Përsëri me zonjën Ledi Shamku alias Enkelejda Shkreli (II)
Vijon nga numri i djeshëm
Unë iu kritikova përse e anashkaluat faktin se Kodeksin e Pal Engjëllit e kanë trajtuar të tjerët, madje jo vetëm botuar në origjinal, por edhe në përkthimin shqip. Të thuash se nuk e dinit që qenka botuar, nuk është turp. Por turp është të thoni se, kur Kristo Frashëri e paska njohur këtë Kodeks dyzet vjet më parë, pse nuk e botoi atëherë, por katër vjet më parë? Ky është turp! Ju e dini mirë, në qoftë se nuk e dini, po ua kujtoj, se në regjimin komunist mund të studiohej letërqarkorja e Pal Engjëllit vetëm nga aspekti historik dhe gjuhësor, por jo liturgjik. Unë atë kam bërë dhe nuk është nder për ju ta mohoni këtë kontribut. Madje, nga kjo pikëpamje, ju nuk keni ndershmëri profesionale. Unë nuk mund të merresha me anën liturgjike të letërqarkores së Pal Engjëllit. Në radhë të parë, se unë nuk e njoh lëndën dhe jam tepër i kujdesshëm të merrem me një temë që s’e njoh, sepse nuk dua ta turpëroj veten me gafa dhe absurditete, siç bëni ju. Në radhë të dytë, edhe po të isha në gjendje, nuk mund të merresha me probleme që i përkisnin një sfere të ndaluar.
Tani që e morët vesh ose bëni sikur e morët vesh se faqet latinisht të Konstitucioneve të Pal Engjëllit qenkan botuar në origjinal dhe në përkthimin shqip nga Fatjon Balliu, tani përsëri përpiqeni të gjeni qimen në përpeq duke thënë se faksimilja e botuar më parë nga F. Balliu ka vende të palexueshme, kurse ribotimi juaj është i pastër. Megjithëse nuk është aq i palexueshëm sa ç’pretendoni ju, lind pyetja se, përse nuk e pranoni përkthimin shqip nga F. Balliu, ndërsa ju jeni kufizuar vetëm me një përmbledhje të kopjuar?
Në shkrimin tim nuk desha të zgjatem për disa çështje të tjera jo të sakta të shkrimit tuaj, të cilat unë i konsiderova si çikërrima. Të them të drejtën, i cilësova çikërrima për të mos u rënduar juve, mbasi ato nuk janë çikërrima. Ato i ka vënë në dukje fare qartë dom Gjergj Meta se janë gafa dhe presim se a do t’i pranoni apo jo. Argumentin që unë i quajta çikërrima ju e konsideroni si provë se keni të drejtë. Juve ju duk çudi edhe debati mbi termin famulli, që përmban letërqarkorja e Pal Engjëllit, të cilën padyshim ju e shpjegoni gabim. Kështu ndodh edhe me termin bashtinë. Më vjen keq t’ju them se ju nuk e dini se ç’është bashtina. Kjo për arsye se ajo është jashtë sferës së njohurive tuaja. Bashtina është një kategori social-ekonomike e sistemit feudal ballkanik. Si rrjedhim, përmbajtja e saj nuk mund të kuptohet duke lexuar vetëm Konstitucionet e Pal Engjëllit. Po të kishit lexuar monografinë “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, Tiranë 2002, besoj se do ta kishit parë se as Athanas Gegaj, i laureuar në shkollat perëndimore, nuk e pati të qartë se ç’ishte bashtina. Si rrjedhim, më duket se kot futeni në folenë e grerëzave, sepse zakonisht ato, kur ngacmohen, të pickojnë.
Bashtina, zonjë e nderuar, është një kategori social-ekonomike ballkanike. Termi bashtinë është me origjinë sllave, të cilën turqit osmanë, kur pushtuan Ballkanin, e futën në nomenklaturën e tyre feudale. Natyrisht, ndoshta nga serbët apo nga turqit, e morën dhe shqiptarët.
