E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specializantët pa paga,ua merr administrata

 

ZIRINA LLAMBRO

Rreth 60 mjekë specializantë kanë mbetur 2 muaj pa paga. Fondi i akorduar për ta ka shkuar në llogaritë e punonjësve të administratës.Ky është skandali i radhës me të cilin po përballet këto ditë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Lajmin e konfirmuan për gazetën burime të sigurta nga spitali. Ndonëse ka vetëm pak ditë në krye të tij e aspak përgjegjësi për situatën e krijuar, barra e rëndë për të zgjidhur këtë problem i  ka rënë drejtoreshës së re. Me gjithë dëshirën për të mbajtur gjithçka të fshehtë, lajmi është përhapur në QSU. Kanë qenë vetë specializantët të parët që kanë mësuar se paratë e tyre u janë shpërndarë punonjësve të administratës. Ndërkaq burime nga drejtoria pohuan për gazetën se po gjenden mënyrat për të siguruar fondin e harxhuar. Rroga e një mjeku specializant është rreth 20 mijë lekë. Vetëm për gjatë dy viteve të fundit, të punësuarit e rinj janë dyfishuar në numër. Të vjetër gjen me kokrra. Si asnjëherë tjetër, organika është fryrë e stërfryrë dhe çdo largim i pritshëm konsiderohet politik. Kjo, ndonëse në pjesën më të madhe të rasteve të rekrutuarit e administratës janë marrë në punë pikërisht nga ky motiv. Struktura organike e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë është shkelur me të dyja këmbët. Në pjesën më të madhe të sektorëve ka mbingarkesë të kotë në staf e, madje, edhe njerëz që paguhen kot. Përballë kësaj situate, në ditët në vijim pritet të bëhet fillimisht përshtatja e strukturës aktuale, sipas asaj të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe reduktimi i numrit të punonjësve në ata sektorë që është vënë re mbingarkesë numerike. Sipas të dhënave nga drejtoria prej  vlerësimeve paraprake të strukturës ekzistuese, në numrin total të punonjësve është vënë re një tejkalim me rreth 140 veta. Për këtë madje është vënë në dijeni edhe Ministria e Shëndetësisë. Nga sa bën me dije drejtoria, në spitalin më të madh në vend nuk do të ketë më emërime apo shkurtime sipas orekseve politike.  “Përputhshmëria e arsimimit të personelit të propozuar me kërkesat e vendeve përkatëse të punës, profesionalizmi dhe aftësia, janë kriteret kryesore të punësimit që do të zbatohen”, kanë deklaruar drejtuesit. Sipas tyre, QSUT-ja është një institucion diagnostikues, kurativ, shkencor dhe didaktik, larg partive dhe influencave politike, kështu që përkatësitë partiake të çfarëdo lloj ngjyre qofshin, nuk do të ndërhyjnë asnjëherë në cilësinë e punës dhe zbatimin e përgjegjësive të gjithsecilit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›