Dy mjekë emërohen nëndrejtorët e rinj të QSU
Drejtoresha e QSU, Gjeorgjina Kuli, ka bërë dje publikë emrat e dy nëndrejtorëve të rinj të spitalit. Pas shkarkimit të Arben Pilcës dhe Bajram Begajt, dy mjekë janë emëruar në këto poste. “Janë mjekë të afirmuar në fushat përkatëse, Dr. Ariel Çomo dhe Dr. Xheladin Draçini, doktor i shkencave mjekësore. Puna drejtuese bëhet në grup, aq më tepër në një institucion siç është QSUT-ja. Është e drejta e drejtorit të Përgjithshëm të zgjedhë stafin me të cilin mendon se puna do të jetë e frytshme”, deklaroi dje Kule. Ajo shtoi se ashtu siç meritat apo arritjet pozitive janë pjesë e stafit edhe për disfatat apo mangësitë, përgjegjësia duhet të dalë midis stafit drejtues. Sa i përket zërave se këto ditë janë firmosur edhe të tjerë urdhra për shkarkime dhe priten ende, Kuli nënvizoi se i vetmi largim i bërë në këto pak ditë është i drejtorit të Burimeve Njerëzore. “Me një motivacion të caktuar dhe të mirargumentuar ligjërisht. Nuk janë bërë lëvizje punonjësish, me përjashtim të një reduktimi në disa sektorë, ku u konstatua një mbingarkesë e personelit kundrejt strukturës”, tha Kuli