*
Dy fjalë për akuzën që zonja Ledi Shamku më drejton sikur unë paskam “ndihmuar në rrënimin e Lef Nosit” dhe se paskam “përgatitur platformën, të cilën e përdori Enver Hoxha për ta vlerësuar politikisht lëvizjen e Haxhi Qamilit të viteve 1914-1915”. Për këto akuza, zonja Shamku thotë se i ka lexuar në një shkrim të Mërgim Korçës. Unë nuk e di se ku i ka gjetur Mërgim Korça këto njoftime, të cilat, me thënë të drejtën, po i dëgjoj për të parën herë nëpërmjet Ledi Shamkut. Di që këto nuk janë të vërteta. Di gjithashtu se Mërgim Korça nuk është historian dhe se, në mos gabohem, është biri i Xhevat Korçës. Di gjithashtu se Xhevat Korça u dënua me vdekje nga gjyqi special i vitit 1945 si kolaboracionist i okupatorëve fashistë, i cili, përveçse e përkrahu politikisht Benito Musolinin të pushtonte ushtarakisht Shqipërinë më 7 prill 1939, u bë anëtar (ministër i Arsimit) në qeverinë e formuar në dhjetor 1941 nën kryesinë e Mustafa Krujës.
Për shkak të kohës tashmë të largët nuk ruaj mëri për këtë kolaboracionist, i cili e pranoi fajësinë e tij si kolaboracionist fashist dhe për këtë shkak u dënua mbase më tepër se ç’duhej. Duke lënë mënjanë fajin që ai kreu gjatë okupacionit fashist, Xhevat Korça ka për mua anën tjetër të curriculum-it të tij - është autor i monografisë së parë studimore kushtuar Skënderbeut nga një historian shqiptar, botuar më 1923 - një monografi me vlera shkencore. Veprën e tij si historian skënderbegian e kam vlerësuar si në monografinë “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, që kam botuar më 2002, ashtu dhe në pamfletin studimor me titull “Skënderbeu i shpërfytyruar”, botuar këtë vit. Duket se Mërgim Korça është ngarkuar aq tepër me mllefe, sa ose nuk di kë të godasë për turpin që i kreu i ati, ose kërkon të nxjerrë nga ky turp përfitime tani që kjo periudhë tranzicioni karakterizohet nga shpërthimi i mllefeve. Unë nuk habitem me të. Përkundrazi, habitem me zonjën Ledi Shamku që kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës. Sigurisht që ky akt nuk e nderon zonjën Shamku, e cila për të mbrojtur veten e saj nga gafat që ka bërë ndaj “Formulës së Pagëzimit” shfrytëzon mllefet e bijve të kolaboracionistëve fashistë dhe pa u siguruar nëse janë ose jo të vërteta, i përdor ndaj atyre që kanë luftuar kundër okupatorëve fashistë në një përplasje që nuk ka fare të bëjë me “Formulën e Pagëzimit”. Akuza që më bën për Lef Nosin është shpifje. Për Lef Nosin kam patur dhe e kam shprehur me shkrim pikëpamjen se ai ka qenë një patriot i shquar, se ka përballuar të gjitha tallazet tendencioze politike, se nuk u përzie në jetën politike as në periudhën e Zogut, se nuk mori pjesë as në administratën e okupatorëve fashistë italianë, vetëm se gaboi, kur pranoi emërimin e tij si anëtar i Regjencës së periudhës së okupacionit hitlerian. Madje, si anëtar i Regjencës nuk u shqua për egërsinë që treguan Mehdi Frashëri dhe Patër Anton Arapi ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Si rrjedhim, nuk kam qenë dakord me dënimin e rëndë, që atij i dha gjyqi special i Pasluftës. Vetëm kaq!
