Kalimashi, dritat e tunelit i garanton Kosova
Energjia elektrike e tuneleve të autostradës Kosovë-Shqipëri do të garantohet nga Kosova. Drejtori i OST-së Ymer Balla dhe homologu i tij kosovar Fadil Ismajli kanë zhvilluar dje një takim, ku në qendër të bisedimeve mësohet të ketë qenë projekti për vendosjen e një transformatori 220/110 kV në nënstacionin Prizreni 2, si dhe ndërtimi i linjës 110 kV Prizren-Kukës. Ndërtimi i linjës 110 kV Prizren-Kukës do të shërbejë kryesisht për ngritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të tuneleve të autostradës Kosovë-Shqipëri. Transformatori që do të vendoset në nënstacionin Prizreni 2, do të sillet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe mendohet, që në të ardhmen të shërbejë si rezervë për dy sistemet në rast nevoje. Ndërkohë brenda vitit 2009 pritet që të nisë puna për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri. Puna për ndërtimin e kësaj linje është parashikuar të zgjasë 20 muaj. Gjatë takimit të djeshëm drejtori i OST-së Balla e ka njohur homologun e tij se qeveria gjermane ka shprehur gatishmërinë, për sigurimin e një granti për konsulencë dhe mbikëqyrjen e realizimit të pjesës së projektit nga ana e Shqipërisë për ndërtimin e linjës 400 kV Tiranë-Prishtinë. Ndërsa Ismajli ka bërë të ditur se, komisioni ndërministror i Republikës Federale të Gjermanisë ka dhënë pëlqimin për financimin e pjesës kosovare të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW.