E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat e detyrueshme për të gjitha llojet e mjeteve



Laureta Rryçi

Në varësi të llojit të makinës që kanë në përdorim qytetarët, çdo vit bëjnë edhe pagesën për taksat e makinës. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm sa u kushtojnë qytetarëve këto taksa. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka përcaktuar taksë të ndryshme duke u bazuar në llojin e makinave. Qytetarët kanë si detyrim që të paguajnë taksën e regjistrimit dhe taksën e qarkullimit. Të dyja këto taksa janë të detyrueshme për të gjithë tipat e makinave.
Statistikat
Shqipëria renditet si një ndër vendet e para në Europë për mospagesën e taksave të automjeteve dhe për numrin e shoferëve të gjobitur. Sipas statistikave, vendi ynë është i katërti në Europë për nga numri i vendosjes së gjobave ndaj shoferëve. Por, pavarësisht nga ndëshkimet, shumë automjete vazhdojnë që të qarkullojnë pa dokumentacionin e duhur dhe pa paguar taksat, edhe pse vitin e kaluar për këtë çështje qeveria vuri një amnisti, e cila zgjati 6 muaj. Por falja e gjobave për ata që nuk i kishin paguar dhe çregjistrimi i makinave të dala jashtë përdorimit kundrejt lehtësive fiskale nuk solli impaktin e duhur për Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor. Edhe pse amnistia zgjati 6 muaj, të dhënat zyrtare tregojnë se janë 126 760 automjete pasive që nuk kanë kryer procesin e çregjistrimit. Subjektet shtetërore dhe private nuk kanë zbatuar ende kërkesat që parashikonte ligji i amnistisë, përfunduar në prill 2009.
Taksa e importit
Taksa e importit për automjetet e përdorura do të hiqet sivjet. Këtë e paralajmëron Programi Ekonomik dhe Fiskal 2010-2012, sipas të cilit, kjo është një nga taksat doganore, e cila suprimohet si pasojë e hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Por, ajo do të zëvendësohet me një taksë tjetër, të cilën, nga Doganat, tani do ta marrin nën administrim e do ta vjelin Tatimet: taksën e tregtimit të një makine të përdorur. Ende Ministria e Financave nuk ka bërë të njohur se në ç'masë do të jenë këto ndryshime në politikat fiskale afatshkurtra. Pas daljes së udhëzimeve përkatëse lidhur me një gjë të tillë, do të mësohet nëse këto masa, të kombinuara, do të sjellin rritje apo jo të çmimit në këtë treg. Sidoqoftë, masa ka të bëjë vetëm me automjetet e përdorura, ndërkohë që nuk ka asgjë të re lidhur me automjetet me kilometrazh zero. Ndryshimi i ri në politikën e taksave, që do të kryhet sërish gjatë këtij viti, ka të bëjë me një ndryshim në TVSH-në. Programi njofton se përfshirja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për profesionet e lira, do të hyjë në fuqi në vitin 2010. Kështu, faturat e avokatëve, noterëve, ekspertëve të ndryshëm, etj, do të jenë 20 për qind më të shtrenjta, barrë, që e paguan klienti i fundit. Një ndryshim tjetër ka të bëjë këtë herë me përfshirjen edhe të grupmallrave të tjera në regjimin e akcizës. Qeveria njofton se duke filluar nga 2010-a, në mallrat që do të paguajnë akcizë do të hyjnë edhe gomat e reja, ato për riveshje, apo gomat e përdorura; ambalazhet, fishekzjarrët, si dhe akumulatorët (bateritë). Ky ndryshim ka të bëjë me kategorizimin e këtyre mallrave si artikuj që janë ndotës të mjedisit. Ndërkohë, jo shumë e largët parashikohet të jetë dita e hyrjes në fuqi të deklaratave vjetore të të ardhurave personale. Ndonëse nuk është fjala për këtë vit, të gjithë shqiptarëve do t'u kërkohet një gjë e tillë nga fundi i 2011-s.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›