Meqenëse çështja e përgjegjësisë së Kristo Frashërit për platformën e lëvizjes së Haxhi Qamilit u hap nga zonja Shamku, e shoh të nevojshme të japim ca sqarime. Brezi i moshuar besoj se e mban mend se në shkurt të vitit 1962, Byroja Politike e PPSH mori në shqyrtim vëllimin e dytë të “Historisë së Shqipërisë”, ende në dorëshkrim, përgatitur nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, nën redaktimin e Stefanaq Pollos, Aleks Budës, Kristo Frashërit dhe Jusuf Alibalit. Në atë vëllim, kryengritja e ashtuquajtur e Haxhi Qamilit trajtohej si një lëvizje xhonturkiste dhe antikombëtare. Në atë mbledhje, Enver Hoxha lëshoi një breshëri vërejtjesh dhe kritikash në adresë të kapitullit ku trajtohej kryengritja e Haxhi Qamilit, e cila u përfshi në vëllimin XXIII të “Veprave” të tij, botuar më 1973. Autori i kapitullit mbi të cilin u lëshuan rrufetë ishte Kristo Frashëri. Gjatë kritikës, Enver Hoxha emrin e autorit nuk e zuri në gojë. Ndoshta, ngase ishte i sigurt se kapitulli do të rishikohej. Zonja Shamku dhe ai që ia ka pëshpëritur emrin tim zonjës së “nderuar” ndoshta nuk e dinë se Kristo Frashëri nuk pranoi të korrigjonte kapitullin e vet. Qenë dy kolegët e tij, prof Aleks Buda dhe prof. Stefanaq Pollo, të cilët e shpëtuan anijen nga mbytja dhe Kristo Frashërin nga pasojat, mbasi ata vetë e rregulluan tekstin në përshtatje me pikëpamjet e Enver Hoxhës. Megjithatë, Kristo Frashëri nuk pranoi të ishte autor i asaj pjese me korrigjime që ishin bërë në kundërshtim me pikëpamjet e tij. Kush nuk e beson, le të lexojë parathënien e tekstit “Historia e Shqipërisë”, vëllimi II, Tiranë 1965, ku për të gjithë kapitujt janë shënuar emrat e autorëve, kurse kapitulli mbi Haxhi Qamilin nuk ka autor, ngase Kristo Frashëri kundërshtoi dhe se kolegët e tij nuk deshën ta përvetësonin autorësinë e kapitullit. Sidoqoftë, katër vjet më vonë, Kristo Frashëri pësoi një dënim. U pushua nga puna si punonjës i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, madje u dënua me largim nga Tirana dhe u dërgua në Përmet si arsimtar i thjeshtë, me motivacionin e njohur burokratik “për qarkullim”, ku qëndroi pesë vjet. E këshilloj zonjën Shamku, e cila është prezantuar në shtyp “Kryetare e Komisionit të Edukimit në PS”, që tjetër herë të ketë kujdes dhe të mos përgojojë të tjerët pa u siguruar për saktësinë e padive që bën, mbasi del e humbur dhe jo e fituar, del e turpëruar dhe jo e nderuar.
*
Si mbyllje, dy fjalë në lidhje me pikëpamjen që unë sugjerova, nëse zonja Shamku do të bëhet ministre e Arsimit. Unë prisja që ajo të na sqaronte se nuk ishte e përgatitur për t’u bërë ministre e Arsimit dhe e Shkencës. Por, me përgjigjen e saj, ajo na dha të kuptojmë se pret që të zërë atë post të rëndësishëm në qeverinë që pritet të formohet, nëse zgjedhjet i fiton Partia Socialiste. Kjo na detyron ta përsërisim edhe një herë shqetësimin tonë.
Në vitin 1923, në një debat që u zhvillua në Parlamentin e Shqipërisë në Tiranë, Fan Noli, ky kolos i kulturës shqiptare, tha midis të tjerave se e shqetësonte niveli kulturor dhe profesional kryesisht i dy ministrave të kabinetit qeveritar: i ministrit të Jashtëm dhe i ministrit të Arsimit. Kjo, për arsye se nga i pari varej prestigji ndërkombëtar i vendit, nga i dyti e ardhmja kulturore e atdheut.
