim zyrtar apo ndonjë mbledhje strukturash në PS për të vendosur nëse do të merren në konsideratë kërkesat e grevistëve. Kreu socialist, Edi Rama, ka anashkaluar plotësisht këtë çështje, duke bërë një vesh shurdh pa tentuar të komentojë grevën. Në mënyrë direkte dhe konkrete, vetëm Kryeministri Berisha ka komentuar grevën dhe kërkesat e tyre. Ai është shprehur se e respekton zgjedhjen e deputetëve, por negocion vetëm më Partinë Socialiste. Mesazhi i qartë i Kryeministrit i ka bindur drejtuesit e LSI-së se shansi i tyre janë negociatat me Partinë Socialiste. Por në vend të reagimit, PS-ja u ka kthyer krahët, duke injoruar krejtësisht grevën e urisë.

Mbështetja e Arben Malajt

Një ndër figurat më në zë të Partisë Socialiste, Arben Malaj, u shpreh dje për herë të parë për grevën e urisë së 10 deputetëve. Malaj kërkoi që nga pikëpamja etike dhe njerëzore greva e urisë duhet vlerësuar sa më drejt, aq më tepër kur Parlamenti pritet të miratojë dy ligje të rëndësishme, buxhetin e shtetit dhe Kodin Zgjedhor. Pa u shprehur drejtpërsëdrejti, anëtari i kryesisë socialiste është ndër të paktat figura apo deputetë të partisë që shpreh hapur rezerva për zhvillimet mbi grevën, siç ishte zhvillimi i seancës parlamentarë të dy ditëve më parë. Njëkohësisht, ai vërejti se Kuvendi duhet të zhvillojë aktivitetin e tij në kushte normale, pasi shumë shpejt do të shqyrtohen dhe miratohen dy ligje të rëndësishme. Kjo, sipas Malajt, do të sillte tërheqje të vëmendjes. Ndaj, ai lë të kuptohet që greva e urisë duhet marrë në konsideratë dhe të jepet një vlerësim sa më i drejtë. “Për sa i përket krizës, e bërë nga 10 deputetë të cilët janë një numër i konsiderueshëm në raport me numrin e përgjithshëm të deputetëve, mendoj se nga pikëpamja etike dhe njerëzore është një moment që kërkon një vlerësim sa më të drejtë dhe sidomos në kushtet kur aktiviteti parlamentar ka dy ligje të rëndësishme në javët e ardhshme, do diskutohet buxheti i shtetit dhe do të miratohet Kodi Elektoral”, - tha ai duke shtuar se “shqetësimi im personal ka qenë qëndrimi etik dhe njerëzor, pasi kryetarja e Parlamentit detyrohet që aktivitetin parlamentar ta realizojë në një ambient sa më të qetë parlamentar”, - shtoi Arben Malaj. Sipas tij, dialogu politik organizohet midis partive politike dhe jo midis individëve me mandat politik.

Topalli viziton grevistët, pajisen me shtretër

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi dje për të dytën herë brenda 48 orëve 10 deputetët grevistë në sallën e Kuvendit. Mësohet se kryetarja e Kuvendit është interesuar duke pyetur personalisht secilin prej tyre për gjendjen shëndetësore. Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit ka mbajtur kontakte me institucionet shëndetësore, duke kërkuar përkujdesje për shëndetin e deputetëve nëse ata kanë probleme. Gjithashtu, bëhet e ditur se Kuvendi i ka pajisur dhjetë deputetët grevistë me shtretër në ndarjet anësore të sallës kryesore ku zhvillohen seancat. Në këtë mënyrë, përmirësohen kushtet e zhvillimit të grevës për deputetët, pasi gjatë këtyre ditëve ata kanë fjetur në karriget ku ulen deputetët. Kryetarja e Kuvendit vizitoi grevistët edhe mbrëmjen e tri ditëve më parë, duke u interesuar për shëndetin dhe kushtet ku zhvillonin grevën.

Dy eurodeputetë takojnë grevistët, Kuvendi lejon çdo vizitor

Zyra e shtypit pranë Kuvendit ka bërë të ditur dje se do të lejohet çdo vizitor për të takuar grevistët, mjafton që ai të njoftojë më parë dhe të marrë autorizimin sipas procedurave normale që ndiqen për të hyrë në selinë e Kuvendit të Shqipërisë. Ky sqarim u bë pasi dy eurodeputetë, që erdhën nga Brukseli për të takuar grevistët, nuk u lanë të hynin derisa morën autorizimin për këtë vizitë. Duke folur për grevën, deputetët belgë u shprehën se kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të Bashkimit Evropian dhe se zakonisht negociohet për të shmangur probleme të tilla. Deputeti belg, Denis Dukarm, tha se situata e krijuar është një test për demokracinë shqiptare. “Diçka e tillë nuk do të ndodhte kurrë në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian. Nuk do të ndodhte as në Belgjikë. Ne negociojmë për të shmangur situata të tilla. Jam këtu sot për të takuar deputetët grevistë. Kjo situatë është një test për demokracinë shqiptare”, - tha Dukarm. Dy ditë më parë ka qenë ish-presidenti Moisiu që ishte përpjekur të takohej me deputetët grevistë, por nuk është lejuar nga Garda e Republikës, pasi edhe ai nuk kishte autorizim.

Dita e pestë, rëndohet gjendja e Brahos

Rëndohet gjendja shëndetësore e deputetit të LSI-së, Spartak Braho. Sipas zëdhënësit të grevistëve, Dritan Prifti, mjekët që e kanë vizituar, janë shprehur se një nga deputetët grevistë është në rrezik për jetën e tij. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, nuk ka dashur të përmendë emra, por tha se në momentin që ka takuar të gjithë grevistët, ka vënë re ndikimet e para të dobësisë. "E kam parë që gjithë shokët nuk janë mirë. Kanë filluar të kenë probleme shumë shqetësuese shëndetësore. Ata nuk e kuptojnë, por mjekët na kanë thënë se të paktën njërit nga shokët i rrezikohet jeta nëse nuk del nga greva", - tha nënkryetari i LSI-së, Prifti. Deputetët hynë dje në ditën e pestë të grevës së urisë dhe vetëm pas kaq ditësh filluan të kenë problemet e para serioze me shëndetin. Ndërkohë q묬 nga paraqitja e tyre dy ditë më parë paraqitja ishte e pranueshme, ndërsa duket se ditët në vijim do të jenë edhe më të vështira. ¬

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›