E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lul Berisha në spital pranë të penduarit të “Bandës së Durrësit”

 

Fatos Mahmutaj

Lul Berisha i akuzuari si kreu i “Bandës së Durrësit” ka mundur të takojë familjarët e tij mesditën e dje-shme, një ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale në apendicit. Menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore në ngarkim të tij, e cila nuk u zhvillua për mosparaqitje të Berishës, familjarët u drejtuan për në Spitalin e Burgjeve ku i dërguan të paraburgosurit ushqime dhe veshmbathje. Familjarët pohojnë se, shëndeti i tij paraqitej mirë, aq sa nuk kishte nevojë për t’u shoqëruar nga ndonjë person tjetër. “Luli erdhi vetë të na takonte te qelia e takimeve në hyrje të Spitalit të Burgut”, tregon motra e tij, e cila tha se: “Për më tepër ai mori vetë në dorë qeset me ushqime dhe u largua pas takimit për në qeli”. Sipas saj, ndërhyrja kirurgjikale kishte përfunduar me sukses dhe kjo dukej që nga mënyra sesi i vëllai kishte nisur të lëvizte, thuaje lirshëm, një ditë pas operacionit. Duke shpjeguar më tej ajo rrëfen se, pas konsultimeve që kishin pasur me mjekun, ai i kishte ndaluar t’i dërgonin vëllait shumë ushqime në qeli. Me urdhër të kirurgut, të paraburgosurit i ishin lejuar vetëm lëngje dhe kos, pasi, sipas mjekut plaga është në momentet e para dhe konsumimi i ushqimeve të tjera mund t’i shkaktojnë dhimbje. Familjarët e Lul Berishës sqaruan se, e takuan të afërmin e tyre në qelinë e takimeve në Spitalin e Burgjeve, ku ai mbahet prej dy ditësh që pas transportimit nga paraburgimi 313. Motra e të arrestuarit rrëfeu se, në Spitalin e Burgjeve ndodhej vetëm një qeli ku kryheshin takimet e burgosurve me familjarët. Autoritetet e burgjeve i kishin lejuar familjarët të hynin në ambientet e Spitalit të Burgjeve, ku policët kishin shoqëruar më pas edhe Lul Berishën. Motra e Berishës vijoi se, dje ishte dita e parë kur takohej me vëllanë pas operacionit, pasi sipas saj, gjatë ditës së operacionit kishte qenë gjithçka e pamundur. Ata kishin qëndruar vetëm në ambjentet e kirurgjisë, por pa mundur ta shihnin. Fillimisht si pasojë e masave të rrepta të sigurisë, dhe më pas me urdhër të mjekut. Mjekët që kishin marrë pjesë në operacion u kishin thënë familjarëve se nuk do të lejoheshin të takonin Berishën për shkak se ai mund të pësonte komplikacione të shëndetit. Pas kësaj në mbrëmjen e djeshme familjarët ishin kthyer në Durrës, për të udhëtuar sërish në kryeqytet mëngjesin e djeshëm. Motra e Lul Berishës, të akuzuarit si kreu i “Bandës së Durrësit”, pohoi dje se sapo kishte mësuar për shëndetin e përkeqësuar të vëllait kishte udhëtuar së bashku me familjarët e tjerë në Tiranë. Te burgu 313 ku mbahej i vëllai i kishin thënë se, ai është transportuar me urgjencë për në Spitalin e Burgjeve, ku kishte mundësi të bëhej operacion. Prej burgut, së bashku me avokatin, motra e Berishës shtoi se, kishin shkuar në Spitalin e Burgjeve dhe aty i kishin informuar se familjari i tyre ndodhej në spitalin numër dy të kryeqytetit, ku një ekip mjekësor i Qendrës Spitalore të Burgjeve po kryente operacionin për heqjen e apendicitit. Pas kësaj familjarët dhe avokati ishte drejtuar për në spitalin numër tre të QSUT-së, por prania e policëve të shumtë të burgjeve, të ndihmuar edhe nga specialët i kishin ndaluar të afroheshin. Pas operacionit, nën masa të rrepta sigurie, i burgosuri ishte rikthyer në qelinë e tij në Spitalin Burgjeve ku më pas ka vazhduar trajtimin mjekësor. Sipas familjarëve të Berishës, kreu i grupit të operacionit ishte një mjek kirurg i burgjeve, ndërsa arsyeja që operacioni u krye në mjediset e spitalit civil ishte fakti që Spitalit të Burgjeve i mungon një sallë operacioni.