Që atëherë kemi parë shumë ministra të Arsimit. Nuk dua të zë në gojë Luigj Gurakuqin, kryearsimtarin e parë të Shqipërisë së pavarur, për vlerat e tij të rralla, dua të përmend vetëm disa nga ministrat që kanë drejtuar arsimin që kur unë hyra si nxënës në rrjetin arsimor dhe deri në ditët tona. Prej tyre, unë përulem edhe sot me respekt ndaj Mirash Ivanajt, ndaj Nush Bushatit, ndaj Gjergj Kokoshit - tre fenerë shkodranë të arsimit shqiptar. Por arsimi shqiptar ka patur për fat të keq edhe ministra, të cilët, për shkak të nivelit të ulët kulturor, u bënë qesharakë. Do të përmend vetëm një emër: Tefta Camin, e cila në sajë të nivelit të saj të ulët kulturor u bë burim barsoletash. Një nga këto barsoleta kishte lidhje me emrin e veturës që kishte në dispozicion si ministre. Makina ishte prodhim frëng e markës “Pëzho”, e cila në frëngjisht shkruhet “Peugeot”. E shkreta ministre, vazhdoi ta quante makinën e saj jo “Pëzho”, por “Peu-ge-ot”.
Meqenëse nga Ministria e Arsimit, nga struktura shkollore e vendosur prej saj dhe nga programi mësimor i përgatitur prej saj varet formimi i qytetarëve dhe i kuadrove të së ardhmes, unë i jap rëndësi të veçantë figurës së ministrit të Arsimit. Po zonja Shamku ose Enkelejda Shkreli, çfarë është? Me gafat që ajo bëri në studimin e saj mbi “Formulën e Pagëzimit” - një intelektuale që nuk di se ç’është laiku, ç’është femmina, ç’është shekullari, e të tjera, e të tjera - tregoi se pak ndryshim ka nga ministrja Cami, ndaj medet për shkencat tona shoqërore, për arsimin kombëtar dhe për vetë qeverinë, në rast se do ta ulë këtë në radhët e saj.
Nuk mund të rri pa thënë edhe diçka tjetër. Me sa di unë, Enver Hoxha merrte letra anonime herë pas here, me të cilat njerëzit i kërkonin, ndër të tjera, t’i hiqte nga detyra, Lenka Çukon dhe Tefta Camin, sepse nuk e nderonin vendin. Por Enver Hoxha, sado që betohej se e dëgjonte zërin e popullit, sipas parullës “ǒthotë populli, bën Partia”, nuk i pranonte sugjerimet apo ankesat që vinin nga poshtë. Atij i dukej se po të pranonte ankesat dhe kërkesat që vinin nga poshtë, Partia, domethënë Ai, e humbte rolin e udhëheqësit të pavarur, mbasi, sipas shprehjes së tij, Partia kishte për detyrë të rrinte në krye dhe jo në bisht të situatës. Shpresoj që kjo kohë të ketë kaluar një herë e përgjithmonë!
Disa vite më parë një biçim Doktor i Shkencave, një farë Musa Ahmeti, shpalli në revistën “Ekskluzive” (tetor 2002), se kishte bërë një zbulim historik - se kishte gjetur në Arkivin Sekret të Bibliotekës së Vatikanit në Romë një libër shqip në dorëshkrim prej 200 e ca faqesh shkruar në vitin 1210 nga një autor me emrin Teodor Shkodrani. Me atë rast ai jepte dhe disa hollësira mjegullore mbi përmbajtjen e tekstit, por asnjë rresht nga vetë teksti, veçse premtonte se së shpejti do ta botonte krejt dorëshkrimin. Sigurisht, opinioni shkencor shqiptar në mirëbesim u ngrit në këmbë më tepër seç ngrihen spektatorët në një stadium, kur skuadra e tyre e zemrës shënon një gol të dëshiruar. Në themel të entuziazmit qëndronte krenaria që ndjen çdo shqiptar, kur mëson se gjuha e tij është shkruar tre shekuj e gjysmë para se të botohej libri i Gjon Buzukut. Entuziazmin e shfrytëzoi autori, i cili fill pas “zbulimit” të vet erdhi në Shqipëri dhe me pretekstin e botimit të “veprës” së Teodor Shkodranit mashtroi disa njerëz, duke u zhvatur edhe lekë nga kursimet e tyre.
