E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy grabitje me maska, ikin autorët

 

Etleva Delia

Dy grabitje me armë dhe me maska ndo-dhën dje në kryeqytet në një hark kohor prej më pak se 60 minuta nga njëra-tjetra.Të dyja ngjarjet ndodhën në rrugën e Durrësit, njëra në afërsi të Ministrisë së Mjedisit dhe tjetra pranë Doganës. Një person i maskuar ka grabitur 1 milion lekë të vjetra në një pikë këmbimi valutor, duke kërcënuar me pistoletë dy punonjëset. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në një “Exchange” pranë Ministrisë së Mjedisit. Vetëm disa minuta pas kësaj ngjarje, një tjetër grabitje ka ndodhur po në rrugën e Durrësit, në afërsi të Doganës. Dy persona të armatosur kanë sulmuar një 26-vjeçar, që sapo ka dalë nga hotel “Akropoli” dhe duke qenë se u ka bërë rezistencë e kanë goditur dy herë më thika për t’i vjedhur paratë. Personi i grabitur, Genci Domi, njëkohësisht edhe i plagosur është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën, pasi thikat nuk i kanë prekur organet jetike. Ngjarjet e ndodhura njëra pas tjetrës, ende janë pa autorë, pasi grabitësit ishin të maskuar dhe askush nuk ka qenë në gjendje t’i identifikojë. Një grup hetimor është ngritur për zbardhjen e ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
GRABITJA NË EXCHANGE
Mesditën e djeshme një person me maskë dhe me armë, ende i paidentifikuar, është futur në një pikë këmbimi valutor, pranë Ministrisë së Mjedisit, tek rruga e Durrësit dhe nën kërcënimin e armës që u kishte drejtuar punonjëseve, ka grabitur një milion lekë të vjetra. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, forcat e policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë pyetur punëtoret që ndodheshin në momentin e grabitjes dhe që janë kërcënuar me armë nga autori. Mësohet se asnjëra nga punonjëset që ndodheshin brenda pikës së këmbimit valutor, nuk ka mundur të japë detaje të rëndësishme për policinë, pasi personi i armatosur ka qenë i maskuar. Ato kanë treguar se të frikësuara, kur kanë parë armën që u është drejtuar, nuk kanë nguruar që të fusin në çantën e grabitësit shumën prej një milion lekësh të vjetra dhe t’ia dorëzojnë personit të maskuar. Burimet sqaruan se po punohet për identifikimin e autorit dhe arrestimin e tij.
PLAGOSJA GJATE GRABITJES
Pas grabitjes së agjencisë së këmbimit valutor pranë rrugës së Durrësit, në të njëjtën rrugë, por disa metra më larg, dy persona të tjerë kanë grabitur një 26-vjeçar, punonjës i një hoteli në afërsi të Doganës së Tiranës. Burime nga policia thanë se dy të rinj të maskuar dhe të armatosur me thika i kanë dalë përpara 26-vjeçarit Genci Domi, duke i marrë atij portofolin dhe celularët dhe kanë tentuar të largohen. Por teksa tentonin të iknin me shpejtësi i dëmtuari ka bërë rezistencë duke ndjekur grabitësit, që t’iu merrte paratë. Kur Domi arriti të ndalonte njërin prej tyre duke i kërkuar atij t’i kthente paratë, për pak sa nuk ka rrezikuar jetën, pasi menjëherë i janë ngulur dy thika në pjesën e barkut. Grabitësit kanë arritur të largohen bashkë me paratë dhe celularët e tij, ndërsa mësohet se i riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Policia në alarm për grabitjet me dhunë
TIRANE - Veç vjedhjeve të rëndomta që policia shpeshherë nuk i publikon në statistikat e saj, të paktën për muajin gusht në polici ka pasur një fluks kallëzimesh për grabitje me dhunë dhe me armë. Ngjarje të tilla, kanë vënë në alarm policinë e kryeqytetit, duke bërë që të lërë mënjanë disi vjedhjet pa pasoja fizike për të dëmtuarit dhe pa rrezik për jetën. Burime nga policia tregojnë se çdo ditë në Tiranë, është e pamundur që të mos regjistrohen telefonata në sallën operative apo kallëzime për vjedhje banesash, lokalesh, apo celularësh dhe kuletash. Por kohët e fundit ajo çfarë e bën më alarmante situatën, janë vjedhjet me dhunë që ndodhin në rrugë dhe që nuk janë shumë larg qendrës së Tiranës, po ashtu edhe grabitjet me armë që në disa raste autorët nuk kanë arritur të identifikohen, për shkak se fshehin fytyrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›