E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfet për lejen e ndërtimit, arrestohet kryekomunari



LEZHË - Korrupsioni me lejet e ndërtimit ka çuar në pranga një kryetar komune. Arrestimi është bërë në Lezhë. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se Andi Marku, 35 vjeç, është vënë në pranga pasi i ka marrë 1 milion lekë një bashkëfshatari të tij për t’i dhënë lejen e ndërtimit për të rrethuar pronën e tij. Sipas policisë, mesditën e djeshme, rreth orës 13:00, pas një pune hetimore, duke përdorur mjete speciale të hetimit, Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Sektorin Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë Lezhë, gjatë operacionit të koduar “Kolshi”, ka bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e Andi Markut për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. 35-vjeçari Marku është nga fshati Manati, komuna Kolsh e rrethit Lezhë. Ai është me arsim të lartë dhe mbante detyrën e kryetarit të komunës Kolsh, Lezhë. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës thanë se arrestimi i tij është bërë pasi i ka kërkuar dhe i ka marrë një banori të komunës Kolsh shumën prej 1 milion lekësh në këmbim të dhënies së një lejeje ndërtimi për rrethimin e pronës së tij. Për këtë arrestim janë kryer të gjitha veprimet hetimore me mjete speciale të vëzhgimit. Pas kapjes në flagrancë të tij është bërë dhe kontrolli i ambienteve të zyrës, si dhe sekuestrimi i shumës së parave të dhëna. Pas ndalimit të tij, dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për ndjekje të mëtejshme në ngarkim të Andi Markut, i vënë nën akuzën e “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›