Pas gati një vit më vonë, duke parë se ai nuk botoi asnjë faqe nga dorëshkrimi i zbuluar dhe pasi u binda se ai na kishte mashtruar, nuk ngurova ta stigmatizoj Dr. Musa Ahmetin, në një artikull të botuar në “Koha Jonë”, 16 gusht 2003, se ishte jo historian, por “matrapaz”. Pasi u demaskua, matrapazi nuk u duk më në Shqipëri, as në faqet e shtypit shqiptar. Duke kujtuar se akti mafioz i tij u harrua, Dr. Musa Ahmeti disa ditë më parë doli përsëri në shesh. Nuk ka rëndësi se si e se qysh, atë e pamë të komentojë veprën e Heroit tonë kombëtar në filmin e xhiruar nga disa shqiptaro-amerikanë, i cili u shfaq këto kohët e fundit në Tiranë. Për më tepër, ai botoi në suplementin “Milosao” të “Gazetës Shqiptare” (26 prill 2009) së bashku me një kolegen e tij, Dr. Etleva Lala, një artikull me titull “Statutet e Drishtit” dhe me nëntitull “Botohet i plotë dorëshkrimi i rrallë i 1468”. Aty njoftohet se po botonin “të plotë” një “dorëshkrim të rrallë” të vitit 1468. Nga nëntitulli lexuesi kujtoi se kishim të bënim me një “dorëshkrim”, pra me një dokument të pabotuar. Veç kësaj, lexuesi priste që të lexonte, sipas paralajmërimit, përkthimin shqip të “Statuteve të Drishtit” të vitit 1468. Kur e lexuam, pamë se nuk ishte dorëshkrim i pabotuar, siç pretendonin dy autorët. Aty flitet për një dorëshkrim që ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës (Danimarkë). Por dorëshkrimi me titull “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis” nuk është i panjohur, madje as i pabotuar. Ai është i njohur që në vitin 1902 dhe se është botuar nga dy shkencëtarë medievistë kroatë tepër të njohur, Aemilianuas Sufflay (Milan Shuflaj) dhe Victor Novak (Viktor Novak), në revistën albanologjike që botonte linguisti i njohur jugosllav, Henrik Bariç, “Biblioteka Arhiva za Arbanasku Starimu, jezik i etnologiju. Istoriska Serija”. Izdanje Seminara za Arbanasku Filologju Universiteta u Beogradu/ Urednic Henric Bariç, Libri II, fasc 1, ff I-XVIII, 1-31 e të tjera, Beograd 1927. Pra, dorëshkrimi i ri nuk është dokument i panjohur. Veç kësaj, nuk pamë as përkthimin shqip të statutit. ǒe shtyn këtë njeri të gënjejë? Nuk thonë kot, ujku qimen e ndërron, por jo zakonin.
Pas zbulimit të kodeksit nga Nikolla Jorga dhe botimit të tij më 1915 (Notes et extraits pour servir á l`histoire des croisades au XV siecle, Bukuresht 1915, vëllimi IV, f.195), me të u mor vetëm linguisti frëng Mario Roques, i cili i kushtoi “Formulës së Pagëzimit” dy studime shkencore, njërën “Le Plus ancien document de langue albanaise, në “Romania”, Tome LII, nr. 205-206, Paris janvier-Auvril 1926, ff. 162-164) dhe tjetrën “Sur le plus ancien document de langue albanaise, në “Romania”, Tome LII, nr. 208, Paris, octobre 1926, ff. 504-505.
