E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy gjenitë që bënë dritën të pikturonte

Pikaso vizaton një centaur

Ai dallohej për tendencën për ti shtyrë kufijtë  e vetvetes gjithnjë e më larg, ndaj kur i propozuan të pikturonte me një mjet ndryshe nga ai që përdorte gjithmonë, u tregua menjëherë i gatshëm.

Fotot e famshme të Pikasos që pikturon me dritën janë rezultat i 5 seancave fotografike të fotografit shqiptar Gjon Mili.

Seria e njohur si Vizatimet e dritës, e realizuar në vitin 1949, shfaq Pikason duke lëvizur një dritë për të krijuar një figurë të ngjashme me kafshën që çirret në pikturën e tij Guernica apo gruan plot forma të The dreamer (Ëndërrimtarja).

Në njërën nga fotot mund të dallohet në sfondin e errët buzëqeshja e lehtë e Pikasos, një kënaqësi e marrë nga realizimi i një projekti të tillë.

Gjon Mili, në atë kohë fotograf i Life Magazine, një ndër më të mëdhenjtë e fotografisë botërore në atë kohë, e vizitoi Pikason në shtëpinë e tij në jug të Francës dhe i prezantoi projektin. Ai i tregoi imazhet e kapura nga aparati pasi kishte vendosur  drita në balerinëve të akullit, të cilët vallëzonin në errësirë.

Pikaso ra në dashuri me këtë shpikje të Milit dhe pozoi për Life në 5 seanca fotografike. Fotot risi u publikuan në revistën Life në vitin 1950.

Për të krijuar efektin hipnotizues, Pikaso mbante në dorë një elektrik të vogël, të cilin e lëvizte në një dhomë të errët. Për fotot u përdorën dy aparate, njëra për të kapur pamjen ballore dhe tjetra atë anësore.

Duke lënë objektivin të hapur, Mili kapi vijat e dritës si vorbulla në hapësirë, shkroi revista. Dy mjeshtrat e arteve të ngjashme realizuan 30 fotografi, prej të cilave më e njohura është Pikaso vizaton në ajër një centaur.

Disa prej këtyre fotove u ekspozuan në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, në vitin 1950. / Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›