Apendiciti
Rreth orës 21:30 të mbrëmjes së të martës Lulëzim Berisha, kreu i “Bandës së Durrësit”, teksa ndodhej në qelitë e paraburgimit 313 pati shqetësimet e para të agravimit të apendicitit. Burime nga burgjet pohojnë se, pak orë më vonë ai u qetësua, për t’i rifilluar dhimbjet në mëngjes më të forta. Në orët e para të mëngjesit ai u vizitua nga mjeku i paraburgimit, i cili urdhëroi dërgimin e tij në Spitalin e Burgjeve për ekzaminim më të hollësishëm. Në spital, pas kryerjes së analizave rezultoi se Berisha kishte kriza akute të apendicitit, çka kurohej vetëm me ndërhyrje kirurgjikale. Pas kësaj, rreth mesditës ai u dërgua nga Spitali i Burgjeve në mjediset e spitalit numër tre të kryeqytetit, ku mjekët e burgjeve do të realizonin operacionin në njërën nga sallat e këtij institucioni.

Operacioni
Operacioni kirurgjikal për heqjen e apendicitit të të akuzuarit si kreu i “Bandës së Durrësit”, Lul Berisha, nisi rreth orës 14:00 të mesditës së të mërkurës dhe mbaroi rreth një orë më vonë. Por rikthimi i të burgosurit sërish në qelinë e tij në Spitalin e Burgjeve u bë vetëm në orën 17:00, pasi më parë ai nuk mund të lëvizej. Burime nga burgjet sqarojnë se, operacioni kirurgjikal i Berishës u krye në spitalin numër dy të QSUT-së, për shkak se Qendra Spitalore e Burgjeve nuk disponon ambiente dhe pajisje për një sallë operacioni. Të paktën ndërhyrjet kirurgjikale të të burgosurve kryhen gjithmonë në spitale civile, nën mbikëqyrjen e mjekëve të burgjeve. Por nuk kanë munguar rastet kur ndërhyrjet kryhen nga mjekët civilë, kur bëhet fjalë për sëmundje të specifikave që nuk mbulohen nga bluzat e bardha të burgjeve.

Mungon Berisha, shtyhet gjyqi

Mosparaqitja në seancë e të akuzuarit si kreu i “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha, u bë shkak që gjyqi i djeshëm të shtyhej për një javë më vonë.

Fatos Mahmutaj

Trupi gjykues i Krimeve të Rënda e quajti të argumentuar dhe të mbështetur në ligj kërkesën e të pandehurit, i cili nga qelia e Spitalit të Burgjeve ku ndodhet prej tri ditësh kishte njoftuar se e kishte të pamundur të merrte pjesë në proces, për shkak të problemeve mjekësore. Pas relatimit të kësaj shkrese nga kreu i seancës, përfaqësuesit e Prokurorisë pohuan se, ishte e pamundur të vazhdohej më tej me procesin, pasi edhe sipas verifikimeve të bëra në mënyrë institucionale prej tyre kishte rezultuar se Berisha i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e apendicitit. Pas kësaj, prokurorët kërkuan shtyrjen e gjykimit për një javë më vonë, kërkesë me të cilin ishin dakord edhe mbrojtësit, çka u mor parasysh nga gjykata, që vendosi zhvillimin e seancës tjetër mëngjesin e së enjtes së ardhshme. Pas vendosjes së Lul Berishës në Spitalin e Burgjeve masat e sigurisë janë shtuar dukshëm edhe në ambientet e brendshme të këtij institucioni. Aktualisht aty mbahet edhe i penduari i “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, i cili me dëshmitë e tij fundosi Lul Berishën dhe grupin e tij. Për faktin se dy personazhet ekstreme të grupit kriminal ndodhen nën një çati, numri i forcave të policisë është shtuar dukshëm, ndërsa qelitë e të dy të akuzuarve ruhen me policë të veçantë që vëzhgojnë pa ndërprerje dyert dhe dritaret e qelive.    
Mjekimi
Burime nga burgjet sqarojnë se, Lulëzim Berisha iu nënshtrua paraditen e djeshme një kontrolli të përgjithshëm mjekësor pas ndërhyrjes kirurgjikale. Nën masa të rrepta sigurie ai është dërguar për pak minuta në spitalin numër dy të QSUT-së, ku i janë bërë analizat dhe është zhvilluar një konsultë mjekësore. Pas kësaj, ai është rikthyer sërish në qelinë e tij në Spitalin e Burgjeve, ku më pas është takuar edhe nga familjarët, që i kanë dërguar në qeli ushqime dhe veshje që ia kishin sjellë nga shtëpia. Këta pohuan pas takimit me të, se shëndeti i tij ishte përmirësuar saqë i akuzuari ecte lirshëm dhe për më tepër i kishte marrë vetë në dorë ushqimet dhe veshjet që këta i kishin dërguar. Më pas ai ishte rikthyer në qelinë ku është “akomoduar” prej mëngjesit të së mërkurës. Nga familjarët mësohet se mjekët e kanë urdhëruar Berishën të qëndrojë në regjim shtrati gjatë kohës që merr mjekime, ndërkohë që herë pas here i duhet edhe të kryejë disa lëvizje të lehta, në mënyrë që të mos pësojë komplikime në shëndet.
Trajtimi
Burime nga burgjet shtojnë gjithashtu se, Berisha do të qëndrojë në Spitalin e Burgjeve derisa plaga e operacionit të mbyllet dhe mjekët të heqin penjtë e qepjeve. Vetëm pas kësaj kohe ai pritet të dërgohet në qelitë e paraburgimit 313, në mënyrë që të marrë pjesë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në ngarkim të tij dhe të bashkëpandehurve të tjerë. Të njëjtat burime theksojnë se, vetë specifika e ndërhyrjes kirurgjikale të ish-kapos së “Bandës së Durrësit” kërkon trajtim të kujdesshëm mjekësor, ndërsa i është lejuar të marrë edhe ushqime nga familja katër herë në muaj sipas rregullores së burgjeve. Po kështu, i janë dërguar në qeli edhe medikamentet e duhura për kurim. Ndërkohë procesi në ngarkim të tij dhe 16 të bashkëpandehurve me të në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka ngecur prej qershorit të vitit të kaluar. Për 16 muaj janë zhvilluar vetëm dy seanca të këtij gjyqi.