Në Shqipëri zbulimin e “Formulës së Pagëzimit” fillimisht e shpalli Lumo Skëndo, i cili botoi në përmbledhje më 1927 komentin e Nikolla Jorgo-s (Revista “Diturija”, vëllimi II, nr. 6, 1927, ff. 201-204). Më vonë në Shqipëri formula shqipe e pagëzimit vetëm sa u përmend shkurt. Madje, at Justin Rrota në punimin e tij “Letratyra Shqype”, Shkodër 1934, prej gati 300 faqesh, një monografi me vlerë teorike estetike, nuk e pa të arsyeshme as ta zinte në gojë “Formulën e Pagëzimit”. Por, në punimin e tij të shkurtër që botoi disa vite më vonë (“Për historin e Alfabetit Shqyp”, Shkodër 1936), at J. Rrota e trajtoi Formulën e Pagëzimit të shkruar shqip nga Pal Engjlli (dhe jo Pal Ejlli, siç e quan znj. Shamku) vetëm nga pikëpamja e alfabetit, pra as nga pikëpamja historike, as gjuhësore dhe as kishtare (ff. 5-6). Edhe Filip Fishta në vëllimin e tij me titull “Antologjia e letërsisë shqipe”, Tiranë 1936, nuk e zuri fare në gojë “Formulën e Pagëzimit” shkruar shqip. Autori i parë që e përfshiu “Formulën e Pagëzimit” në tekstin shkollor ishte Eqrem Çabej. Megjithatë, edhe ai tekstin e hartuar për shkollat e mesme, me titull “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, Tiranë 1936, e trajtoi “Formulën e Pagëzimit” me pesë rreshta. Konkretisht ai shkroi:
“Dokumenti i parë është Formula e Pagëzimit sipas ritit latin prej vitit 1462. Gjindet si dorëshkrim në Bibliotekën Laurentiane në Firence. E botoi së pari historiani Nikola Jorga, Notes et extraits pour servir a l’histoire des croisades, IV e serie f. 195”. Sikurse shihet, E. Çabej i bëri letërqarkores së Pal Engjëllit një prezantim protokollar. Një prezantim të tillë i bëri dhe At Justin Rrota, i cili e përfshiu në tekstin mësimor për shkollat e mesme në vitin 1941. Në historinë e letërsisë shqipe me titull “Shkrimtarët Shqiptarë”, botuar nga një grup autorësh, nën kujdesin e Ernest Koliqit dhe Namik Resulit, në vëllimin I, Tiranë 1941, edhe këtu at Justin Rrota, i kushtoi “Formulës së Pagëzimit” vetëm disa rreshta. Më saktë, tekstualisht këto fjalë:
“Ky asht, për sa dihet deri sod, dokumenti ma i hershmi i shqipeas së shkrueme. Kryeipeshkvi i Durrësit, Emzot Pal Engjëlli (vë re: këtë radhë Engjëlli, pra as Ejlli, as Engjlli) krahu i djathtë i Skanderbeut, mbas njij vizite baritore rreth djocezit të vet, tue vërtetue shum mungesa në popull e në kler, çpalli një letër qarkore (Constitutiones). Letra, e shkrue latinisht, asht nënshkrue në Kishën e Shenjtes Trini (jo siç thotë L. Shamku Trinitad) në Mat, ditën 8 Nënduer 1462. Ndër sa mësime, qi Kryepeshkvi u drejton Meshtarvet, ka edhe këtë: I porositë t’a këshillojnë popullin e padijshëm, qi kur në rasën e njij rreziku s’mund t’a bijnë foshnjen te kisha për me u lam me ujin e Pagzimit, t’a pagzojnë ata vetë në shtëpi, tue përdorur formulën liturgjike: ‘Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit’ (Un të pagëzoj p’r emnit (t) Atit e t’Birit e t’Shpertit Shenjt). Dokumenti gjindet si dorëshkrim në Bibliotekën Laurentjane të Firences. E hetoi ma i pari edhe e botoi (V. 1915) historjaku i përmendun rumun, Nikolla Jorga.
