E Diel, 1 Nëntor 2026

Prespa, tonelata cironkash të ngordhura në breg qelbin zonën

 

KORÇE - Mijëra cironka të ngordhur u gjetën dje në bregun e liqenit të Prespës. Këto specie, ku më të mëdhatë arrinin në 7 cm, filluan dekompozimin. Në mesditë, në breg të liqenit, por edhe deri në fshatrat e zonës ndihej era e rëndë e kalbëzimit të tyre. Banorët e Liqenasit dhanë alarmin për këtë dukuri që ka pasoja në faunën e liqenit. Ngordhja masive e cironkave është një dukuri e përsëritur gjatë tre viteve të fundit. Sipas banorëve, organet kompetente të vendit tonë, por edhe të vendeve fqinje nuk kanë dhënë asnjë shpjegim mbi shkakun e kësaj dukurie. “Është folur për një infeksion në ujërat e liqenit, që dëmton vetëm cironkën, e cila nuk e përballon dot. Po nëse kjo është e vërtetë, duhen marrë masa sepse dalëngadalë mund të shkohet drejt shfarosjes së këtyre specieve”, u shprehën banorë të zonës. Për të ndërprerë pasojat negative të kalbëzimit të cironkave dhe shpërthimin e ndonjë sëmundjeje, ata kryen groposjen e tyre. Sipas deklarimeve të banorëve të Liqenasit, ky fenomen mund të ketë ardhur si pasojë e ndotjes së ujërave të liqenit nga ndonjë bimësi helmuese. Veterineri Eftim Sotiri u shpreh se këtë vit nuk janë kryer analiza dhe pritet që shkaku të nxirret pas kryerjes së analizave laboratorike. Ndërsa kryeplaku Nikolla Xhorxhi u shpreh se tre vjet më parë kjo dukuri u shpjegua nga specialistët me lëvizjet tektonike të ujërave të thella të liqenit të Prespës që çuan në çlirimin e gazrave helmues. Banorët kërkojnë që përveç analizave laboratorike situata tektonike të studiohet edhe nga specialistë, me qëllimin për të zbuluar shkakun e kësaj dukurie, që po përsëritet për të tretin vit.    j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›