RENEA lë spitalin,rikthehet normaliteti

Teksa autoblinda me forcat e RENEA-s përshkonte dje në mëngjes oborrin e spitalit “Nënë Tereza”, pakkush mbeti pa u ndaluar në vend. Dy fuoristrada të tjera policie e kishin futur në mes. Me kapuçat e zinj që u mbulonin fytyrën, specialët sapo kishin përfunduar misionin e radhës. Patrullimi gjatë natës dhe blindimi i QSU, tani ish kufizuar vetëm me mbrojtje të territorit rreth spitalit të burgut. Por për pacientët që kishin kaluar natën te “Nënë Tereza”, hija e rëndë dhe frika që të imponohej prej tyre nuk përbente më asnjë siklet. Nga dritaret e dhomave të tyre kishin parë forcat e panumërta të policisë dhe ikja s’u bënte më  përshtypje. “Në fillim kur pamë aq shumë policë thamë se mos do kapnin ndonjë të kërkuar që ish futur në spital. Të dyja hyrjet e urgjencës ishin bllokuar. Policë me kapuçë e pa kapuçë. Sot e morëm vesh që ish operuar një i burgosur”, tregon e afërmja e një pacienti të shtruar në klinikën kirurgjikale numër tre. Ndërkaq personeli i urgjencës kirurgjikale, dukej i mirinformuar për të burgosurin që ishte operuar dy ditë më parë. Sapo përmendje emrin e Lul Berishës, në fytyrat e infermiereve binte një hije e fortë hermetizmi. Përgjigjja e vetme që mund t’u nxirrje si për hall  ishte: “Nuk dimë asgjë, s’kemi qenë ne në turn”. Duke u treguar që dije detajet, sikur u fashitej shqetësimi, por sërish asnjë shpresë për informacion më shumë. Diçka më tepër mund të të tregonin disa prej bluzave të bardha. Sigurisht duke të kërkuar me ngulm të mos u citoje emrin. Kjo a thua se një operacion për apendisit që kish kryer i burgosuri, mund t’i implikonte në të tjera hesape. “Ndërhyrja u krye dje në orën 14 e 40, këtu në sallat operatore të urgjencës. Kjo është shënuar edhe në regjistër. Ka qenë një grup mjekësh, por ndërhyrja udhëhiqej nga mjeku i spitalit të burgut”, saktësuan burimet nga urgjenca kirurgjikale. Sipas tyre, pas operacioni, Lulëzim Berisha qëndroi  aty edhe për disa orë të tjera, e më pas u transferua në spitalin e burgut. Burime të tjetra brenda QSU na sqaruan se në përputhje me protokollin të pranishëm gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, kanë qenë edhe disa prej familjarëve. “Sipas rregullit, ata u vunë në dijeni. Brenda në urgjenca kanë qenë motra si dhe 4 të afërm të tjerë”, sqaruan burimet.                                                                                               z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›