Ky trajtim i shkurtër i Kodeksit të Pal Engjëllit vazhdoi edhe pas Luftës në vitet e parë të çlirimit Edhe në “Historia e letërsisë shqipe”, botuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Vëll. I, nën redaktimin e S. Shuteriqit, K. Bihikut, H. Domit, Tiranë 1959, i kushtohet shumë pak vend dokumentit më të hershëm të gjuhës shqipe. Aty thuhet:
“Dokumenti më i vjetër shqip që kemi i përket kohës së Skënderbeut. Formula e Pagëzimit është një frazë e vogël shqip në mes të një shkrimi latinisht prej 37 fletësh, nga kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë e këshilltar i Skënderbeut. Ky shkrim latinisht përmban një letërqarkore që Pal Engjëlli ka lëshuar para një sinodi të klerit të kryepeshkopatës së Lezhës (në të vërtetë nuk është fjala për peshkopatën e Lezhës, por për atë të Lisit në Mat - K. F.), të mbajtur në kishën e Shën Trinisë së Matit, më 8 nëntor 1462, për të ndrequr të metat që kryepeshkopi kishte vënë re në vizitën baritore. Ndërmjet udhëzimeve që jep, kryepeshkopi i porosit priftërinjtë të lejojnë që fëmijët të pagëzohen nga vetë familjet, kur s’mund të dërgohen në kishë apo s’mund të shkojë prifti tek ata. Dhe shkruan shqip formulën që duhet përdorur për pagëzim: “Un te paghesont premenit Atit et birit et spertit senit’. Formula është shkruar në dialektin e veriut dhe me alfabetin latin” (ff. 148-149).
Kodeksi i Pal Engjëllit dhe letërqarkorja e tij lëshuar më 8 nëntor 1462 në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, ku ndodhet edhe Formula e Pagëzimit, u bë në Tiranë të parën herë objekt studimi me rastin e 500-vjetorit të saj, 8 nëntor 1962. Duke lënë mënjanë modestinë e tepruar, më duhet të them se autori i këtij studimi, i cili u botua në kuadrin e kremtimit të 50-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (28 nëntor 1962), ka qenë Kristo Frashëri. Studimi, i cili duket se dergjet në faqet tashmë të zverdhura nga koha të gazetës “Drita”, në atë kohë organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, u botua në numrin e saj të datës 4 nëntor 1962, pra gati gjysmë shekulli më parë. Ai u rishtyp në vëllimin e botuar nga Muzeu Historik Kombëtar, me titull “Formula e Pagëzimit (Kumtesa dhe artikuj), Tiranë 2008, ff. 121-133. Shkrimi, i cili ka pamjen e një referati, pjesërisht shkencor, pjesërisht përkujtimor, ka këtë hyrje:
“Më 8 nëntor 1962 mbushen plot pesëqind vjet nga dita kur kryepeshkopi i Durrësit dhe në të njëjtën kohë, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Skënderbeut, Pal Engjëlli, midis udhëzimeve dhe porosive që u jepte famullitarëve dhe rektorëve të të gjitha kishave dhe manastireve të dioqezës së Lisit, të mbledhur në një kuvend të posaçëm në kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, shkruante në shqip formulën e shkurtër të pagëzimit”.
Më poshtë, duke folur për vendin ku u mblodh kuvendi kishtar, në referatin e vitit 1962, thuhet ndër të tjera:
“Në Mesjetë krahina e Matit bënte pjesë nga pikëpamja administrative kishtare në një dioqezë më vete në shkallë peshkopate, me seli Lisin, sot një fshat nga më të rëndësishmi e kësaj krahine. Si zakonisht edhe këtu selia i dha emrin si dioqezës (dioqeza e Lisit, peshkopata e Lisit), ashtu dhe titullarit të saj (peshkopi i Lisit) nën varësinë e të cilit ndodheshin të gjithë famullitarët e kishave dhe sektorët e manastirit të krahinës së Matit. Trajta latinishte “episcopo Lisign” ose” episcopus Lixiensis” që ndeshet ne burimet mesjetare, i ka shtyrë mjaft studimtarë, ndër të cilët dhe medievistin e njohur Milan Shuflaj që është marrë në mënyrë të veçantë më historinë kishtare të Shqipërisë të shkasin në gabime, duke kujtuar se kanë të bëjnë me peshkopatën e Lezhës, e cila në fakt në burimet mesjetare quhej Episcopatus Alexienses... Dioqeza e Lisit varej, sikurse edhe dioqezat e tjera të ritit katolik, që ndodheshin në Shqipërinë e Mesme, nga kryepeshkopata e Durrësit”.
