E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri në ankth për virusin e Lul Bashës në Siri

Nga Antena brenda familjes

Lajmi që një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme, që kishte marrë pjesë me ministrin Lulzim Basha në mbledhjen e Konferencës Islamike në Siri, ka shansin e keq të jetë me virusin e gripit të derrave, shqetësoi dje Flamurin. Duke qenë se është mjek në profesion, e di mirë se një virus i tillë përhapet përmes ajrit dhe duke qenë se Lul Basha gjithë kohën flet kokë më kokë me këtë zyrtar, është i bindur se dhe ky i fundit është i infektuar.

Fillimisht shkoi në zyrën e Topallit dhe i shpjegoi situatën.

- Basha ka shumë shanse të jetë me virusin e gripit të derrave, - tha. - Ndihmësi i tij është qartë me atë virus. Si t’ia bëjmë?

- A po mërzitesh për shëndetin e Lules a? Hajt mor se s’e gjen gja atë, por si me e përdor thuj?

- Po pra, për atë them dhe unë, si ta përdorim, - tha Flamuri.

- Duhet me e izolu nga Berisha. E gjeta, duhet me e izolu. I tash duhet me e njoftu doktorin mos me e prit dhe mos me fol me të as në telefon. Duhet me e izolu urgjent. Me e fut në karantinë.

- Ide e mirë, - tha Flamuri. - Po i them menjëherë atij burrit që të paktën në zyrë mos ta presë.

- Jo mor çfarë zyret. Mos ta presë askund, mos ta marr me vete, ta mbyll mren n’shpi mos me dal kund. Ka me na infektu krejt stafet elektorale, krejt komisionerat, s’bën me e lanë atë me dal prej shpiet. A je doktor ti a çfarë je?

- Të drejtë ke. Ashtu duhet bërë. Më kujtohet që kështu e kemi mësuar dhe në shkollë.

- Duhet me e izolu urgjent. Kaq di me thanë. S’duhet me na ikë ky rast. As në debat televiziv mos me e nxjerr, se duhet me rujt të tjerët. Si me e nxjerr atë, për shembull, bashkë me M... M..., na e infekton dhe atë dhe s’kena kë nxjerrim më pasandaj.

- Të drejtë ke. Ashtu duhet bërë. Më kujtohet që kështu e kemi mësuar dhe në shkollë, - përsëriti prapë Flamuri.

Pas dy orësh u takua me atë burrin. Ia shpjegoi problemin.

- Luli ka temperaturë dhe dhimbje koke, - i tha.

- Të gjithë me dhimbje koke jemi Flamur, po të shkojë në punë, - ia preu ai.

- E di, - tha Flamuri, - po është ai problemi i virusit. Ai ndihmësi i tij po del me virus. Kanë qenë bashkë në Konferencën Islamike…

Berisha u bë serioz në fytyrë.

- Ou, dhe ky telash na duhet tani. Mos i thuj njeriut. Të vazhdojë punën. Mos e hap, se na shkatërron fushatën. Të shkojë në Elbasan atje bashkë me njerëzit. Çfarë të kenë.

- Po unë mendova ndryshe. Ta izolojmë ca kohë nga debatet televizive, nga takimet në popull dhe nga dalja në rrugë. Me këtë rast dhe krijojmë një mister që të thonë njerëzit: “Ku është Luli? Ku është Luli?!”

- Flamur, ky popull po harron të mirat e mia për katër vjet, që kam dyfishu rrogat, që kam dyfishu pensionet që kam ba 200, jo, 2500 km rrugë, që kam ba 6 mijë apartamente, d.m.th., bashkë me ndërtuesit, pra, kur m’i harron mua krejt të mirat, Lul Bashën e harron për 5 minuta.

Flamuri u vu në siklet, se s’dinte kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte. Jozefina e donte të izoluar, ai burri e donte në punë. Po gjej një të mesme, tha. Po i them Lulit të vazhdojë punë, të takohet me njerëz në Elbasan. Fundja ai me Fahri Balliun rri gjithë ditën, tha. Atij s’i ngjitet virusi i derrit. Ata të tjerët s’kanë ndonjë rëndësi. Sa për televizionet, vendosi t’i thoshte Frangajt dhe e përhapte vetë fjalën ai dhe s’e ftonte njeri. Me këtë plan në kokë u kthye tek ajo gruaja.

- Fola me atë burrin, - tha. - E vendosëm të dalë në publik, por jo në televizor.

- E pse jo në televizor? - tha Jozefina.

- Se ai burri kishte frikë se mos sëmurej Fevziu dhe s’kishte kush bënte debatet deri në fund. Më dha leje për të shkuar vetëm te Çim Peka. “Atë le ta sëmuri”, - tha.

- E në popull me dalë a? Me m’i marr ai krejt lajmet. Jo mor se tah po dal vet e të them uroj që të shërohet shpejt. S’kam me e lan atë qelbësirë me u sill vërdallë. Atë mashtrues që na rreni dhe për Kosovën. S’du me ia ni zanin. Asht me grip derrash e pikë! S’munena na me rrejt popullin. Kur të shërohet, pas 28-ës, le të dalë në televizor, po deshi.

.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›