E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e 6-vjeçares, e ëma bën apel për gjetjen e saj



Artan CENA
KUKËS - Një javë e gjysmë pas zhdukjes misterioze të 6-vjeçares Bleona Mata nga Zapodi i Kukësit, kanë rinisur kërkimet intensive. Operacioni është shtrirë në një shkallë më të gjerë në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës e atë të Maqedonisë. Familjarët e vajzës së humbur këmbëngulin se bëhet fjalë për rrëmbim, por nuk ka ende asnjë të dyshuar. Asnjë gjurmë, asnjë fjalë, asgjë prej gjëje për vogëlushen e zhdukur që prej së shtunës së 21 majit në fshatin Zapod të Kukësit. "I kam rënë fshatit rreth e përqark nga mëngjesi, në drekë, në darkë, por asgjë”, - thotë e ëma e vogëlushes, e cila nuk e fsheh dot rraskapitjen shpirtërore dhe trupore që i ka shkaktuar humbja e Bleonës. Policia vazhdon të hetojë në pistën e rrëmbimit, ndërsa së ëmës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të bëjë apel se është gati të falë organet e saj apo dhe vetë jetën vetëm të mësojë se 6-vjeçarja është gjallë.
Apeli
“Të lutem, të lutem, kush e ka rrëmbyer të tregojë që është gjallë. E kompensojmë ne, daç me lekë, daç me organe, daç me jetë njeriu, me çfarë të dojë, vetëm të thonë që është gjallë apo të na tregojnë personin që e ka rrëmbyer”, - bën apel Blerina Mata. “Ai që e ka marrë ta vërë dorën në zemër si prind, të na e sjellë fëmijën në këmbim të çfarë të dojë, daç të lekëve, daç të organeve, vetëm të na e sjellë”, - përsërit i ati, Zamir Mata, i cili këmbëngul që policia të vazhdojë bastisjet në të gjitha shtëpitë e fshatrave përreth, pasi “nuk dihet se ku mund ta ketë fshehur keqbërësi”. Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, shkoi në banesën e varfër të familjes Mata për të dhënë mbështetjen dhe për garantuar se të gjitha strukturat policore të shtetit, madje dhe shërbimet e inteligjencës, janë angazhuar për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me vajzën me dy fjongo të kuqe.
Kërkimet
Burgaj konfirmoi se kishte kontaktuar me homologun maqedonas dhe atë kosovar. Madje shtoi se për Maqedoninë ishte dërguar një informacion për verifikim të mëtejshëm. “U bëj thirrje të gjithë banorëve, Policisë së qarkut të Kukësit, të mos i ndërpresin kërkimet, që sot (dje) të nisin krehjen e zonës që ka mbetur pa u kontrolluar për të saktësuar më pas me pistën që ne kemi dyshim”, - urdhëroi Burgaj. Policia ka vënë në dispozicion 3 milionë lekë në këmbim të çdo informacioni të saktë për vendndodhjen e vogëlushes, ndërsa hetimet rreth personit që u ndalua pak ditë më parë për ndryshim të dëshmisë nuk kanë dhënë ndonjë gjë të re. I ndaluari, një 29-vjeçar nga fshati Lojmë, ka mohuar t’u ketë thënë të afërmve të Bleonës se kishte dijeni se kush e kishte rrëmbyer vogëlushen.
Vogëlushja Blerina Mata u zhduk pasditen e së shtunës, 11 ditë më parë, teksa kulloste bagëtitë së bashku me hallën dhe dy mikeshat e saj. Halla dhe shoqet u kthyen në fshat, kurse vajza e vogël jo. Banorët gjetën xhupin e saj në lëndinën, rreth 500 metra sipër fshatit.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›