Kapen grabitësit e turistëve në Golem
TIRANE - Pas gati 2 muaj hetimesh intensive për disa vjedhje të ndodhura që nga fillimi i sezonit veror e deri disa ditë më parë në plazhin e Golemit, policia e Kavajës ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë autorët e këtyre ngjarjeve. Sipas burimeve nga policia, por edhe njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, mësohet se në pranga kanë përfunduar tre të rinj nga Rrogozhina, por banues në Kavajë, si përgjegjës të disa vjedhjeve me dhunë dhe armë. Mësohet se të arrestuarit janë Alban Gosa, 22 vjeç, Klajdi Hasani, 25 vjeç dhe Armand Mustafa, 23 vjeç. Pas hetimeve intensive, ekzaminimin e provave, dëshmive dhe verifikimeve të gjurmëve të gjetura në vendet e ndryshme të ngjarjeve, policia arriti të arrestojë dy ditë më parë, 3 autorët e dyshuar. Është dashur një operacion i forcave të policisë së Kavajës për goditjen e të ashtuquajturit grup kriminal, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme, kanë vjedhur lokale, biznese të ndryshme, banesa, si dhe dyshohen gjithashtu për vjedhje me armë. Sipas policisë është dokumentuar tërësisht implikimi i tyre në vjedhjet e datës 21 korrik 2009, kur dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e një lokali apo atë të dy ditëve më parë në Bishtin e Zhurit të Rrogozhinës, ku dyshohet se nën kërcënimin e armës, kanë realizuar të vjedhin një emigrant, i cili po kthehej nga Greqia me autobusin e linjës Selanik-Tiranë. Gjithashtu, grupi hetimor ka ngritur dyshime se të arrestuarit janë autorë të grabitjes së një autobusi me turistë kosovarë, të cilët sapo kishin mbërritur nga Kosova në Golem dhe janë plaçkitur nga të arrestuarit. Atyre u janë sekuestruar objektet e vjedhura, si 2 automjete, 5 telefona celularë, 2 aparate fotografike dixhitale dhe një kamer dixhitale. Ndërkohë, në sajë të një hetimi në ngarkim të tyre, dyshohet se janë autorë edhe të një sërë vjedhjesh banesash, kryesisht të ndodhura në zonën e plazhit Golem. Veç banesave, hoteleve dhe restoranteve në plazhin që nis nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Golem, Alban Gosa, Klajdi Hasani dhe Armand Mustafa, dyshohen të jenë autorë edhe disa vjedhjeve të tjera që kanë ndodhur në çadrat e pushuesve, kryesisht të ardhur nga Kosova. Policia gjithashtu po punon për identifikimin edhe të disa ngjarjeve të tjera që kanë ndodhur jo vetëm në territorin e Kavajës por edhe në atë të Durrësit. Madje, për këto ngjarje është kërkuar edhe ndihma e policisë lokale të qytetit tjetër bregdetar, në mënyrë që të provohet autorësia e personave të arrestuar.