Në lidhje me vendin se ku u mblodh Kuvendi Kishtar i Matit, në referatin e përmendur thuhet:
“Kuvendi u drejtua nga Pal Engjëlli. Aty merrnin pjesë Andrea, peshkopi i Lisit, një numër i madh rektorësh priftërinjsh të të gjitha manastireve dhe kishave të dioqezës, si dhe një shumicë fisnikësh dhe fshatarësh”.
Letërqarkorja vazhdon:
“Tani që sundon i ndrituri zoti Skënderbe, zoti i Shqipërisë, dinjiteti kishtar gëzon lirinë dhe përkrahjen më të madhe. Prandaj, kryepeshkopi Pal kishte organizuar atë kuvend për të zhdukur ‘të metat e shumta’,që kishte vënë re në vizitën baritore të mëparshme...”.
Në lidhje me frazën shqipe të sakramentit të pagëzimit, në referat thuhet:
“Sado i shkurtër që është teksti shqip, ai ka, si për ambientin kohor kur u hartua, ashtu dhe për lashtësinë e vet të padiskutueshme, një rëndësi të dyfishtë. Ai u hartua në kohën e Skënderbeut, emri i të cilit përmendet me admirim e mirënjohje në materialet e Kuvendit”. E dyta, “Formula e Pagëzimit ka edhe rëndësinë e vet si monument, sado fragmentar, i shqipes mesjetare”.
Autori i referatit, sado që nuk është gjuhëtar, nuk e la pa prekur edhe vlerën e saj për historinë e gjuhës shqipe. Kjo për arsye se historianët e shquar të historiografisë botërore u kanë dhënë porosi atyre që do të merren me histori të mos kufizohen vetëm me burime dokumentare dhe tregimtare, por të shfrytëzojnë në punimet e tyre si lëndë edhe njoftimet që japin disiplinat e tjera të shkencave shoqërore, siç janë gjuhësia, ekonomia, letërsia, etnografia, sepse të gjitha janë shkenca ndihmëse të historisë. Madje, jo vetëm historianët, pro edhe gjuhëtarët e ditëve tona nuk është e drejtë të mos e përfillin mendimin e gjuhëtarëve të mëparshëm. Në referat përmenden vërejtjet e ndryshme që Formulës së Pagëzimit i kanë bërë linguistët e dikurshëm. Aty thuhet p.sh., se Formulën e Pagëzimit Nikolla Jorga e lexoi kështu: Un të paghesont pr’ emënit Atit e t’birit e t’spertit sent. M. Roques vuri se Jorga fjalën e fundit e lexoi gabim semt; ai vuri gjithashtu në dukje se togu - ni i fjalës senit i korrespondon gjuhës së sotme - njm, duke përfaqësuar besnikërisht trajtën shqipe senjt, shenjt. U shfaqën gjithashtu mendime se lidhëza et (birit) et (spertit) është një formë latinizante e lidhëzës shqipe e, mundim ky që nuk u pranua nga gjuhëtarët. Foljen Un te paghesont, M. Roques e lidhi me trajtën e vjetër shqipe un të pagëzonj zgjidhje kjo që e lë të pashpjeguar shfaqjen e - t në fund të fjalës. N. Jokli i dha përkundrazi një shpjegim më tërheqës. Ai mendonte se - t duhet shkëputur nga folja pagheson, se - n fundore e kësaj është një - n e dyfishtë e shkruar vetëm një herë dhe se - n e dytë duhet lidhur me - t dhe pr’ pikërisht në këtë mënyrë: Un të pagëzon(j) n(t) pr’, domethënë unë të pagëzonj ndëpër... Në përfundim të këtyre vërejtjeve gjuhësore transkriptimi më i drejtë i Formulës së Pagëzimit me alfabetin tonë të sotëm duhet bërë kështu: Un të pagëzonj p(ë) emënit (t) Atit e t’birit e t’spertit (t) senjt. Kjo tregon, thuhet në referatin e vitit 1962, se me përjashtim të ndonjë forme dialektore, siç është fjala spertit - shpertit, e cila ndihet edhe sot rëndom në Mat, gjuha shqipe e shekulli XV pak ndryshim ka patur nga gjuha jonë e sotme”.
FUND